Lifestyle

Vaksinimet për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës kanë rënë ndjeshëm në Britani

vaksina

Vaksina

Shkaku: besimi i ulët, mungesa e lehtësisë për t’u vaksinuar dhe pakujdesia në rritje

Dikur vaksinimi kund HPV-së (Human Papiloma Virus) ishte një histori suksesi, por sot po përballet me rënie të ndjeshme, ka raportuar Economist. 

Në Britani, HPV-ja shkakton rreth 3,500 raste të kancerit të qafës së mitrës çdo vit dhe 900 vdekje. 
Vaksina kundër HPV-së u jepet fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç, përpara se ata të bëhen seksualisht aktivë. Deri në vitin 2017, 90 për qind e vajzave e merrnin vaksinën; sot ky nivel ka rënë në 74 për qind, një shifër e krahasueshme me Sierra Leonen. Për djemtë, që e kanë vaksinën prej pesë vjetësh, përqindja ka rënë në 69 për qind. Në disa zona, si Luton dhe Leicester, vaksinohet më pak se gjysma e fëmijëve.

Rënia është e dukshme në të gjitha programet e vaksinimit të fëmijëve, por më e theksuara është tek HPV-ja.

Studimet janë të qarta: një hulumtim që u bë në Skoci në vitin 2024 nuk gjeti asnjë rast të HPV-së kancerogjen tek gratë që u vaksinuan një dekadë më parë. Institucionet shëndetësore në Britani synojnë ta eliminojnë kancerin e qafës së mitrës deri në vitin 2040, por duhet të arrijë 90 për qind mbulim vaksinimi deri në 2030. 

Për këtë, duhet t’i adresojnë “tri shkaqet e hezitimit ndaj vaksinës: besimi, lehtësia e qasjes dhe pakujdesia”

Besimi te vaksinat u lëkund gjatë pandemisë së Covid-19. Sipas, “Vaccine Confidence Project”, gjatë pandemisë ra ndjeshëm numri i atyre që besonin se vaksinat janë të sigurta, dhe rënia ishte veçanërisht e madhe në Britani. Sondazhet e fundit tregojnë se besimi po rikuperohet, 85 për qind e britanikëve mendojnë se vaksinat janë të sigurta në përgjithësi, por kur pyeten specifikisht për vaksinën HPV, kjo shifër bie në 74 për qind.

Shkaku kryesor po konsiderohet të jetë dezinformomi

Prindër që janë kundër vaksinave pretendojnë se HPV shkakton probleme si “dështimi i vezoreve”.
Në vitin 2019, Robert F. Kennedy Jr., sot Sekretar i Shëndetësisë në SHBA, e quajti “vaksina më e rrezikshme e shpikur ndonjëherë”. 

Autoritetet britanike të shëndetit (UKHSA) kanë theksuar se “nuk ka më shumë raste të këtyre problemeve sesa do të ndodhnin natyrshëm tek adoleshentet” dhe se efektet anësore janë të ngjashme me çdo vaksinë tjetër.

Një faktor tjetër është mungesa e lehtësisë në qasje ndaj vaksinave

Vaksina jepet në shkolla, por prindërit duhet të nënshkruajnë një formular. 

Shpesh formularët nuk kthehen jo nga kundërshtimi, por nga harresa apo mosorganizimi. 

UKHSA propozon që adoleshentët të mund të japin vetëpëlqimin, nëse infermierja vlerëson se janë mjaftueshëm të pjekur, por vetëm 1 në 5 adoleshentë mendojnë se duhet të vendosin vetë, shifër që rritet në 1 në 3 në moshën 16 vjeç.

Frika kulturore ka gjithashtu

“Disa komunitete mendojnë se vaksina është e panevojshme sepse fëmijët e tyre do të kenë vetëm një partner gjatë jetës”, ka thënë Tehseen Khan, mjek në Londër.

Megjithëse nuk ka prova se vaksina ndryshon sjelljen seksuale, disa prindër frikësohen se ajo “mund të nxisë shthurje”.

Edhe pakujdesia ndikon

“Prindërit shpesh pyesin: pse duhet ta vaksinoj fëmijën tim që ende nuk është seksualisht aktiv kundër diçkaje që mund të ndodhë pas 20 ose 30 vjetësh?”, ka treguar Helen Bedford nga University College në Londër.

Sipas ekspertëve, kur vaksinat bëjnë punën e tyre dhe sëmundjet bëhen të rralla, prindërit ndihen më pak të shqetësuar.

Institucionet shëndetësore në Britani kanë nisur një fushatë për të vaksinuar rreth 400,000 gra nën 25 vjeç që nuk e morën vaksinën në shkollë. 

Por, ekspertët thonë se nuk mjafton vetëm shkenca.

“Në këtë fazë, harroni shkencën,  gjithçka ka të bëjë me marketingun”, ka thënë Margaret Stanley nga Universiteti i Cambridge, e cila ka ndihmuar në zhvillimin e vaksinës HPV.