Personat me diabet të tipit 2 mund të përmirësojnë nivelin e sheqerit në gjak duke bërë diçka shumë të thjeshtë: duke kaluar disa orë në ditë pranë një dritareje me dritë natyrale.
Kështu ka treguar studimi i publikuar në revistën shkencore Cell Metabolism, ku shkencëtarët kanë zbuluar se drita natyrale e ditës ndihmon në ruajtjen e niveleve më të shëndetshme sheqerit në gjak, ka raportuar MedicalXPress.
Drita e ditës dihet se përmirëson humorin dhe ka përfitime të shumta për shëndetin.
Megjithatë, studiuesit kanë bërë të ditur se njerëzit në shoqëritë perëndimore kalojnë rreth 80 -90 për qind të kohës brenda ambienteve të mbyllura, nën dritë artificiale, e cila nuk është aq e fortë apo dinamike sa drita e diellit.
Kjo ka rëndësi të madhe sepse trupi i njeriut funksionon sipas ritmeve cirkadiane, orë të brendshme 24-orëshe që rregullojnë procese jetike si tretja e ushqimit dhe temperatura e trupit. Këto ritme sinkronizohen nga drita, dhe mungesa e dritës natyrale konsiderohet faktor rreziku për diabetin e tipit 2.
Studime të mëparshme kanë treguar se drita artificiale gjatë natës i çrregullon këto ritme, ndërsa ekspozimi në dritë natyrale jashtë përmirëson reagimin e trupit ndaj insulinës, hormonit që kontrollon nivelin e sheqerit në gjak.
Megjithatë, deri tani nuk ishte studiuar ndikimi i dritës natyrale që hyn nga dritaret te personat me diabet.
Eksperimenti në ambientet e zyrave
Për ta testuar këtë, ekipi shkencor ka përzgjedhur 13 persona me diabet të tipit 2 dhe ka analizuar reagimin e trupit të tyre ndaj dritës natyrale nga dritaret dhe ndaj ndriçimit artificial të zyrës.
Pjesëmarrësit kanë kaluar dy periudha të ndara prej 4.5 ditësh në një ambient të kontrolluar zyre. Në njërën periudhë, ata uleshin përballë dritareve të mëdha nga mëngjesi deri pasdite vonë.
Në periudhën tjetër, qëndronin në të njëjtën zyrë, por me dritaret të mbuluara dhe vetëm me dritë artificiale.
Gjatë të dyja periudhave, të gjithë hanin të njëjtat vakte tre herë në ditë, kryenin të njëjtat ushtrime fizike në të njëjtën orë dhe vazhdonin trajtimin me medikamente.
Rezultatet treguan se, edhe pse mesatarja e sheqerit në gjak ishte e ngjashme në të dyja rastet, pjesëmarrësit kalonin më shumë kohë brenda kufijve normal të nivelit të sheqerit në gjak kur ishin të ekspozuar ndaj dritës natyrale.
Gjithashtu, metabolizmi i trupit ndryshonte: nën dritë natyrale, organizmi digjte më shumë yndyrë për energji dhe më pak karbohidrate.
Studiuesit morën edhe mostra nga muskujt dhe rritën qeliza muskulore në laborator.
Ata kanë zbuluar se gjenet që lidhen me “orën e brendshme” të qelizave funksiononin më saktë nën dritën natyrale. Kjo tregon se rrezet e diellit veprojnë si sinjal që i mban muskujt “në kohë”, duke i ndihmuar të përpunojnë më mirë lëndët ushqyese.
Mënyra natyrale për të menaxhuar sheqerin
Edhe pse studimi u krye me një numër të vogël pjesëmarrësish, rezultatet sugjerojnë se drita natyrale e ditës mund të ndihmojë në uljen e pikave të forta dhe luhatjeve të sheqerit në gjak, të zakonshme te personat me diabet të tipit 2.
“Gjetjet tona sugjerojnë se ekspozimi ndaj dritës natyrale të ditës ka një ndikim pozitiv në metabolizmin e personave me diabet të tipit 2 dhe mund të mbështesë trajtimin e sëmundjeve metabolike”, kanë deklaruar studiuesit.