Luftarake

Distria tregon fshehtësinë e qëndrimit të vazhdueshëm në krye

Distria Krasniqi

Unioni Evropian i Xhudos ia ka kushtuar të mërkurën një shkrim të gjatë Distria Krasniqit. EJU-ja po i prezanton xhudistët evropianë që janë të parët në ranglistën botërore, ndërsa Distria është në mesin e tyre.

Ajo e ka përfunduar vitin si e para në ranglistë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe e dyta prej të gjithë xhudistëve në botë. 

Distria e ka vlerësuar shumë të mirë vitin 2025. Ka veçuar faktin që ka fituar medalje në secilën garë.

“Do të thotë shumë për mua që kam fituar titullin e Evropës për herë të tretë dhe që për herë të parë isha në finale të Botërorit për të rritur”, ka thënë Krasniqi për EJU.

Ajo pranon se në shumë gara nuk ishte në nivelin më të mirë të mundshëm. Por në garat më të rëndësishme ishte në top-formë. Dhe aftësia për të shfaqur më të mirën në momentin më të rëndësishëm e ka veçuar Distrinë gjatë gjithë karrierës.

Autori i shkrimit i ka kushtuar shumë rëndësi faktit që Distria vazhdon të ketë vazhdimësi të sukseseve që nga fillimi i karrierës.

“Mendoj se jam shumë konsistente në punën e madhe. Nuk ka rëndësi nëse fitoj medalje të artë olimpike apo evropiane. Mundohem ta harroj atë dhe të filloj sërish nga fillimi e të jap 100 për qind në çdo garë”, ka thënë Krasniqi.

Garat Grand Prix e Grand Slam, ajo i sheh si test për të parë se në cilin drejtim po shkon puna e bërë. Rëndësinë më të madhe ua kushton Lojërave Olimpike, Kampionateve Botërore dhe Evropiane.

“Së bashku me trajnerin Driton Kuka analizojmë luftërat e mia dhe gjithnjë gjejmë detaje që mund t’i përmirësojmë, në mënyrë që në garat e mëdha të jemi më të mirë”, ka shtuar Distria Krasniqi.

Ajo ka lëvizur me sukses nga kategoria 52 kilogramë në atë deri në 48 kilogramë e më pas edhe në drejtimin e kundërt. Ka treguar se kjo nuk ishte e lehtë, por që megjithatë ia doli.

Ajo ka treguar se nuk ndikohet nga presioni.

“Nuk i marr garat ndërkombëtare me presion. Unë i shijoj ato”, thotë “Disi”. 

“Më pëlqen ndjenja e garës. Po të ishte e mundur, do të garoja çdo javë”.

Si zakonisht, merita të mëdha për sukses Distria i ka dhënë trajnerit Kuka.

“I besoj trajnerit tim, Kuka, programeve të tij të stërvitjes dhe planifikimit të tij. Po ashtu i besoj vetes dhe aftësisë për të fituar medalje të mëdha”, thotë xhudistja pejane.

Titulli i botës për juniore në vitin 2015 ishte pikë kthese në karrierën e Distrisë. Ajo prej atij momenti ka besuar në aftësitë personale. Dhe nisi të mendojë për medaljen e artë olimpike. Por për Distrinë secila medalje ka tregimin e saj dhe është e veçantë.

Para medaljeve olimpike ajo në të dy rastet kishte fituar medalje evropiane. Këtë vit të artën evropiane e fitoi në Podgoricë, ndërsa ajo medalje i tregoi që nuk do të ndalet.

Ajo ka treguar se si Kosova është shndërruar në superfuqi të xhudos. Ka përmendur punën e trajnerit Kuka, përkushtimin e tij.

Distria ka besim në gjeneratën e re të xhudistëve kosovarë. Këshilla e saj për të rinjtë është që të jenë të fortë dhe të punojnë shumë. Sipas saj, puna e madhe gjithnjë shpërblehet.

Për 30-vjeçaren është e rëndësishme që ajo të jetë e kënaqur me paraqitjet dhe trajneri Kuka të jetë i kënaqur. 

Distria nuk e ka ndërmend t’i japë fund karrierës në xhudo. Por e di që edhe pasi të përfundojë karrierën si xhudiste, do të jetë në këtë sport.