Harro të kuqen e qershisë a vishnjës: këtë sezon festash, nuanca perfekte e ngjyrës së kuqe për thonjtë e buzët është e kuqja “tullë”.
Prestigjiozja Vogue ka shkruar se mes dhjetëra nuancave të kuqe që shohim në sallonet e thonjve, nga “Volcano” te “Ruby Port” apo “Showgirl”, një ngjyrë po del në pah si zgjedhja më elegante e momentit: “brick red”, ose e kuqja në nuancë tulle.
Një prekje e ngjyrës së kuqe është gjithmonë një truk i sigurt bukurie për t’u dukur e rregulluar pa bërë shumë përpjekje, qoftë me buzëkuq, grim për faqe apo llak thonjsh.
Me ardhjen e motit të ftohtë dhe veshjeve më të ngrohta, paleta e ngjyrave bëhet më e thellë, sidomos për thonjtë.
Këtë sezon festash, në vend të të kuqes klasike qershi, rubin apo vishnje, ekspertët sugjerojnë një alternativë më moderne, thonj me ngjyrë tulle.
Kjo nuancë e thellë dhe tokësore e së kuqes është njëkohësisht klasike dhe e freskët. Ajo është parë së fundmi në thonjtë e artistes së njohur Selena Gomez, një nga referencat më të dashura për llakun e thonjve, realizuar nga artisti i saj i besuar, Tom Bachik.
Vetë Bachik e ka quajtur këtë stil “manikyri ‘Brickhouse’ ”, një emër që të kujton diçka si shtëpitë klasike me tulla të kuqe, me nënnuanca të të portokalltës dhe terrakotës.
Është zgjedhja ideale për ata që duan të rifreskojnë stilin e manikyrit pa u larguar shumë nga ngjyrat tipike të sezonit.
Jo aq dominuese sa e kuqja qershi apo rubin, kjo nuancë përshtatet në mënyrë perfekte me atmosferën e ngrohtë të festave, duke shkuar bukur edhe me xhemperë të gjelbër, të kaltër apo krem, por edhe duke i dhënë karakter një fustani të zi klasik.
Për të arritur këtë pamje, Tom Bachik ka theksuar se mirëmbajtja është thelbësore dhe këshillon që të përfundohet me llak të tejdukshëm, për më shumë shkëlqim.
E kuqja “tullë” funksionon si për thonj të gjatë, ashtu edhe për ata të shkurtër.
Në vitin 2025, Selena Gomez e ka zgjedhur këtë ngjyrë në një gjatësi mesatare, ndërsa në vitin 2024 kishte preferuar një formë më të zgjatur me një nuancë të ngjashme. Me një shtresë të sipërme pak shkëlqim, llaku jo vetëm që duket elegant, por edhe zgjat më shumë, potencialisht deri në vitin 2026.
E kuqja tullë nuk po dominon vetëm thonjtë, por edhe grimin.
Yjet e njohur televiziv si Gwyneth Paltrow, Kendall Jenner dhe Jennifer Lawrence janë parë me buzëkuq në këtë nuancë më të zbutur, por shumë elegante.
Lawrence, me grim nga srtisti Georgie Eisdell, zgjodhi këtë nuancë për ta përfunduar grimin, njëjtë si Jenner. Edhe artiste si Jessie Buckley e Margot Robbie janë fanse të “tullës”.