Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shikimi shenjë paralajmëruese e demencës 12 vjet para diagnostikimit

shikimi

Shikimi

Shikimi mund të japë shenja paralajmëruese për demencën deri në 12 vjet para diagnozës, sugjerojnë studime të reja.

Sipas kërkimeve të mëdha të realizuara në Britani dhe Australi, personat që performojnë më dobët në teste të thjeshta të shikimit kanë më shumë gjasa të zhvillojnë demencë vite më vonë, ka raportuar ScienceAlert.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studimi britanik ka zbuluar se njerëzit me përpunim më të ngadaltë vizual kishin rrezik më të lartë për t’u diagnostikuar me demencë brenda 12 vjetëve. Ndërkohë, studimi australian arriti në përfundimin se përkeqësimi i shikimit është tregues i fortë i rënies së funksioneve mendore, si kujtesa, vëmendja dhe aftësia për të zgjidhur probleme.

“Rënia e shikimit mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, disa prej të cilëve janë të trajtueshëm, si katarakti apo problemet që korrigjohen me syze. Ajo që po tregon tani kërkimi është se identifikimi i hershëm i këtyre ndryshimeve dhe trajtimi i tyre mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për demencë”, ka thënë shkencëtarja Nikki-Anne Wilson nga Neuroscience Research Australia.

Edhe raporti i fundit i The Lancet për demencën në vitin 2024 e rendit humbjen e shikimit në moshë të shtyrë si faktor të ri rreziku, që lidhet me rreth 2.2 për qind të rasteve. Për krahasim, humbja e dëgjimit pa trajtim në moshë të mesme lidhet me rreth 7 për qind të rasteve.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se jo çdo person me probleme në shikim apo dëgjim do të zhvillojë patjetër demencë. Këto janë vetëm sinjale të mundshme dhe jo diagnozë.

Një tjetër gjetje interesante nga studimi australian me mbi 2,200 pjesëmarrës është lidhja mes shikimit të dobët dhe izolimit social. Sipas studiuesve, njerëzit me probleme në shikim mund të shmangin aktivitetet sociale, gjë që ndikon negativisht edhe në funksionin e trurit.

“Për herë të parë tregojmë se lidhja mes rënies së shikimit dhe performancës mendore mund të shpjegohet pjesërisht nga ulja e kontakteve sociale”, ka thënë Wilson.

Nga ana tjetër, studimi në Britani me mbi 8,000 pjesëmarrës ka përdorur një test të thjeshtë: reagimin ndaj një figure në ekran. Ata me reagim më të ngadaltë kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me demencë më vonë.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto teste nuk janë të mjaftueshme për të parashikuar me saktësi individët që do të zhvillojnë sëmundjen, por mund të përdoren si pjesë e kontrollit të hershëm bashkë me teste të tjera.

Në përfundim, ekspertët theksojnë se trajtimi i problemeve me shikimin mund të jetë një hap i rëndësishëm në parandalimin e demencës.

“Ekziston një mundësi e qartë për parandalimin e demencës përmes trajtimit të humbjes së shikimit”, thuhet në fund të raportit të The Lancet.