Bakteret evoluojnë natyrshëm dhe mund t’i bëjnë ilaçet më pak efektive. Por përdorimi i tepruar ose i gabuar i antibiotikëve në mjekësi apo bujqësi e përshpejton këtë proces. Kur bakteret rezistente përhapen, infeksionet e zakonshme bëhen më të vështira për t’u trajtuar dhe kirurgjitë rutinë bëhen më të rrezikshme.
Vetëm në SHBA regjistrohen çdo vit mbi 2.8 milionë sëmundje të shkaktuara nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve, ndërsa globalisht kjo lidhet me rreth 5 milionë vdekje në vit, ka shkruar The Conversation.
Imagjinoni të shkoni në spital për një infeksion të veshit dhe mjeku t’ju thotë: “Nuk kemi më opsione”.
Duket dramatike, por rezistenca ndaj antibiotikëve po e bën këtë skenar gjithnjë e më real për shumë njerëz.
Në vitin 2016, një grua nga Nevada ka vdekur nga një infeksion bakterial që ishte rezistent ndaj të gjithë 26 antibiotikëve që ishin në dispozicion në SHBA atëherë.
Shkencëtarët po ndjekin katër zhvillime kryesore që mund të ndryshojnë mënyrën se si luftohet rezistenca ndaj antibiotikëve:
Diagnostikimet më të shpejta
Për dekada, trajtimi i infeksioneve bakteriale ka qenë shpesh një lojë përpjekjeje dhe gabimi.
“Kur pacienti është shumë i sëmurë dhe nuk dihet ende bakteria që e shkakton infeksionin, mjekët shpesh fillojnë me një antibiotik të gjerë”, ka shpjeguar autori i artikullit, André O. Hudson.
Këto ilaçe vrasin shumë baktere njëherësh, duke u dhënë shanse baktereve të tjera të zhvillojnë rezistencë.
Teknologjitë e reja, si sekuencimi gjenetik, mikrofluidika dhe inteligjenca artificiale, mund të identifikojnë bakteret dhe antibiotikët efektivë në orë, jo ditë.
“Testet më të mira mund t’u ndihmojnë mjekëve të bëjnë diagnoza më të shpejta dhe plane trajtimi që nuk rrisin rezistencën”, ka thënë Hudson.
Alternativa përtej antibiotikëve tradicionalë
Antibiotikët kanë ndryshuan mjekësinë në shekullin e 20-të, por nuk mund të mbështetemi vetëm tek ata për shekullin 21. Shumica e antibiotikëve të rinj janë të ngjashëm me ata ekzistues dhe mund të jenë më pak efektivë.
Shkencëtarët po zhvillojnë trajtime jotradicionale:
Terapia me bakteriofagë, viruse që infektojnë dhe vrasin bakteret e dëmshme
Terapitë bazuar në mikrobiom, për të rivendosur komunitete bakteriale të shëndetshme
Antimikrobiale me CRISPR, për të çaktivizuar saktësisht gjenet e rezistencës
Peptide antimikrobiale dhe nanopartikuj, që synojnë bakteret direkt dhe me më pak efekte anësore
“Këto inovacione tregojnë një ndryshim të madh: në vend që të presim një antibiotik të vetëm, po ndërtohet një arsenal më i larmishëm dhe rezistent për të luftuar bakteret”, ka thënë Hudson.
Rezistenca ndaj antibiotikëve jashtë spitaleve
Rezistenca nuk përhapet vetëm në spitale. Ajo kalon te njerëzit, kafshët, bimët, uji i ndotur e toka.
Faktorët ekologjikë dhe bujqësorë janë po aq të rëndësishëm sa përdorimi i antibiotikëve në mjekësi.
“Antibiotikët në bujqësi mund të krijojnë baktere rezistente që përhapen te njerëzit; uji i ndotur dhe toka mund të mbajnë gjenet e rezistencës; dhe udhëtimet globale e përshpejtojnë përhapjen”, ka thënë Hudson.
Kjo tregon se rezistenca është problem ekologjik dhe shoqëror, jo vetëm spitalor.
Politikat që do të vendosin për antibiotikët e së ardhmes
Kompanitë farmaceutike shpesh humbin para duke zhvilluar antibiotikë të rinj, sepse përdoren rrallë për të ruajtur efektivitetin.
Një propozim i rëndësishëm në SHBA, PASTEUR Act, synon të krijojë një model pagesash me “abonim” që do t’i lejojë qeverisë të paguajë deri në 3 miliardë dollarë për qasje në antibiotikë kritikë, në vend të pagesës për çdo pilulë.
Organizata globale shëndetësore, përfshirë Mjekët pa Kufij, paralajmërojnë se ligji duhet të sigurojë gjithashtu qasje të drejtë dhe përdorim të përgjegjshëm.
E ardhmja e rezistencës ndaj antibiotikëve
Rezistenca ndaj antibiotikëve shpesh shihet si një katastrofë e pashmangshme. Por perspektiva është më optimiste: diagnostikime më të zgjuara, terapi inovative, strategji ekologjike dhe reforma politike po krijojnë një rrugë për të rindërtuar arsenalin e antibiotikëve dhe për të mbrojtur shëndetin publik.
Për publikun, kjo do të thotë mjete më të mira dhe sisteme mbrojtëse më të forta. Për shkencëtarët dhe politikëbërësit, kjo do të thotë bashkëpunim në mënyra të reja.
Pyetja nuk është nëse ka zgjidhje për rezistencën ndaj antibiotikëve, por nëse shoqëria do të veprojë shpejt për t’i përdorur ata.