Lokalet 2021

LDK-ja në Shtime ende pa qëndrim lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm

Zgjedhjet e 17 tetorit në Komunën e Shtimes kanë çuar në balotazh kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Qemajl Aliu me 45.10 për qind të votave dhe Naim Ismajli nga PDK-ja me 44.64 për qind të votave.

Ndërkaq, Bedri Zeqiri nga LDK-ja siguroi 10.26 për qind të votave, por ky i fundit së bashku me kryesinë e LDK-së ende nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë marrëveshje koalicioni me ndonjë subjekt për balotazh.

Gjatë ditës janë publikuar fotografi ku shihen Aliu e Zeqiri në një kafene të qytetit, por deklaratat e Aliut i ka mohuar vet Zeqiri.

Aliu në një postim në rrjetin social gjatë ditës pas publikimit të një fotografie ka thënë se “Stuhia e fitores së 17 Tetorit do të bëhet Uragan me 14 Nëntor”.

Koha ka kontaktuar me kandidatin nga LDK-ja Bedri Zeqiri i cili ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare me asnjë subjekt për koalicion.

“Ka qenë një foto të rasti me kandidatin e LVV-së dhe me qytetarë por nuk ka të bëj me koalicion, po ua them me sinqeritetin më të madh. Aty kemi qen në kafe edhe me njerëz të tjer që nuk janë në struktura, pra koalicionet nuk bëhen në kafe. Këtu vendos kryesia dhe niveli qendror, unë kam pasur takim edhe me Naim Ismajlin dhe nesër mund të vije një fotografi edhe me atë, por nuk ka të bëj ende me ndonjë koalicion. Pra të gjithë jemi shtimjan, jemi vend i vogël dhe takohemi për çdo ditë”, ka thënë ai.

Sipas tij, të enjten kryesia e LDK-së do ta mban një mbledhje dhe do të publikon zyrtarisht vendimin e tyre rreth kësaj çështje.