Lifestyle

Pagjumësia kronike mund ta bëjë trurin të plaket më shpejt

Pagjumsia

Pagjumsia

Studimi i ri i publikuar në revistën Neurology, ka treguar se njerëzit që vuajnë nga pagjumësia kronike kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme me kujtesën dhe aftësitë njohëse, megjithëse ende nuk dihet nëse është shkak apo thjesht lidhje, ka raportuar The Washington Post.

Studimi përfshiu 2,750 të rritur të shëndetshëm mendërisht, me një moshë mesatare 70 vjeç. 
Ata u ndoqën për rreth 5.6 vjet dhe iu nënshtruan testeve vjetore mbi kujtesën, arsyen dhe funksionet e tjera të trurit. 

Rezultatet kanë treguar se 14 për qind e atyre me pagjumësi kronike zhvilluan probleme njohëse të lehta ose demencë, krahasuar me 10 për qind të atyre pa pagjumësi.

Sipas shkencëtarëve, kjo diferencë është e rëndësishme. Ata llogaritën se pagjumësia kronike lidhet me  “plakje” shtesë të trurit prej rreth 3.5 vjetësh më herët.

“Studimi mbështet gjithnjë e më shumë provat se gjumi jo i mirë, qysh në moshën e mesme, mund të jetë paralajmërues i neurodegjenerimit. Por ky është vetëm një asociim, jo dëshmi shkakësie. Mund të jetë gjithashtu që gjumi i dobët mund të jetë tregues i hershëm i rënies së aftësive njohëse. Është shumë e vështirë të dallohet”, ka thënë Diego, Z. Carvalho, autor kryesor i studimit.

Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte se ata me pagjumësi që flinin më pak orë kishin rezultate më të këqija në testet e trurit dhe ndryshime më të mëdha strukturore.

“Nëse këto gjetje konfirmohen nga studimet e ardhshme, mund të ndihmojnë në krijimin e strategjive për ruajtjen e shëndetit të trurit duke marrë parasysh jo vetëm cilësinë e gjumit, por edhe kohëzgjatjen e tij”, tha Santiago Clocchiatti-Tuozzo, neurolog në Yale New Haven Hospital.

Studimet e fundit kanë treguar gjithashtu se gjumi shumë i shkurtër (më pak se 6 orë) ose shumë i gjatë (më shumë se 9 orë) lidhet me probleme shëndetësore të tjera, përfshirë obezitetin dhe depresionin.

Karin G. Johnson, neurologe në Massachusetts, ka theksuar rëndësinë e pushimit të mjaftueshëm.

“Procesi i pastrimit të toksinave nga truri ndjek ritmet cirkadiane dhe funksionon më mirë gjatë gjumit. Është e rëndësishme të vendosim themele që njerëzit të kenë mjaft kohë për të fjetur”, ka thënë Johnson.

Ajo ka shtuar se ndryshime si fillimi më i vonshëm i shkollës për nxënësit mund të ndihmojnë brezat e rinj të krijojnë zakone më të shëndetshme gjumi dhe, në të ardhmen, një popullatë më të shëndetshme.