Të enjten ka përfunduar Kampionati Botëror për seniorë në sportin luftarak të taekwondos. Botërori u mbajt në Wuxi të Kinës, ndërsa morën pjesë 991 garues, që është rekord.
Në mesin e tyre ishin gjashtë taekwondistë nga Kosova. Por prezantimi i tyre përfundoi pa ndonjë sukses të arritur. U regjistrua vetëm një fitore dhe eliminime të hershme. Kështu taekwondistët nuk bënë ndonjë hap para, ndonëse është shpresuar në një gjë të tillë.
Rona Gashi ishte e para që garoi për Kosovën. Ajo u mposht që në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë, nga Teigan Smith e Britanisë së Madhe.
Valton Ademi po ashtu u ndal në luftën e parë. Garoi në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa humbi nga një garues i Nigerisë.
Jon Gashi ishte i vetmi që shënoi fitore. Në raundin e parë të kategorisë deri 80 kilogramë e mposhti indianin Shivansh Tyagi. Në luftën e dytë Gashi humbi nga garuesi i Greqisë, Ioannis Papadopoulos.
Elion Agushi garoi në kategorinë deri 68 kg dhe që në nismë pësoi nga një taekwondist i Kilit.
Bleron Ademi, që vlerësohej shpresë e madhe për sukses, humbi nga një iranian në luftën e parë në kategorinë deri 58 kg. Iraniani Abolfazl Zandi në fund e fitoi të artën.
Mal Sahiti humbi në përballjen e parë në kategorinë deri 74. Pësoi nga Artsiom Babakhin, që është nga Bjellorusia por garon si sportisti neutral.
Taekwondoja në Kosova vuan nga mungesa e masivitetit. Por ndonëse në numër shumë i vogël, komuniteti i taekwondos është i ndarë në dy grupe. Ndarja është shumë e theksuar dhe kjo vlerësohet se ndikon në frenimin e avancimit para.
Botërori në Kinë dëshmoi që rezultatet nuk janë as për së afërmi ato që synohen.
Turqia ishte vendi i vetëm me tri medalje të arit në këtë Botëror. Nga dy i fituan Koreja e Jugut, Brazili e Tunizia. 27 vende fituan medalje.