Distria Krasniqi ka vazhduar dominimin e plotë ndaj hungarezes Reka Pupp, për të fituar tjetër medalje të artë në garat e rëndësishme të xhudos.
Të premten, Distria u shpall kampione në garën Grand Prix në Zagreb. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë xhudistja kosovare e mposhti hungarezen Pupp. Ndaj saj tani ka dhjetë fitore e vetëm një humbje.
Prej fillimit tw finales, Distria e kishte kontrollin e plotw. Pas 2 minuta e 26 sekonda luftw, Distria realizoi aksion të bukur për “Ippon”.
Për Distrinë është e arta e tetë në garat e nivelit Grand Prix. Por 29-vjeçarja për herë të parë ka fituar të artën në Grand Prix të Zagrebit. Në vitin 2016 dhe në vitin 2022 kishte fituar të argjendtë, ndërsa në vitin 2015 të bronztë.
E arta në garat Grand Prix siguron 700 pikë në ranglistën botërore.
Distria Krasniqi ishte bartëse e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Nisi në raundin e dytë me fitore për 22 sekonda ndaj brazilianes Amanda Lima. Për 2 minuta e 15 sekonda e mposhti francezen Bandine Pont. Ndërkohë për 2 minuta e 3 sekonda në gjysmëfinale e mposhti italianen Gaia Stella. Të tri fitoret rrugës për në finale, Distria i arriti me “Ippon”.
Fituesja e dy medaljeve olimpike, Krasniqi, ka katër gara të mëdha këtë vit. Natyrisht edhe katër medalje.
Nisi me të bronztë në Grand Slam të Parisit, në fillim të shkurtit. Vazhdoi me të argjendtë në Grand Prix të Austrisë në mars. Në Evropianin për seniorë në Podgoricë fitoi të artën, më 23 prill. Ndërkohë fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Botëror, më 13 qershor në Budapest.
Më 28 nëntor Distria garon në Grand Slam të Abu Dabit dhe do të kërkojë tjetër medalje të artë.