Plot nëntë xhudistë do ta përfaqësojnë Kosovën në “European Open” që të shtunën e të dielën mbahet në Sofje të Bullgarisë. Në këtë garë marrin pjesë 385 xhudistë nga 39 shtete të ndryshme.
Është gara e parë serioze e vitit në nivelin e të rriturve. Për xhudistët kosovarë është e rëndësishme të fillojnë mbarë, përkatësisht me medalje.
Kupat Evropiane nuk janë garat e nivelit më të lartë, por megjithatë janë të rëndësishme, sidomos për xhudistët që kërkojnë stabilitetin në nivelin e të rriturve. Kosovën nuk do ta përfaqësojnë tre xhudistët më të mirë, Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova. Por do të jenë nëntë xhudistë që e synojnë nivelin e tyre në të ardhmen e afërt.
Erza Muminoviq garon në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Laurinë Gashi e Fationa Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë. Në kategorinë deri 57 kilogramë garojnë Flaka Loxha, Enise Zijade dhe Sidorela Dodaj.
Flaka Loxha është bartëse e parë në 57 kilogramë dhe rrjedhimisht pretendente për medalje. Fationa Kasapi do të bëjë përpjekje për kthim te suksesi, pas telasheve që i kishte me lëndime. Pas një kohe të gjatë në gara kthehet Erza Muminoviq.
Për Laurinë Gashin, Enise Zijaden dhe Sidorela Dodaj gara në Sofje do të jetë mundësi e mirë për të fituar përvojë në nivel serioz. Ato po ashtu synojnë fitore dhe plasman të mirë.
Prej xhudistëve, Dardan Cena garon në kategorinë deri 73 kilogramë, Anes Veseli në kategorinë deri në 90 kilogramë, ndërsa Shpati Zekaj në kategorinë deri në 100 kilogramë.
Zekaj në shtator ishte i treti në Kupën Evropiane në Shkup e në nëntor i shtati në Grand Prix në Zagreb. Në Sofje e synon hapin tutje. Është bartësi i tretë në kategori.
Dardan Cena është bartësi i tetë në kategorinë deri 73 kilogramë. Shpreson të futet në garë për medalje. Vjet nuk pati ndonjë sukses të rëndësishëm.
Menjëherë më 7 e 8 shkurt mbahet Grand Slami i Parisit, që vlerësohet gara më e famshme e xhudos. Të paraqitur për garën në Paris janë plot 529 xhudistë nga 82 shtete. Në kryeqendrën franceze marrin pjesë xhudistët më të mirë në botë.
Kosovën në Paris do ta përfaqësojnë Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe disa xhudistë të tjerë.