Një vendim i dyshimtë i gjyqtarëve ndikoi që Distria Krasniqi të mbetet jashtë finales në Grand Slamin e xhudos që të premten nisi në Abu Dabi. Por xhudistja kosovare megjithatë zuri vend në podium dhe vazhdoi ecurinë impresive të fitimit të medaljeve në secilën garë ku paraqitet.
Ajo e përfundoi Grand Slamin me medalje bronzi në kategorinë deri 52 kilogramë. Ishte bartëse e parë dhe në fund u rendit e treta.
Jo në formën më të mirë të mundshme, 29-vjeçarja nisi me fitore ndaj ruses Karina Efimova. Ndaj saj fitoi me “Yuko”. Më pas dominoi plotësisht për fitore me uazari ndaj izraelites Gefen Primo. Në gjysmëfinale Distria përballë e kishte hungarezen Rek Pupp. Edhe ndaj saj dominoi në tatami, por pa realizuar hedhje në kohën e rregullt. Në kohën shtesë Distria realizoi një kundërsulm dhe gjyqtarët fillimisht i dhanë uazari, që do ta kualifikonte në finale. Por vendimi u tërhoq. Dhe më pas ishte Pupp që realizoi një kundërsulm, përkatësisht ndërrim të drejtimit për “Yuko” dhe vend në finale. “Yuko” është pika më e vogël në xhudo.

Pupp ka festuar shumë, njëjtë si trajneri i saj. E pritur, duke ditur që bilanci i Distrisë me këtë xhudiste ishte 10:1 para përballjes të së premtes.
Për medalje të bronztë, Distria kishte tjetër paraqitje dominuese. Me tri “Yuko” e mposhti holandezen Naomi Van Krevel. Ndaj Distrisë, holandezja ishte pa gjasa.
Këtë vit Distria ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e Parisit në shkurt. Në mars ishte e dyta në Grand Prix në Austri. Në Evropian, më 23 prill në Podgoricë, fitoi medaljen e artë. Në Botëror, më 13 qershor në Budapest, fitoi medalje të argjendtë. Dy javë më parë në Grand Prix të Zagrebit fitoi medalje ari, ndërsa tani sërish fitoi të bronztë. Pra, gjashtë gara të mëdha, gjashtë medalje.
“E rëndësishme është medalja dhe vazhdimi i ecurisë. Distria ka pasur vit shumë të mirë dhe sot fitoi tjetër medalje të vlefshme. Secila medalje në garat e këtij niveli ka vlerë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
“Në një ditë festive për shqiptarët, Distria solli medaljen e radhës. Ka fituar medalje në secilën garë dhe kjo ka shumë rëndësi për ecurinë tutje. Ajo vazhdimisht konfirmohet si shpresë e madhe e Kosovës për lojërat olimpike ‘Los Angeles 2028’”, ka shtuar Kuka.
Të shtunën në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe garon Laura Fazliu. Laura nuk ka garuar që nga qershori, kur fitoi medalje të bronztë në Kampionat Botëror. Pritet kthim i suksesshëm i saj në garat e nivelit elitar. Kthim i suksesshëm nënkupton me medalje. Të dielën garon edhe Shpati Zekaj.
Në Abu Dabi po garojnë 373 xhudistë nga 52 shtete të ndryshme.