Lifestyle

Zhvillohet pajisja e re me bazë diamanti që detekton më lehtë kancerin

Diamantët

Diamantët

Shkencëtarët në Universitetin e Warwickut kanë zhvilluar një pajisje të re me bazë diamanti, e cila mund ta bëjë më të lehtë dhe më të sigurt zbulimin e përhapjes së kancerit.

Kjo pajisje që mbahet në dorë gjurmon grimca të vogla magnetike që injektohen në trup, duke ofruar një alternativë jo toksike ndaj gjurmuesve radioaktivë dhe ngjyruesve që përdoren aktualisht në spitale, ka raportuar The Independent.

Gjurmuesit radioaktivë, janë substanca që përmbajnë sasi shumë të vogël radioaktiviteti. Pas injektimit, ato udhëtojnë përmes trupit dhe mjekët përdorin pajisje të veçanta që matin rrezatimin për të parë se ku kanë shkuar gjurmuesit. Në këtë mënyrë kuptohet nëse kanceri ka prekur nyjat limfatike.

Problemi është se të gjitha spitalet nuk kanë pajisjet për t’i përdorur, dhe disa pacientë kanë shqetësime nga ekspozimi, ani pse doza është e vogël.

Ngjyra e kaltër (si “patent blue” ose “isosulfan blue”), janë ngjyra të posaçme që injektohen pranë tumorit. Ato përhapen në nyjat limfatike dhe i ngjyrosin, që mjekët t’i shohin gjatë operacionit.

Konsiderohet si mënyrë problematike për shkak se te disa pacientë shkaktojnë alergji, madje edhe reaksione serioze (ani pse kjo ndodh rrallë).

Përhapja e qelizave kancerogjene në pjesë të tjera të trupit, e njohur si metastazë, është një nga sfidat më të mëdha në mjekësinë moderne. Për këtë arsye, mjekët shpesh kontrollojnë nëse kanceri ka arritur në nyjat limfatike, inde që filtrojnë lëngjet e trupit nga substancat e dëmshme, për të vendosur më pas për ndërhyrje kirurgjikale ose trajtime të tjera.

Studimi, i botuar në revistën Physical Review Applied, ka treguar se diamantet mund të përdoren për të ndërtuar një sensor shumë të ndjeshëm, që identifikon lëngun gjurmues magnetik të injektuar pranë tumorit. Ky lëng përmban nanopjesëza hekuri, të cilat lëvizin nëpër trup së bashku me qelizat e kancerit, duke treguar nëse ato kanë arritur në nyjat limfatike.

“Ka vërtetë kërkesë për mënyra të ndryshme dhe jo toksike për të gjetur kancerin. Për këtë sensor të ri me bazë diamanti, arritëm ta zvogëlojmë kokën e sensorit në vetëm 10 milimetra, që do të thotë se është sensori i parë me diamante që mund të zbulojë lëngun gjurmues magnetik, duke qenë mjaftueshëm i vogël për kirurgjinë me prerje të vogla dhe endoskopike”, ka thënë autori kryesor i studimit, Alex Newman, nga departamentin e fizikës në Warwick.

Newman ka shtuar se pajisja është jashtëzakonisht e ndjeshme, duke qenë në gjendje të zbulojë edhe një të qindtën e dozës së zakonshme të lëngut gjurmues. Ajo përdor një diamant shumë të vogël (vetëm gjysmë milimetri kub) bashkë me një magnet të vogël, pa pasur nevojë për pajisje elektronike të mëdha, gjë që e bën të lehtë përdorimin në sallat e operacionit.

“Kjo u bë e mundur falë qendrave të mungesës së azotit brenda diamantit. Këto i lejojnë diamantit të ndjejë ndryshime shumë të vogla në fushën magnetike dhe i japin atij një ngjyrë rozë të bukur”, ka thënë profesori Gavin Morley, udhëheqës i grupit të studiuesve.

Ai ka shtuar se teknologjia mund të ketë përdorime edhe përtej mjekësisë, si në anije hapësinore apo energjinë e fuzionit.

Aktualisht, spitalet përdorin gjurmues radioaktivë, që jo të gjithë kanë qasje t’i përdorin, ose ngjyra të kaltra, të cilat mund të shkaktojnë alergji te disa pacientë. Ky sensor me diamante mund të shmangë këto probleme.

Stuart Robertson, kirurg i kancerit të gjirit në Spitalet Universitare të Coventryt dhe Warwickshiret, ka thënë se tashmë po përdor gjurmues magnetikë në punën e tij.

“Kjo metodë ofron më shumë përparësi krahasuar me teknikat tradicionale”, ka thënë ai.

Studiuesit besojnë se pajisja mund të përdoret edhe për lloje të tjera të kancerit, si ai i mushkërive, i mëlçisë, kolorektal dhe atë të ezofagut.