Një proteinë që gjendet te qelizat kancerogjene mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga demenca, sugjeron një studim i ri shkencor, ka raportuar Huffington Post.
Demenca ka qenë shkaku kryesor i vdekjeve në Angli dhe Uells prej vitesh, ndërsa kanceri përbën mbi një të katërtën e të gjitha vdekjeve në Britani.
Megjithatë, studiuesit kanë vërejtur se prej dekadash këto dy sëmundje rrallë shfaqen te i njëjti person.
Sipas revistës Nature, mbijetesa nga kanceri është lidhur me rrezik 11 për qind më të ulët për demencë, ndërsa personat me demencë kanë rreth 25 për qind më pak gjasa të zhvillojnë kancer.
Ky vëzhgim i gjatë ka ngritur dyshime se njëra sëmundje mund të ketë efekt mbrojtës ndaj tjetrës.
Tani, një studim i publikuar në revistën Cell ka identifikuar një proteinë që mund ta shpjegojë këtë lidhje.
Gjatë një studimi që zgjati 15 vjet, shkencëtarët kanë zbuluar se te minjtë e predispozuar për Alzheimer, transplantet e tumoreve njerëzore (të mushkërive, prostatës dhe zorrës së trashë) dukeshin se pengonin zhvillimin e sëmundjes.
Pas gjashtë vjetësh studime, ata identifikuan proteinën cystatin C, e cila arrin të kalojë barrierën gjak-tru dhe lidhet me molekulat që formojnë pllakat amyloide, grumbullime proteinash që lidhen me demencën.
Sapo hyn në tru, kjo proteinë aktivizon një tjetër proteinë, TREM2, e cila sinjalizon sistemin imunitar të trurit që të dërgojë qeliza mbrojtëse për t’i shpërbërë këto pllaka të dëmshme.
Kjo do të thotë se proteinat e pranishme te qelizat kancerogjene mund të ndihmojnë në “shpërbërjen e grumbullimeve proteinike të lidhura me demencën”.
Autorët në raportin e studimit kanë theksuar se ky zbulim mund të sjellë “përparime të rëndësishme konceptuale në neuroshkencën e kancerit” dhe të ndryshojë mënyrën se si trajtohet demenca.
Në vend të strategjive që synojnë vetëm uljen e amyloidit, qasja e re mund të fokusohet në “shkatërrimin e pllakave ekzistuese amyloide” përmes terapive të synuara.
Megjithatë, përfaqësuesit e Nature kanë theksuar se kjo është vetëm një pjesë e enigmës, pasi jo të gjitha format e demencës shkaktohen nga pllakat amyloide.