Islam Selmani flet me shumë krenari për medaljen më të çmuar të fituar nga karateja kosovare.
Në fund të muajit nëntor ai fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 60 kilogramë në Kampionat Botëror.
Për 20-vjeçarin ishte debutim në Botëror.
Karateisti i talentuar refuzon të flasë shumë për atë që ndodhi tre vjet më parë. Në heshtje pranon se kishte bërë gabim të madh.
Gabimi e la një vit pa gara. Ai ishte përjashtuar nga të gjitha aktivitetet vendore dhe ndërkombëtare nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Karatesë së Kosovës.
“E kam lënë prapa atë periudhë. I kam harruar të gjitha që kanë ndodhur. Tash shikoj vetëm para”, ka thënë Selmani.
Dënimin e mori katër muaj pasi kishte fituar medalje të artë në Evropianin për kadetë, juniorë dhe grupmoshën U21, që ishte mbajtur në Pragë të Çekisë.
Islam Selmani, Elhami Shabani, Arlind Selmanaj dhe Benjamin Shabani u dënuan pas një incidenti që ndodhi në turneun memorial “Zahir Pajaziti”, të mbajtur më 18 shtator 2022 në Prishtinë.
Komisioni i federatës atëbotë kishte vlerësuar se dënimi për Islam Selmanin ishte minimal. Komisioni kishte marrë parasysh shumë rrethana lehtësuese duke pasur parasysh edhe formën e lartë sportive si dhe rezultatet e deriatëhershme, moshën e sportistit, sjelljet e tij të mëhershme në garat vendore dhe ndërkombëtare.
Karateisti me potencial kishte pranuar se kishte poseduar “brisk” të vogël në atë ngjarje.
Pas dënimit mezi ishte bindur t’u kthehej stërvitjeve në karate. Refuzimin e Selmanit që të kthehej në stërvitje e tregon sa herë që pyetet Isak Curri, trajner i tij.
“Këta e dënuan dhe ai ka vendosur ta lërë karatenë”, kishte thënë Curri më 3 nëntor të vitit 2022.
“Ajo tërheqje ka qenë motiv dhe shtytje për të punuar dy herë më shumë se që kam ushtruar atëherë. Shpallja kampion i Evropës më ka shtyrë para për të mos u ndalur”, thekson karateisti.
Bëri mirë që nuk u ndal. Selmani, i cili është anëtar i klubit AS-Prishtina nga Bardhoshi, është vlerësuar “sensacion” i Botërorit. Ai arriti në finale të një kategorie shumë konkurruese, ndonëse në renditje ishte vetëm i 113-i. Ndër të tjera e mposhti karateistin numër një në ranglistën botërore.
“Rrugëtimi im deri te shpallja nënkampion bote ka qenë me sakrificë dhe mund shumë të madh. Nuk ka qenë e lehtë, pasi janë 32 më të mirët e kategorisë dhe jam krenar që kam arritur ta sjell këtë sukses në Kosovë. Në këtë vend të vogël të arrij ta sjell këtë sukses kaq të madh për mua është nder dhe krenari”.
Pas dy vjetësh karateisti i ri synon të bëhet kampion i botës.
“Për mua do të jetë motiv shtesë për të ardhmen. Se ndoshta po ta merrja vendin e parë, nuk do të vazhdonim tutje. Për mua vendi i dytë është motiv për të vazhduar drejt medaljes së artë në Botëror. Ëndrra ime është të bëhem kampion bote. Synimi im është që pas dy vjetësh të bëhem kampion bote”, ka theksuar Selmani.
Ai tregon se ushtron nga dy herë në ditë për një garë të rëndësishme. Por premton se do ta rrisë edhe më shumë intensitetin e punës në të ardhmen.
“Deshëm apo nuk deshëm ne duhet ta rrisim intensitetin e punës, sepse kam qenë i 100-ti në ranglistë, kurse pas suksesit në renditjen botërore jam në vendin e 14-të. Tash na marrin më seriozisht kundërshtarët dhe kanë fokusin më shumë se që e kanë pasur”.
Selmani është i kënaqur me arritjet e deritashme. Por synon më shumë.
“I kënaqur jam pasi ka disa garues që kanë nisur herët karrierën por e kanë përfunduar pa arritur suksesin tim. Jam vetëm 20-vjeçar dhe në botërorin e parë kam arritur në finale është krenari dhe sukses i madh”, ka thënë Islam Selmani.
Vite më parë medalje të bronzta për seniorë kanë fituar Herolind Nishevci në Botëror dhe Elhami Shabani në Evropian. Por medalja e fituar nga Selmani në Egjipt mbetet arritja më e madhe ndonjëherë në sportin e karatesë.