Luftarake

Federata Evropiane për Driton Kukën: “Të ndërtosh Ferrari”

Driton Kuka

(EJU) – Derisa fillon periudha e kualifikimeve për Olimpiadën “Los Angeles 2028”, pak trajnerë e mbajnë peshën e pritshmërive si Driton Kuka. I ulur për një diskutim miqësor në kampin stërvitor olimpik në Mittersill (Austri), njeriu që e udhëhoqi Kosovën drejt pesë medaljeve Olimpike, përfshirë tri të arta, në tri Olimpiada rresht, reflekton për atë se çfarë duhet të bëhet për të mbetur në majë të xhudos ndërkombëtare.

Në pjesën e parë të serisë me tri shkrime, trajneri i Kosovës, Driton Kuka, i njohur si “Toni”, flet haptazi për filozofinë e tij të veçantë të trajnerit, sakrificat pas të artës Olimpike dhe për atë pse ndërtimi i kampionëve nga një shtet i vogël kërkon krijimin e Ferrarit nga e para. 

“Ne, si Kosovë, me bazë të vogël, me numër të vogël të sportistëve, duhet që nga një sportist ta ndërtojmë një Ferrari”, shpjegon Toni, me fjalët që prekin zemrën e filozofisë së tij. “Kështu që është shumë e vështirë për t’i bërë të dyja, jetë normale dhe jetë të sportistit të klasës botërore”.

Kjo metaforë, “ndërtimi i Ferrarit”, përmbledh çdo gjë rreth qasjes që ka Kuka. Është e përpiktë, kërkuese dhe pa kompromis. Por, është po ashtu e vetmja mënyrë që një shtet me më pak se dy milionë banorë të arrijë të qëndrojë përkrah superfuqive të xhudos.

“LA2028”, po vijmë...

Teksa po hyjmë në periudhën e kualifikimit për “LA2028”, Toni është pragmatik në mënyrë karakteristike, për perspektivën e ekipit të tij.

“Për kualifikim, ne kemi tre sportistë të nivelit të lartë që u kualifikuan për Paris”, nis ai. “Po përpiqemi t’i zhvillojmë disa sportistë të rinj që kanë potencial për ta arritur kualifikimin në Olimpiadë. Për momentin po i bëjmë disa eksperimente me disa vajza. Disa prej tyre po zbresin në kategori dhe po ashtu i kemi disa sportistë të rinj që nuk ishin të përfshirë në Lojërat Olimpike në të kaluarën”.

Synimi i tij? Tri deri në pesë norma. “Nëse këta tre, Distria, Laura dhe Akili, janë me shëndet të mirë, kualifikimi Olimpik është i pritshëm. Për më shumë, kemi tre deri në katër sportistë të rinj që mund të jenë në rrugën e kualifikimit për në LA”.

Megjithatë, Toni e di më mirë se kushdo tjetër se cikli Olimpik nuk mund të përsëritet. Metodologjia me të cilën Majlinda Kelmendi e fitoi të artën në Rio 2016 nuk do të funksiononte për Tokio. Dhe qasja në Tokio nuk do të ishte e mjaftueshme për Paris.

“Nëse e krahasoj veten si trajner në Rio, Tokio dhe Paris, mendoj se jam përmirësuar në secilin cikël Olimpik me metoda të reja, xhudo të re dhe qasje të re. Lojërat Olimpike janë periudhë katërvjeçare dhe nuk mund të arrish rezultate të mira duke e përdorur të njëjtën metodologji. Kjo është përvoja ime”.

Është mësim i nxjerrë nëpërmjet evolucionit, përshtatjes dhe angazhimit të konsiderueshëm për të qëndruar një hap para në sport, ku investimi global vazhdon me hapa të shpejtë.

“Lidhja japoneze”

Njëri prej vendimeve më të rëndësishme të Tonit së fundmi ka qenë sjellja e një trajnereje japoneze në ekipin e Kosovës, një zgjedhje e jashtëzakonshme për një trajner që ka ndërtuar reputacionin e tij duke zhvilluar talente vendore.

“Kemi numër të madh të sportistëve të mirë që janë të rinj”, shpjegon ai. “Ajo që shoh në punë dhe në të ardhmen te sportistët e grupmoshës U18 është se ne duhet të përmirësohemi në ‘ne-waza’, dhe kjo është arsyeja pse kam folur me presidentin e Federatës tonë dhe me Ministrinë. Është projekt i përkrahur nga Ministria”.

Ky veprim reflekton gatishmërinë e Tonit për të pranuar zbrazëtitë dhe të kërkojë ndihmën e duhur aty ku është e nevojshme.

“Majlinda dhe trajnerët e tjerë kanë nevojë për eksperiencë dhe dije nga trajnerë japonezë në mënyrë që të përmirësohen në ‘ne-waza’ (luftë në dysheme). ‘Ne-waza’ ishte po ashtu anë e fortë e Nora Gjakovës si sportiste, kështu që mendoj se ekspertiza japoneze dhe ‘ne-waza’ e Norës së bashku, mund ta përmirësojnë gjeneratën e re”.

Është investim strategjik i të ardhmes së Kosovës. Përderisa Toni e ka zotëruar artin e zhvillimit të kampioneve Olimpike, brezi i ardhshëm do të ketë nevojë për mjete dhe njohuri të reja, dhe ndoshta më e rëndësishmja, perspektivë të re.

Maratona para

Menaxhimi i sportistëve përgjatë ciklit kualifikues dyvjeçar është maratonë, jo sprint. Si e mban Toni ekipin e tij të balancuar mendërisht dhe emocionalisht?

“Tani fillojmë. Le të them nga ky kamp stërvitor, ne nisim të mendojmë seriozisht për të gjitha detajet. Është koha për t’i ngrohur motorët e secilit sportist, për t’i vlerësuar mundësitë dhe lëndimet. Ne jemi përballur tashmë me disa probleme dhe mendoj se i gjithë ekipi është i shëndetshëm dhe i gatshëm”.

Megjithatë, është më shumë se përgatitje fizike.

“Tani është koha të mendojmë, të bëjmë një plan me të vërtetë të mirë dhe ta krijojmë një strategji për kualifikimin Olimpik dhe më pas për synimin tonë kryesor: medaljen Olimpike. Tani jemi në janar 2026, dy vjet e gjysmë para Lojërave Olimpike, është koha për të caktuar një rrugë të qartë dhe sistem real të punës për atë që duam të arrijmë”.

Duke vendosur synime të qarta afatgjate, që kërkojnë sinqeritet dhe disiplinë, si dhe punë të vazhdueshme në mentalitetin e sportistëve, Toni siguron që ata të jenë mendërisht të fortë, emocionalisht të balancuar dhe të fokusuar përgjatë rrugëtimit të gjatë kualifikues.

“Synimi im si trajner, është po ashtu të ndërtoj ekip që do t’i përfshijë sportistët më të mirë për Lojërat Olimpike 2032 dhe 2036”.

Filozofia e lindur nga domosdoshmëria

Kur iu kërkua që ta përmbledhë filozofinë si trajner me vetëm një fjali, Toni nuk heziton: “Ndonjëherë u them sportistëve të mos mendojnë shumë sepse do të ndalen. Ata duhet të vazhdojnë sepse nëse je i lodhur dhe mendon në mënyrën e zakonshme, nuk mund t’ia dalësh. Kështu, ndaluni së menduari dhe punoni deri në fund”.

Është filozofi e rrënjosur në realitetin e Kosovës, shtetit të vogël që lufton shumë, ku nuk ka hapësirë për gabime, ku nuk ka dobësi mendore kur shfaqet lodhja fizike.

Si çdo gjë në jetë, kjo filozofi e ka një kosto. Kur pyetet për pjesën më të vështirë të punës së tij që njerëzit nuk e shohin, përgjigja e Tonit është papritur e prekshme.

“Pjesa më e vështirë për mua është menaxhimi i jetës së sportistëve në përgjithësi. Nuk është e lehtë, sidomos me vajzat sepse jeta vazhdon. Ekziston gjithmonë një kufi mes asaj se sa shumë jetë private mund të kenë ato dhe sa shumë mund që ato të jenë të dedikuara për arritje të niveleve të larta”.

Ai pauzon, pesha e fjalëve është e madhe.

“E dini...”, ai pauzon sërish para se të vazhdojë. “Ndonjëherë dua që ta imponoj disiplinën e hekurt por ndonjëherë tjetër ndihem keq sepse po ashtu dua që ata ta përjetojnë jetën në moshë të re. Kjo është e vështirë, sepse ndonjëherë u them gjëra që me të vërtetë nuk i ndjej në shpirt dhe zemër. Në disa raste dua që ata të kenë më shumë nga jeta por në anën tjetër u them, shikoni, ne jemi Kosova, me bazë të vogël dhe numër të vogël të sportistëve, ne duhet ta ndërtojmë ‘Ferrarin’ nga një sportist”.

Çmimi i përsosmërisë

Konflikti i rëndësishëm që e përshkruan Toni është i dukshëm. Ai flet për djem që dëshirojnë të dalin, të pinë, të qëndrojnë natën vonë. Toni e shikon me vëmendje hapësirën dhe thotë: “Ndonjëherë duhet t’i dënoj dhe nuk ndihem mirë për këtë, sepse ndonjëherë mendoj se kjo është normale. Ndonjëherë ata kanë nevojë të jenë të lirë dhe ta shijojnë një natë deri në mëngjes. Por ky është gjithmonë problemi tek unë”, e pranon ai.

Por, si e menaxhon ai këtë? “Kur e mendoj, këto pesë medalje Olimpike më përmbushin. Edhe kur kam dyshime, kthehem dhe i numëroj medaljet dhe them, në rregull, ata mund të kenë humbur diçka, por kanë fituar shumë. Jo vetëm për veten por edhe për ekipin, për mua, për familjet e tyre, dhe më e rëndësishmja, për shtetin e ri që shumë njerëz nuk e dinë as se ku gjendet”.

Ai i referohet ndikimit të rezultateve të Majlindës, që u përcoll nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.

“Kosova e vogël tani është shtet i madh nëpërmjet rezultateve sportive dhe kjo më bën me të vërtetë të lumtur”.

Vendimet që thyejnë zemrat

Kur u pyet nëse ndonjëherë ka marrë vendim që ia ka thyer zemrën, por ka qenë i duhur për sportistin apo ekipin, përgjigja e Tonit ishte e menjëhershme: “Shumë herë..., me të vërtetë, shumë herë. Kam luftuar me veten për këtë pjesë të punës sepse është aspekt psikologjik dhe nuk është e lehtë. Nga fillimi ne kemi punuar si familje dhe nuk kam qenë aty për ta vetëm në xhudo. Shumë herë jam munduar t’u ndihmoj në shkollë, probleme në familje, vështirësi financiare, në përgjithësi në jetë, sponsorë, apo në përkrahje nga Qeveria dhe Komiteti Olimpik. Tani është me të vërtetë e vështirë t’u them gjëra që mendoj se nuk janë të mira për jetë, por për të mirën e karrierës së tyre”.

Toni nuk e di nëse pas shumë vjetësh sportistët e tij do të thonë se ai ka bërë mirë apo keq. “Nuk e di, është gjithmonë një balancim i pozitives dhe negatives, në aspektin disiplinor”.

Pastaj vjen një pranim i jashtëzakonshëm. “Ndoshta do të filloj të shkruaj gjëra, biseda të rëndësishme që i kemi sepse kjo është pjesë shumë e rëndësishme për trajnerët e së ardhmes në 10 apo 15 vjetët e ardhshëm”, thotë ai, i buzëqeshur, me sytë që reflektojnë të kaluarën, derisa shohin shumë larg nga e ardhmja.

Ndërrimi i gjeneratës

Toni e sheh sfidën me të cilën përballen asistentët e tij, në veçanti Majlinda Kelmendi, e cila tani ka kaluar në profesionin e trajneres. “Tani e shoh Majlindën si trajnere të re. Ajo provon të bëhet siç kam qenë unë, por këto gjenerata janë krejtësisht ndryshe. Dhe i them Majlindës, shiko, mos mendo se mund të bësh me sportistët e tu njësoj siç kam bërë unë me ty, Norën dhe Distrinë, sepse koha po fluturon”.

“Gjenerata e luftës”, siç u referohet Toni atyre, ka pasur uri tjetër për suksese, dëshirë ndryshe. “Tani janë krejtësisht gjenerata të reja. Ata duan 90 për qind jetë. Kështu që ne po provojmë të gjemë rrugë të re. Gjithmonë duke provuar rrugë të re”, vazhdon ai. “Tani kam shumë biseda me trajnerë në shtete të nivelit më të lartë ekonomik dhe kërkoj nga ata t’i ndajmë eksperiencat sepse ajo që kam bërë me tri kampionet Olimpike, nuk mund të bëhet më. Duhet ta gjej një rrugë të re”.

Kjo, insiston Toni, është sfidë për ekipin e trajnerëve të tij. “Ata duhet ta kuptojnë se kjo është 50 për qind e performancës. Nëse i menaxhon ata të bëhen fitues në mendjet e tyre, kampionë në kokat e tyre, dhe të jenë në gjendje të lënë çdo gjë tjetër anash për një qëllim të vetëm. Kjo nuk është e lehtë. Të gjithë mund të luajnë me fjalë. Të gjithë do të thonë, ‘po, do të jap 100 për qind’, por ne si trajnerë e ndiejmë. Shumica e tyre e thonë por nuk e bëjnë. Nuk punojnë”.

Zhgënjimi i tij është i dukshëm. “Ndonjëherë u them, ejani, duhet të nisni punën, dhe ata thonë: ‘por unë jam duke punuar’. Jo, kjo nuk është asgjë. Kjo është 30 për qind çfarë ka bërë Majlinda, 30 për qind. Dhe ata thonë: ‘Por, ajo është Majlinda’. Ata duhet ta kujtojnë se edhe ajo ishte njeri. Edhe ajo kishte shumë dhimbje dhe shumë vështirësi gjatë stërvitjeve, por i ka shtrënguar dhëmbët dhe nuk është ndalur asnjëherë”.

Pesha e një shteti

Kosova ka fituar medalje Olimpike në vetëm një sport përgjatë tri edicioneve të Lojërave: xhudo. Dhe të gjitha kanë ardhur nën udhëheqjen e Tonit.

“Nuk është e lehtë”, e pranon ai kur u pyet se çfarë ndjenje është ta mbajë peshën e një shteti të tërë. “Para se të shkojmë në Lojëra Olimpike, ata thanë, ‘oh, nuk ka problem. Atje është Toni me ekipin dhe padyshim se Kosova do të fitojë medalje’. Kjo është shumë e vështirë”.

Megjithatë, ai e ka arritur një pikë pranimi. “Tani që i kam medaljet nga tri edicione të Lojërave Olimpike, jam shumë i kënaqur. Edhe nëse ndodh që të mos fitojmë medalje në Lojërat Olimpike të ardhshme, e di se njerëzit do të thonë ‘uau’, por, kjo është shumë normale”.

Ai i vendos arritjet e Kosovës në perspektivë, duke cituar pritjen 20-vjeçare të Spanjës për medalje Olimpike në xhudo.

“Imagjinojeni Spanjën si shembull, me kaq shumë klube, kaq shumë trajnerë dhe me më shumë se 10 mijë sportistë, dhe duhej të priste katër apo pesë Olimpiada për medalje. Kur i sheh këto gjëra e kupton se sa e vështirë është të fitohet medalje në xhudo”.

Presioni, e pranon ai, është shumë i madh. “Të jesh trajner i ekipit të vetëm që ka fituar medalje Olimpike për shtetin është shumë e vështirë. Më besoni, ka qenë stres i madh për 16 vjet. Tani, ndonjëherë u them trajnerëve të marrin pak stres edhe ata, sepse tashmë jam pak i lodhur nga kjo pritje e vazhdueshme dhe nga kjo që gjithmonë e kam në mendje”.