Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Vaksina kundër Covidit gjatë shtatzënisë mbron fëmijën në muajt e parë të jetës

Bebet e posalindura

Bebet e posalindura

Një studim i madh i ri ka konfirmuar se vaksina kundër Covid-19 gjatë shtatzënisë mund t'i mbrojë foshnjat në muajt e parë të jetës, një periudhë kur ato janë veçanërisht të rrezikuara, ka raportuar NPR News.

Foshnjat nën 6 muaj vazhdojnë të kenë ndër normat më të larta të shtrimit në spital nga Covid-19, por për këtë grupmoshë ende nuk ka vaksinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këtë arsye, American College of Obstetricians and Gynecologists rekomandon vaksinimin gjatë shtatzënisë.

“Ka shumë studime që tregojnë se një nga përfitimet e vaksinimit gjatë shtatzënisë është kalimi i antitrupave te i porsalinduri, gjë që e mbron atë nga Covid-19”, ka thënë Kevin Ault, profesor në një universitet amerikan.

Studimi, i publikuar në Pediatrics, ka analizuar mbi 140 mijë foshnja dhe përforcon këtë përfundim.

Rezultatet e studimit:

-Foshnjat e nënave të vaksinuara kishin rreth 50 për qind më pak gjasa të përfundonin në spital nga Covidi në 2 muajt e parë të jetës

-Në moshën 3-5 muaj, rreziku ishte 24 për qind më i ulët

-Mbrojtja zvogëlohet pas muajit të gjashtë

Po ashtu, studimi nuk gjeti asnjë rritje të rrezikut për infeksione të tjera te fëmijët e nënave të vaksinuara.

“Gjetëm se vaksinimi gjatë shtatzënisë mbron foshnjën nga Covidi dhe nuk ka asnjë efekt të dukshëm në infeksione të tjera”, ka thënë autorja kryesore, Helena Niemi Eide nga Universiteti i Oslos.

Studiuesit në Norvegji ndoqën 146,031 fëmijë të lindur mes viteve 2020 dhe 2023 dhe analizuan të dhënat e tyre shëndetësore deri në dy vjet pas lindjes.

-Rreth 1 në 4 nëna ishte vaksinuar gjatë shtatzënisë

-Foshnjat e ekspozuara ndaj vaksinës në barkun e nënës nuk kishin më shumë vizita në spital për infeksione të përgjithshme

-Një rritje e vogël (rreth 5 për qind) në vizitat te mjeku u shpjegua me faktin që nënat e vaksinuara janë zakonisht më të kujdesshme dhe e çojnë më shpesh fëmijën për kontroll

“Nëse je më e prirur të vaksinohesh gjatë shtatzënisë, ka shumë gjasa që të jesh edhe më e kujdesshme dhe ta çosh foshnjën më shpesh te mjeku. Nuk ka një shpjegim biologjik për këtë ndryshim”, ka shpjeguar Ault.

Pediatri nga SHBA-ja Thomas Nguyen ka thënë se ky studim konfirmon se rekomandimet për vaksinimin gjatë shtatzënisë kanë qenë të drejta.

“Është e rëndësishme të dimë që foshnjat mbrohen para se të jenë mjaftueshëm të rritura për t’u vaksinuar vetë”, ka thënë Nguyen.

Studime të mëparshme kanë treguar se foshnjat nën 6 muaj kanë norma hospitalizimi të ngjashme me personat 65-74 vjeç, dhe rreth 1 në 5 foshnja të shtruara përfundojnë në kujdes intensiv.

Studimi gjithashtu kundërshton pretendimet se vaksina mund të dobësojë sistemin imunitar.

“Nëse këto pretendime do të ishin të vërteta, do të shihnim më shumë infeksione te foshnjat e nënave të vaksinuara. Por kjo nuk ndodhi”, ka thënë Nguyen.

Këto pretendime janë bërë edhe nga Robert Malone, i emëruar në një komitet për politikat e vaksinave nga Robert F. Kennedy Jr..

Megjithatë, një gjykatë federale ka vendosur se emërimi i tij nuk ishte i vlefshëm ligjërisht.

Neime Eide ka thënë se ky studim i gjerë dhe i pavarur është i financuar nga institucione publike në Norvegji, dhe se është pjesë e një bashkëpunimi për një studim më të madh për vaksinimin kundër Covidit gjatë shtatzënisë.