Lifestyle

Shkencëtarët kinez krijojnë ngjitës për eshtra

Eshtrat

Eshtrat

Shkencëtarët kinezë kanë prezantuar një ngjitës revolucionar mjekësor, të quajtur Bone-02, që mund të riparojë frakturat e eshtrave në vetëm tre minuta.

Ky zbulim mund të ndryshojë rrënjësisht kirurgjinë ortopedike. Projekti, nën drejtimin e doktorit Lin Xianfeng në Spitalin Sir Run Run Shaw në provincën Zhejiang, u frymëzua nga aftësia e jashtëzakonshme e guacave për t’u ngjitur fort mbi sipërfaqe të lagura dhe në lëvizje, ka raportuar Times of India.

Ndryshe nga implantet tradicionale metalike, Bone-02 është i tretshëm nga trupi, duke u shkrirë gradualisht teksa ashti shërohet natyrshëm. 

Testimet mbi më shumë se 150 pacientë treguan forcë të lartë, siguri dhe ngjitje të shpejtë, edhe në mjedise të pasura me gjak. Ekspertët besojnë se Bone-02 mund të reduktojë ndjeshëm kohën e operacionit, të ulë rreziqet e infeksionit dhe të përshpejtojë shërimin.

“Ngjitësi ynë është frymëzuar nga guacat, të cilat përballojnë valët duke u ngjitur fort. Bone-02 imiton këtë qëndrueshmëri natyrore, duke i dhënë kirurgëve një mjet të fuqishëm për të trajtuar frakturat, edhe kur ka shumë gjak”, ka shpjeguar Xianfeng.

Sipas provave, operacionet që normalisht kërkonin pllaka dhe vida hekuri kryheshin shumë më shpejt. Ngjitësi tregoi gjithashtu forcë fizike, me rezistencë të madhe dhe forcë shtypëse, e krahasueshme me implantet standarde.

Bone-02 u tolerua shumë mirë nga trupi i njeriut, pa efekte anësore të mëdha.

Ekspertët ortopedikë kanë deklaruar ky produkt mund të zëvendësojë shumë metoda tradicionale të ngjitjes së eshtrave në spitalet e botës.

Ai mund të jetë i vlefshëm edhe në mjekësinë emergjente, në luftë apo katastrofa, ku burimet kirurgjikale janë të pakta.

Dizajni i tretshëm i Bone-02 do të shkrihet natyrshëm brenda rreth gjashtë muajve, teksa ashti rifiton forcën. Kjo heq nevojën për operacion të dytë dhe ul kostot dhe rreziqet e rikuperimit.

Ekspertët ortopedikë e shohin këtë si ndryshim të madh në kujdesin e frakturave, sidomos për dëmtime komplekse ose në vende të trupit ku qasja është më e kufizuar.

“Ngjitësi na bën të ndjehemi më shumë si ‘riparues’ se sa kirurgë, duke na dhënë mundësinë të rikthejmë eshtrat në gjendje të mirë, shpejt dhe në mënyrë efikase”, ka shpjeguar një mjek gjatë testimit.

Kjo teknologji premton të revolucionarizojë kujdesin ortopedik në mbarë botën, duke përmirësuar shërimin e pacientëve dhe duke ulur ndjeshëm barrën mbi sistemet shëndetësore.