Një ligj i ri federal që kërkon që susami të renditet si një alergjen në etiketat e ushqimeve ka pasoja të padëshiruara - duke rritur numrin e produkteve me përbërës.
Ekspertët e industrisë ushqimore kanë thënë se kërkesat janë aq të rrepta sa që shumë prodhues, veçanërisht furrtarët, e kanë më të thjeshtë dhe më pak të kushtueshëm shtimin e susamit në një produkt - dhe etiketimin e tij - sesa të përpiqen ta mbajnë atë larg ushqimeve ose gatimeve të tjera me susam.
Si rezultat, disa kompani – duke përfshirë zinxhirët kombëtarë të restoranteve si Olive Garden, Wendy’s dhe Chick-fil-A dhe prodhuesit e bukës që ruajnë raftet e ushqimeve dhe u shërbejnë shkollave – po shtojnë susam në produktet që nuk e kishin më parë. Teksa praktika është e ligjshme, konsumatorët dhe avokatët thonë se ajo shkel frymën e ligjit që synon t'i bëjë ushqimet më të sigurta për njerëzit me alergji.
“Ishte vërtet emocionuese si avokate e politikave dhe si nënë të merrja këto etiketa”, ka thënë Naomi Seiler, konsulente me Fondacionin e Astmës dhe Alergjisë në Amerikë, vajza 9-vjeçare e së cilës, Zoe, është alergjike ndaj susamit. “Në vend të kësaj, kompanitë po e shtojnë qëllimisht alergjenin në ushqim”.
Ligji i ri, i cili hyn në fuqi më 1 janar, kërkon që të gjitha ushqimet e prodhuara dhe të shitura në SHBA duhet të etiketohen nëse përmbajnë susam, i cili tani është alergjeni i nëntë më i madh i vendit. Susami mund të gjendet në vende të dukshme, si farat e susamit në simite hamburgeri. Por është gjithashtu përbërës në shumë ushqime, nga proteinat tek akullorja, të shtuara në salca dhe të fshehura në erëza dhe aromatizues.
Mbrojtësit e familjeve që përballen me alergjitë lobuan për vite me radhë që të shtohej susami në listën e alergjenëve kryesorë. Kongresi në vitin 2004 krijoi kërkesat e etiketimit për tetë alergjenë: qumësht, vezë, peshk, arra, kikirikë, grurë dhe sojë.
Më shumë se 1.6 milionë njerëz në SHBA janë alergjikë ndaj susamit, disa alergji janë aq të rënda sa kanë nevojë për injeksione të epinefrinës, ilaç që përdoret për të trajtuar reaksionet kërcënuese për jetën. Rastet e alergjisë ndaj susamit janë rritur vitet e fundit së bashku me një numër në rritje të ushqimeve që përmbajnë këtë përbërës, ka treguar dr. Ruchi Gupta, pediatër dhe drejtor i Qendrës për Kërkimet e Alergjisë Ushqimore dhe Astmës në Universitetin Northwestern.
“Susami është në kaq shumë gjëra që njerëzit nuk i kuptojnë vërtet”, ka theksuar Gupta, i cili e quajti masën për të shtuar susam në produkte “shumë zhgënjyese”.
“Në familjet që kanë një alergji susami, është vërtet sfiduese”, është shprehur ajo.
Etiketimi i susamit
Sipas ligjit të ri, të zbatuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, kompanitë tani duhet të etiketojnë në mënyrë eksplicite susamin si një përbërës ose të shënojnë veçmas se një produkt përmban susam. Në SHBA, përbërësit renditen në paketimin e produktit sipas sasisë. Etiketimi i susamit është kërkuar prej vitesh në vende të tjera, duke përfshirë Kanadanë, Evropën, Australinë dhe Zelandën e Re.
Nëse përbërësit nuk përfshijnë susam, kompanitë duhet të ndërmarrin hapa për të parandaluar që ushqimet të vijnë në kontakt me ndonjë susam, i njohur si kontaminim i kryqëzuar.
Ekspertët e industrisë ushqimore kanë theksuar se kërkesat e reja nuk janë të thjeshta apo praktike.
“Duket sikur ne i kemi kërkuar papritmas furrtarëve të shkojnë në plazh dhe të heqin të gjithë rërën”, u shpreh Nathan Mirdamadi, konsulent me “Commercial Food Sanitation”, i cili këshillon industrinë për sigurinë ushqimore.
Disa kompani përfshijnë deklarata në etiketa që thonë se një ushqim “mund të përmbajë” një produkt të caktuar ose që ushqimi “prodhohet në një objekt” që përdor gjithashtu alergjenë të caktuar. Megjithatë, deklarata të tilla janë vullnetare, nuk kërkohen, sipas FDA-së, dhe ato nuk e shfajësojnë kompaninë nga kërkesat për të parandaluar kontaminimin e kryqëzuar.
Sasi minimale
Në vend të kësaj, disa kompani kanë marrë një qasje të ndryshme. Zyrtarët në Olive Garden thanë se duke filluar nga kjo javë, zinxhiri po shton “sasi minimale mielli susami” në bukëzat e famshme të kompanisë “për shkak të potencialit për kontaminim të kryqëzuar në furrë”.
Chick-fil-A ka ndryshuar simitet e saj të bardha për të përfshirë susam, ndërsa Wendy's ka njoftuar se kompania ka shtuar susam në shkopinjtë dhe simitet e saj franceze të bukës.
United States Bakery, e cila operon Franz Family Bakeries në Kaliforni dhe në Veriperëndim, njoftoi klientët në mars se do të shtonin një sasi të vogël mielli susami në të gjitha simitet dhe roletë e hamburgerëve dhe hot-dogut “për të zbutur rrezikun e ndonjë reagimi negativ ndaj produkteve të susamit”.
Megjithëse veprime të tilla nuk shkelin ligjin, FDA-ja “nuk i mbështet” ato, ka thënë agjencia në një deklaratë.
“Do ta bënte më të vështirë për klientët alergjikë ndaj susamit të gjenin ushqime që janë të sigurta për t'u konsumuar”, thuhet në deklaratë.
Disa kompani të mëdha më parë kanë shtuar alergjenë të tjerë në produkte dhe kanë përditësuar etiketat e tyre.
Kjo është zhgënjyese dhe e frikshme për prindërit si Kristy Fitzgerald nga Crookston, Minesota. Pranverën e kaluar ajo mësoi se Pan-O-Gold Baking Co., e cila furnizon me bukë shkollat, qendrat shëndetësore dhe dyqanet ushqimore në të gjithë Perëndimi i Mesëm, po shtonte sasi të vogla susami në produktet e saj, përfshirë ato që shërbeheshin në shkollën e së bijës. Ndërkohë, Audrey gjashtëvjeçare, e ka tejkaluar alergjinë ndaj susamit.
Bob Huebner, menaxher i sigurisë ushqimore/sigurimit të cilësisë për Pan-O-Gold, i ka thënë Fitzgerald në një varg emailesh se kompania ishte e detyruar të shtonte susam në produktin dhe etiketën.
“Realiteti fatkeq është se pajisjet dhe furrat tona nuk janë të vendosura për pastrime me alergjen që do të kërkoheshin për të parandaluar kontaminimin e kryqëzuar të susamit dhe nuk ishte një opsion për ne”, shkroi Huebner në një email drejtuar Fitzgerald.
Ndërkaq, Fitzgerald filloi një peticion në internet duke protestuar kundër masës për të shtuar susam.
Përktheu: Blerta Haxhiu