Luftarake

EJU-ja e merr Kosovën si shembull për suksesin e Evropianit U23

Kampionati Evropian U23 xhudo

Të premten e të shtunën në Chisinau të Moldavisë mbahet Kampionati Evropian U23 në xhudo.

Do të marrin pjesë 308 xhudistë të moshës deri në 23 vjet, nga 37 vende të ndryshme.

Unioni Evropian i Xhudos, që edhe e organizon ngjarjen, ka shkruar për suksesin e Evropianit për seniorët e rinj. Për Evropianin U23, EJU ka shkruar se është “rrugë e dëshmuar drejt lavdisë olimpike”.

Ndër të tjera, EJU ka përmendur tri xhudistet kosovare që para se të fitonin medaljen më të vlefshme në sport, të artën olimpike, kishin fituar të artën në Kampionatin Evropian U23.

“Shumë fitues të mëparshëm kanë arritur sukseset më të mëdha në sport. Xhudistet e gjeneratës së artë të Kosovës, Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, filluan rrugëtimin e tyre me tituj të Evropës U23, përpara se të fitonin medalje olimpike në Rio, Tokio e Paris”, ka shkruar EJU, që ka publikuar fotografinë e Majlinda Kelmendit.

Ajo e fitoi të artën në Evropianin U23 në vitin 2012 në Pragë. Nora Gjakova e fitoi të artën në këtë ngjarje në vitin 2014 në Wroclaw të Polonisë, ndërsa Distria fitoi të arta në vitet 2016 e 2017 dhe të bronzta në vitet 2012 e 2013.

Majlinda Kelmendi është pjesë edhe e Evropianit në Chisinau. Por në cilësinë e trajneres. Ikona e xhudos botërore do të drejtojë Laurinë Gashin, Dardan Cenën e Anes Veselin. Gashi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Cena në kategorinë deri 73 kilogramë, garojnë të premten. Veseli, xhudisti i kategorisë deri 90 kilogramë, në tatami del të shtunën.

Evropiani U23 vlerësohet ngjarje shumë e rëndësishme për xhudistët e rinj, përkatësisht për ata që angazhohen për të dalë nga niveli junior në nivelin e të rriturve. Edhe xhudisteve kosovare u ka shërbyer shumë për këtë qëllim. Por si ngjarje nuk mund të krahasohet me Evropianin e të rriturve e po ashtu me garat Grand Slam.