Luftarake

Maliqin e motivon medalja e parë evropiane si senior

Betim Maliqi

Karateisti Betim Maliqi priti më gjatë se që kishte menduar për t’u paraqitur në Evropian. Si senior debutoi në Evropianin që përfundoi të dielën.

Përfundimisht ishte një debutim ëndrrash për karateistin 23-vjeçar. Maliqi të shtunën fitoi medaljen e bronztë në Evropianin që u mbajt në Yerevan të Armenisë.

Kosova në Evropian u paraqit me dhjetë karateistë, ndërsa vetëm Maliqi siguroi medalje për Kosovën në garat individuale. Islam Selmani përfundoi i pesti.

“Jam shumë i kënaqur me rezultatin e arritur në Kampionatin Evropian. Në garën kontinentale, konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Emocioni për mënyrën se si ka rrjedhur lufta për medalje ka qenë i papërshkruar. Kam rikthyer në sekondat e fundit rezultatin, nga 4:2 në 5:4. Publiku priti fitoren e tij, pasi është fitues i shumë medaljeve evropiane e botërore. Por isha i vendosur për fitore dhe e përfundova luftën me fitore. Kam lënë prapa edhe tre garues nga dhjetëshja më e mirë në botë, me të cilët jam takuar gjatë eliminimeve”, ka thënë Maliqi.

Në luftën për medalje të bronztë Maliqi ishte duke humbur 4:2 në luftën vendimtare nga italiani Daniele De Vivo. Por një lëvizje e shkëlqyer e tij një sekondë para fundit ia siguroi medaljen.

Maliqi e nisi Evropianin me fitore 2:1 ndaj kroatit Ivan Martinac. Dominues ishte ndaj rumunit Iordache Gabriel Aurelian pas fitores 8:0. Në raundin e katërt ishte më i mirë se ukrainasi Andrii Zaplitnyi. Por, Maliqi nuk arriti të kalojë në finale, pas humbjes me rezultat minimal 1:0 nga garuesi i Malit të Zi, Nemanja Mikuliq. Por, nuk gaboi përballë karateistit italian dhe iu gëzua suksesit madhor në ngjarjen kontinentale.

“Pritjet kanë qenë të mëdha që nga fillimi i Evropianit duke besuar gjithmonë në përgatitjet që kemi bërë së bashku me trajnerin Agron Tusuni. Por sa u përket statistikave kemi qenë larg për shkak se ishte debutim për mua si senior në një ngjarje të tillë. Si debutues, edhe presioni ka qenë i lartë, por ia dola të fitoja medalje të bronztë si 23-vjeçar pas shumë vështirësive që kam pasur në karrierë e sidomos në këta tre vjetët e fundit”, është shprehur Maliqi.

Ai thotë se emocione të mëdha përjetoi edhe gjatë ngjitjes në podium për ta pranuar medaljen.

Ai bëri një hap të vogël për t’u ngjitur në podium. Por për Maliqin vlerësohet si hap i madh në karrierë.

“Emocion tjetër ka qenë edhe ngjitja në podium për ta pranuar medaljen, si dhe ngritja e flamurit të Kosovës në një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Maliqi.

Karateisti i klubit Katana nga Gjilani thotë se e arritura në Evropian do t’i shërbejë atij si motiv i madh për sukseset e radhës. E synimin e madh, Maliqi thotë se e ka në Botëror.

Turneu kualifikues mbahet nga 17 deri më 19 tetor në Paris, kurse faza finale e Botërorit zhvillohet nga 27 deri 30 nëntor në Kajro të Egjiptit.

“Synimi i radhës është medalja në Botërorin që mbahet në Kajro të Egjiptit. Por fillimisht pres konfirmimin nga Federata Botërore e Karatesë pas arritjes së medaljes në Evropian, ku shpresoj të jem në listën e 32 garuesve më të mirë në kategorinë time”, ka thënë Maliqi.

Më herët medalje të bronzta për senior kanë fituar edhe Elhami Shabani dhe Herolind Nishevci.

Kosova ishte e suksesshme edhe në garat ekipore në Kampionatin Evropian. Pas të bronztës në Botwrorin e vitit 2023, Fortesa Orana, Vlera Qerimi dhe dy karateistet e tjera të Kosovës, Elmedina Istogu dhe Behije Mustafa, fituan medalje të bronztë në Kampionatin Evropian të mbajtur në Yerevan të Armenisë.

Orana dhe Qerimi ishin pjesë e suksesit të Kosovës edhe në Botërorin e mbajtur në vitin 2023 në Budapest.

Kapitenia Fortesa Orana thotë se kanë besuar se në Yerevan do të fitojnë medalje.

“E kemi pritur këtë rezultat nga Evropiani i karatesë. Siç e dini, ne jemi edhe fituese të medaljes së bronztë në Botëror”, ka thënë Orana për KOHËN të dielën.

Kosova në luftën për medalje të bronztë mposhti 2:1 ekipin e Greqisë.

Në luftën e parë, karateistet e Kosovës mposhtën 2:0 Ukrainën. Me rezultat të njëjtë e mposhtën edhe Spanjën në luftën e dytë, ndërsa humbën nga Gjermania. Në repesazh, Kosova 2:0 mposhti fillimisht Armeninë, ndërsa në finale fitoi 2:1 ndaj Greqisë.

“Shorti ka qenë mjaft i vështirë. Jemi ballafaquar me Ukrainën, Spanjën, e cila është kampione e Botës dhe Gjermaninë, kampionen e Evropës. Kemi shënuar fitore ndaj Ukrainës, Spanjës, Armenisë, kurse e kemi mposhtur edhe Greqinë në luftën për medalje të bronztë”, është shprehur Orana.

Për suksesin e arritur në Armeni, Orana në emër të ekipit, ka kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm. Ndjenja është gjithmonë e mirë kur përfaqëson Kosovën në ngjarje të mëdha. Ekipi jon është përbërë nga Vlera Qerimi, Behije Mustafa, Elmedina Istogu dhe unë Fortesa Orana. Presim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të na vlerësojnë këtë medalje dhe të na mbështesin”, ka thënë Orana.

Karateistët ishin të pasuksesshëm në garat ekipore. U eliminuan në raundin e dytë.