Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës, nëpërmjet një konference për media të organizuar në Lipjan, ka akuzuar subjektet e mëdha politike dhe kandidatët për asamble komunale me arsyetim se po shantazhojnë dhe po i ofrojnë para komunitetit ashkali në këmbim të votave.
Gëzim Gashi, zëdhënës i PDAK-së në nivel të vendit, me këtë rast ka thënë se komuniteti ashkali më së shumti po shantazhohet në Lipjan nga subjektet tjera.
“Është e pa pranueshme për Partin Demokratike të Ashkalive të Kosovës, veprimet e partive të mëdha, të cilat u janë vërsul Komunitetit Ashakli në Kosovë e, në veçanti në Komunën e Lipjanit. Jemi në shekullin XXI dhe partitë e mëdha politike po veprojnë sikur të ishin parti “Komuniste”. Jemi në terren dhe jemi në fushat, ndërkohë kemi hasur në shumë lokacione ku banojnë komuniteti Ashkali, andaj shumë simpatizant të PDAK-së janë ankuare se partitë e mëdha u janë vërsulur edhe skamnorëve duke iu ofruar para në këmbim të votave”, ka akuzuar Gashi.
Sipas tij, subjektet politike në Kosovë dhe në veçanti në Lipjan duhet të kenë kujdes se blerja e votës është vepër penale dhe do të paraqesin në prokurori secilin rast, prandaj ka ftuar edhe qytetarët e komunitetit Ashkali t’i denoncojnë këto raste sepse në këtë mënyrë varfëria e tyre do të vazhdoi edhe për katër vjetët e ardhshme.
Ndërkaq, Limon Ramadani, anëtar i kryesisë së PDAK-së në Lipjan, njëherësh, Kryetar i Këshillit Kombëtar në nivel qendror, me këtë rast ka thënë se do t’i denoncojnë rastet e tilla nëse subjektet politike vazhdojnë t’i shantazhojnë qytetarët e komunitetit Ashkali.
“Kërkoj nga komuniteti ashkali që mos të bien pre e këtyre shantazheve sepse qëllimi i subjekteve politike dhe individëve është vetëm interesi personal që ta marrin pushtetin. Ndërsa PDAK-ja është parti e cila në këto zgjedhje dëshiron që ta kthej fillimisht përfaqësimin dinjitoz të Komunitetit Ashkali e në veçanti përmirësimin e jetës socio-ekonomike dhe barazi qytetare”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se subjekti i tyre po forcohet vazhdimisht me prurje të reja me kuadro profesionale. “Ne vazhdimisht po forcohemi, kemi prurje te reja në PDAK, kurse brenda një kohe të shkurtët pritet edhe zyrtarizimi i koalicioneve me ndonjë subjekt. Pra, një pjesë e qytetarëve të komunitetit Ashkali duhet ta kenë të qartë që mos të shantazhohen dhe mos ta shesin votën sepse ata brenda një kohe të shkurtët i shpenzojnë ato para dhe do të mbesin sërish të varfër për katër vitet e ardhshme”, ka shtuar Ramadani.