Krejt papritur mundësi Naim Fejzaj nuk mundi të fliste, të lexonte apo të shkruante. Ai po e merr veten. Dhe flet për rrugëtimin e vështirë
(Blick) – Mundësi 30-vjeçar, Naim Fejzaj, qëndronte para nënës së tij kur ajo për një moment shpërtheu në lot. Pa e ditur pse, ai vazhdimisht tregonte me gisht për te krahu i djathtë. “Nuk mund ta ndieja më”, shpjegon Fejzaj. Por reagimi i nënës së tij kishte arsye tjetër.
Vetëm pak sekonda më vonë ai e kuptoi se çfarë e kishte shqetësuar atë më shumë. “Nuk mundja të flisja. Gjithçka dukej normale në kokën time, por çfarëdo që flisja nuk ishte e qartë”.
Fejzaj e kuptoi në spital se ai nuk mund të lexonte apo të shkruante.
Ai është si Shaqiri në futboll
Pesë muaj kanë kaluar që prej eksperiencës shokuese. Fejzaj qëndron në qendrën stërvitore në Wolfhalden, AR. Këtu ai stërviste fort dikur para dimrit. Njëmbëdhjetë herë medalisti i artë me rrënjë nga Kosova dhe Kroacia, ishte i vendosur të paraqitej në Festivalin e Mundjes dhe Alpeve zvicerane (ESAF).
Që prej vitit 2016 ai e kishte shfaqur më të mirën. Nga ajo kohë, ai e kishte mposhtur nëntë herë fituesin e Kranzfestit, Beat Clopath, dhe kampionin e mundjes, Noldi Forrer, brenda një vikendi. Më pas, Blick e kishte krahasuar me Shaqirin.
Fejzaj nuk e ka pasur karrierën e ndritur si të Shaqirit në futboll. Tri operime në gju ia ndalën hovin. Por asgjë nuk krahasohet me atë që ai e kishte përjetuar më 17 mars të vitit 2025. “Kam mundur të vdes”, thotë ai.

Ka qarë i vetëm në dhomë
Në fillim, ai nuk e kishte kuptuar se sa e rëndë ishte gjendja e tij. Ai kishte menduar se kishte lëndim. Njëri prej kolegëve e kishte përjetuar një situatë të ngjashme. Por që kishte dyshime për sulm, u kuptua vetëm pasi mjeku e kishte këshilluar Fejzajn të shkonte në spitalin “St. Gallen Cantonal”.
Pas pak kohe, mjekët e dhanë diagnozën. “Kjo më goditi fort. Ishte shok i madh për mua”. Por ai nuk e kishte shfaqur këtë para nënës së tij. “Jam bërë i fortë, sepse nuk doja ta shqetësoja atë apo ndonjë tjetër”.
Por kur Fejzaj mbeti i vetëm në dhomë, ai nuk arriti t’i mbante emocionet. “Kam qarë, sepse kisha frikë se do të mbesja nën kujdesin e të tjerëve për gjithë jetën”.
Atij i kujtohet momenti kur ka parë vetëm shkronja, jo fjalë. “Më dukej vetja si fëmijë”.
Shumë durim kur hante dhe pinte
Fakti që ai ishte në gjendje të fliste ngadalë sërish ditën tjetër, i jepte shpresë. Pasi kaloi periudha 48-orëshe, koha kur mund të godasë sulmi i dytë, u shfaq edhe shpirti luftarak i Fejzajt. “Doja të kthehesha në jetën time të dikurshme”. Kjo kërkonte durim – madje edhe gjatë kohës kur hante dhe pinte. “Më dukej sikur e kisha humbur këtë aftësi. Normalisht, unë jam prej më të shpejtëve në këtë”. Por sulmi, po ashtu kishte ndikuar në muskujt e përtypjes, nuk funksionin mirë në fillim.
Operim në zemër për ta ulur rrezikun e sulmit
Përveç familjes dhe shoqërisë, besimi që kishte i dha përkrahje dhe energji gjatë kohës së vështirë. “Gjërat që ndodhën më bënë të kuptoj se edhe dikush tjetër është aty për mua”, shpjegon ai. Falë përkrahjes së madhe, Fejzaj u përmirësua shpejt. Pas tre muajsh, mjekët i thanë atij se rikuperimi ishte shumë i shpejtë. Për ta shmangur rrezikun nga një sulm tjetër, Fejzaj iu nënshtrua operimit në zemër. Mjekët dyshonin se një vrimë në mes zemrës dhe trurit e ka shkaktuar sulmin. Kjo vrimë tash është mbyllur. Rehabilitimi ende nuk është i kompletuar.
ESAF, në mendjen e tij
Fejzaj mund t’i kthehet karrierës, por ende nuk është kthyer plotësisht në gjendjen e mëparshme. “Ende kam pengesë të lehtë në të folur. Gjithashtu, e humb ndjesinë në majat e gishtave”. Ai ende nuk është kthyer në punën e tij si polimekanik, sepse ai mund të koncentrohet vetëm nga dy orë. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam gjallë”. Fejzaj nuk ka bërë të ditur se kur do të garojë sërish. “Do të ketë garë të ESAF-it brenda tre vjetësh. Nuk mund të them më shumë”, thotë ai.