Lifestyle

Si u shfaqën stolitë e vjedhura nga muzeu i Louvrit në javën e modës Couture në Paris?

aktorja Teyana Taylor

aktorja Teyana Taylor

Drejtori kreativ i brendit të njohur, “Schiaparelli”, Daniel Roseberry, ka shndërruar një ngjarje reale, vjedhjen e bizhuterive nga Muzeu i Louvrit, në një moment spektakolar të modës gjatë Javës së Modës Haute Couture në Paris.

Roseberry ka rikrijuar stolitë e vjetra të njohura si “vintage” të “Schiaparellit” nga vitet ’30, ’40 dhe ’50, por edhe stolitë e famshme të vjedhura nga muzeu i Louvrit në Paris në muajin tetor të vitit 2025.

“Isha duke shkuar në shtëpi pas punës kur ndodhi vjedhja dhe mendova: pse të mos i riimagjinojmë bizhuteritë e Louvrit?”, ka treguar ai.

Në koleksion shfaqen diadema me perla dhe diamante të Perandoreshës Eugénie, të rikrijuara në versione edhe më tredimensionale dhe madhështore.

“I bëmë edhe më skulpturore”, ka thënë ai.

Këto bizhuteri, të quajtura “heist jewels”, u veshën edhe nga aktorja Teyana Taylor, që është edhe ylli i ballinës së “Vanity Fair Winter 2026”, duke e bërë koleksionin viral që në momentin e parë.

Pak para shfaqjes së koleksionit të tij në Petit Palais, ai ka pritur prestigjiozen Vanity Fair në një provë veshjeje, duke paralajmëruar se ky koleksion ishte ndryshe nga çdo gjë që shtëpia ka prezantuar së fundmi.

“Nuk kemi treguar diçka të tillë prej kohësh. Por ishte koha të bëheshim pak si pallua”, ka thënë Roseberry.

Në atelierin e “Schiaparellit”, me pamje nga Place Vendôme, disenjatori amerikan ka shpjeguar një nga krijimet më të veçanta të koleksionit: një fund i zi i ngushtë dhe një bluzë në ngjyrë lëkure, e zbukuruar me lule, por me një bisht në formë akrepi që ngrihet nga beli e lartë dhe qëndron mbi kokën e modeles.

“Është si ajo që një fëmijë tetëvjeçar do ta imagjinonte”, ka thënë ai, duke e quajtur veshjen “Infanta Terrible”, një kombinim mes një princeshe spanjolle dhe një personazhi lozonjar e rebel.

Sipas tij, pamja është surrealiste, por njëkohësisht përfaqëson qindra vite mjeshtëri të modës se lartë.

“Kjo është alkimia e ‘Schiaparellit’: sofistikimi maksimal i teknikës dhe imagjinata pa kufij,” ka shtuar Roseberry.

Bishtin e veshjes e përforcon një strukturë metalike e krijuar nga anëtari i fundit i gjallë i shkollës së skulptorit Claude Lalanne.

“Ai ka ndihmuar edhe në krijimin e hipopotamit të famshëm”, ka thënë Roseberry me krenari.

Disenjatori ka pranuar se ky koleksion është shumë personal për të.

“Fëmija brenda meje nuk ka qenë kurrë më parë më i lidhur me një koleksion sesa me këtë”, ka thënë ai.

Roseberry është kthyer në një nga disenjatorët më të njohur të coutures për brezat e rinj, falë krijimeve të tij virale të veshura nga emra të famshëm të showbizit si Doja Cat apo Kylie Jenner.

Pas disa sezonesh që ka shfaqur veshje më të përmbajtura, këtë herë ai ka vendosur të kthehet te tepria dhe loja kreative.

“Sezonet e fundit kanë qenë të disiplinuara dhe të kontrolluara. Këtë herë doja të argëtohesha dhe të tregoja pak më shumë”, ka thënë ai.

Frymëzimi, sipas tij, ka ardhur edhe nga situata aktuale në industrinë e modës, e mbushur me emërime të reja dhe zhurmë mediatike.

“Sa më shumë zhurmë ka, aq më shumë ndjej leje të jem vetvetja”, ka thënë Roseberry.

Në koleksion, ai ka kërkuar t’u përgjigjet dy pyetjeve:

1 “Si duket zemërimi kur shndërrohet në bukuri?” dhe

2 “Si duket gëzimi dhe nga buron ai?”

“Ka shumë arsye për t’u zemëruar sot, mjafton të shikosh lajmet. Unë doja ta ktheja këtë ndjenjë në diçka frymëzuese”, ka thënë ai.

Koleksioni nis me forma më rigoroze dhe kalon gradualisht drejt ngjyrave dhe elementeve më të lira. 

“Zvarranikët bëhen zogj, e zeza dhe e bardha shndërrohen në ngjyra”, ka shpjeguar ai.

Një nga elementet kryesore të këtij koleksioni janë edhe këpucët, me maja në forma të kokave të gjarpërinjve dhe zogjve.

“Nuk ka asgjë reale, gjithçka është krijuar me artizanat”, ka theksuar Roseberry.