Çmimi po rritet për shkak të kërkesës, të nxehtit ekstrem dhe tarifave tregtare
Çaji japonez me ngjyrë të gjelbër, i njohur si matcha, tani gjendet gjithandej: nga kafet me qumësht deri te ëmbëlsirat.

BBC ka shkruar se kjo çmenduri globale po shtyhet nga rrjetet sociale, ku influencerët ndajnë receta, truket për përgatitje dhe rishikime. Hashtagu “MatchaTok” në TikTok ka mbledhur dhjetëra-miliona shikime.
Sipas analizave, popullariteti i matchas është ndikuar edhe nga turizmi në rritje në Japoni pas pandemisë dhe kursi i dobët i valutës së Japonisë ¥ (jeni) që ka shtuar kërkesën për produktet japoneze.
Çmimi i famës: kërkesë e lartë, prodhim i vështirë

Teksa kërkesa rritet me ritme të shpejta, furnizimi me matcha po has në vështirësi.
“Dikur furnizim mujor, tani mbaron për pak ditë. Disa kafene kërkojnë deri në një kilogram në ditë, janë të dëshpëruara që të përballojnë kërkesën”, ka treguar për BBC-në Lauren Purvis, importuese e çajit dhe themeluese e Mizuba Tea Co. në SHBA.
Por ky interes i madh vjen në një kohë jo të përshtatshme për prodhuesit. Valët rekord të të nxehtit po ndikojnë negativisht në të korrat në Japoni. Në rajonin e Kyotos, që prodhon 25 për qind të gjetheve tencha (baza për matchan), moti i nxehtë po sjell prodhime të dobëta.
Kjo nuk është e vetmja sfidë. Japonia gjithashtu po përballet me mungesë fermerësh për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së të rinjve në këtë sektor.
Në qytetin Uji, të njohur për matchan, raftet e sapombushura, boshatisen nga turistët, menjëherë pas hapjes së dyerve të dyqaneve.
Për këtë arsye, shumë shitës kanë vendosur kufizime për blerjen e matchas. Në një ceremoni çaji në Kyoto, e quajtur Camellia Tea Ceremony, çdo klient lejohet të blejë vetëm një kuti. Vizitat janë dyfishuar gjatë vitit të fundit, tregon drejtoresha Atsuko Mori.
“Matcha është klasa më e lartë e çajit dhe shumë e veçantë për ne. Ndaj është pak e trishtueshme ta shohim duke u përdorur në gatime, ku shija e saj delikate humbet”, ka shtuar Mori.
Traditë që po komercializohet

Matcha prodhohet nga gjethet tencha, të cilat ruhen nën hije për disa javë për të zhvilluar shijen karakteristike umami (e shijshme dhe pak e ëmbël). Pastaj thahen dhe bluhen me gurë, një proces që prodhon vetëm 40 gram në orë.
Por tashmë, rritja e kërkesës po e çon këtë produkt në duart e konsumatorëve që nuk e njohin historinë apo rëndësinë e tij.
“Kjo kërkesë është pozitive. Është një mënyrë për më shumë njerëz që të njihen me kulturën japoneze”, ka thënë mjeshtrja e çajit Rie Takeda, nga rrjeti Chazen në Tokio.
Në të njëjtën kohë, mungesat kanë çuar në rritje të çmimeve deri në 30 per qind në dyqanet ku ajo punon.
Çmimet rriten edhe më shumë, për faj të tarifave amerikane

Një tjetër goditje për çajin japonez është marrëveshja tregtare mes SHBA-së dhe Japonisë, që vendos taksa 15 për qind për produktet japoneze, përfshirë edhe matchan.
“Në SHBA nuk prodhohet çaj japonez, kështu që nuk ka industri për t’u mbrojtur. Shpresojmë që çajet e veçantë të përjashtohen nga këto tarifa”, ka thënë Purvis.
Vetëm në fillim të korrikut, porositë në kompaninë e saj u rritën me 70 për qind, pasi klientët nxituan të blinin përpara hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
A po e përdoret matcha me respektin e duhur?

Ndërkohë, është duke u formuar një lëvizje për përdorim më të kujdesshëm të matchas.
Shoqata Globale e Çajit Japonez po inkurajon përdorimin e matchas së cilësisë së ulët për gatime, pasi është më e bollshme dhe më pak e ndjeshme ndaj përpunimit.
“Promovimi i këtij dallimi ndihmon që çaji japonez të konsumohet me respekt, duke ruajtur zanatin dhe traditën që e sjell në jetë”, ka deklaruar shoqata.
Edhe pse çmimet janë në rritje dhe furnizimi i kufizuar, disa ekspertë besojnë se kjo çmenduri mund të bjerë pas disa vitesh.
“Matcha me cilësi të dobët sot shitet me çmim të lartë. Por kjo nuk do të zgjasë. Ka një bum për momentin, por mendojmë se do të qetësohet për 2-3 vjet”, ka thënë Masahiro Nagata, bashkëthemelues i zinxhirit Matcha Tokyo.