Lifestyle

Skleroza multiple mund të nisë dëmtimin e trurit shtatë vjet para shfaqjes së simptomave

Truri

Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko (UCSF) kanë zbuluar se skleroza multiple (MS) mund të fillojë ta dëmtojë trurin deri në shtatë vjet përpara se të shfaqen simptomat e saj.

Ky zbulim mund të hapë rrugën për analiza gjaku që e zbulojnë sëmundjen herët, madje edhe para se pacientët ta kuptojnë se janë prekur.

Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje që shkakton dëmtimin e mbështjellëses mbrojtëse të nervave. Kjo sëmundje mund të shkaktojë mpirje, dobësi, vështirësi në ecje, ndryshime në shikim dhe simptoma të tjera.

Duke analizuar më shumë se 5.000 proteina në gjak, studiuesit zbuluan shenja të hershme të dëmtimit të mielinës, shtresa mbrojtëse që rrethon fibrat nervore, ka raportuar NeuroScience News.

Studimi ka treguar se sistemi imunitar fillimisht sulmon mielinën dhe një vit më vonë dëmton edhe vetë fibrat nervore.

Një nga proteinat kryesore që sinjalizon këtë proces është IL-3, e cila aktivizon qelizat imunitare dhe i dërgon ato drejt trurit dhe palcës kurrizore, ku fillojnë sulmin ndaj nervave.

“Ne besojmë se puna jonë hap mundësi të shumta për diagnostikimin, monitorimin dhe ndoshta trajtimin e MS-së. Kjo mund të jetë një pikë kthese në mënyrën si e kuptojmë dhe e menaxhojmë këtë sëmundje”, ka thënë doktori Ahmed Abdelhak, profesor i neurologjisë në UCSF dhe autor kryesor i studimit, që u botu më 20 tetor në Nature Medicine.

Studiuesit kanë analizuar mostrat e gjakut të 134 personave me MS, të mbledhura si para ashtu edhe pas diagnostikimit. Mostrat ishin ruajtur në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, që arkivon mostra nga ushtarët në momentin e regjistrimit të tyre. Kjo u mundësoi studiuesve të krahasonin ndryshimet në gjak shumë vite përpara diagnozës.

Ata kanë zbuluar se shtatë vjet përpara se një person të diagnostikohej me MS, kishte rritje të proteinës MOG (myelin oligodendrocyte glycoprotein), shenjë e qartë e dëmtimit të mielinës.

Një vit më vonë, u rrit edhe një tjetër proteinë, neurofilament light chain, që tregon dëmtim të vetë fibrave nervore.

Gjatë kësaj kohe, në gjak u shfaqën edhe proteina si IL-3, që tregojnë aktivizim të sistemit imunitar dhe inflamacion në tru.

Në total, studiuesit identifikuan rreth 50 proteina që mund të paralajmërojnë zhvillimin e MS-së dhe kanë aplikuar për leje për të bërë një test gjaku bazuar në 21 prej tyre.

“Tani e dimë se skleroza multiple fillon shumë më herët se sa shfaqen simptomat. Kjo krijon mundësinë reale që një ditë të mund ta parandalojmë sëmundjen, ose të paktën të mbrojmë njerëzit nga dëmtimet e mëtejshme”, ka thënë doktori Ari Green, shef i divizionit të Neuroimunologjisë në UCSF dhe autor i studimit.