Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Organi misterioz i trupit që mund të luajë rol kyç në jetëgjatësi dhe mbrojtje ndaj kancerit

Timusi

Timusi

Timusi, një organ i vogël dhe për vite me radhë i nënvlerësuar, mund të ketë një rol shumë më të rëndësishëm sesa mendohej, duke ndikuar në jetëgjatësi, mbrojtje ndaj kancerit dhe shëndetin e sistemit imunitar.

Për dekada, ky organ me dy “lobe”, i vendosur pas eshtrave të gjoksit, është konsideruar pothuajse i parëndësishëm për pjesën më të madhe të jetës. Që nga koha e grekëve të lashtë, që mendonin se mund të ishte “selia e shpirtit”, e deri te vitet 1960, kur një fitues i Çmimit Nobel e quajti “një aksident evolucionar pa rëndësi të madhe”, timusi ka mbetur në hije, ka shkruar The Washington Post.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sot dihet se ai është thelbësor gjatë fëmijërisë, sepse ndihmon në ndërtimin e sistemit imunitar. Por gjatë pubertetit, ai fillon të tkurret shpejt dhe zëvendësohet nga indi yndyror.

Tani, studime të reja po e rikthejnë në qendër të vëmendjes, duke sugjeruar se timusi mund të ndikojë në plakje, mbrojtje ndaj kancerit, sëmundjeve autoimune dhe problemeve të zemrës.

Sipas Hugo Aerts nga Mass General Brigham, njerëzit me timus më të shëndetshëm kanë më pak gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive, të vdesin nga sëmundjet e zemrës apo nga çfarëdo shkaku tjetër. Ata gjithashtu reagojnë më mirë ndaj trajtimeve të kancerit përmes imunoterapisë.

Megjithatë, mbeten pyetje të rëndësishme.

A është timusi shkaku i drejtpërdrejtë i këtyre përfitimeve, apo thjesht një tregues i shëndetit të përgjithshëm? Pse ai plaket më shpejt te disa njerëz dhe më ngadalë te të tjerët?

Një nga studimet më të rëndësishme për timusin u bë pothuajse rastësisht gjatë pandemisë COVID-19.

Studiuesit kanë analizuar të dhënat e pacientëve të rritur që e kishin hequr timusin përmes një operacioni të quajtur thymectomy.

Rezultatet ishin befasuese.

Personat pa timus kishin më shumë se dyfish rrezik për të vdekur nga çdo shkak brenda pesë vjetëve, krahasuar me ata që e kishin ende. Ata gjithashtu kishin dyfish më shumë gjasa të zhvillonin kancer.

Kur u analizuan vetëm pacientët pa probleme të mëparshme imunitare, ata pa timus kishin më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje autoimune.

Rezultatet u publikuan në vitin 2023 në New England Journal of Medicine dhe u cilësuan si kërkim pionier.

Roli i timusit në trup

Timusi luan një rol të rëndësishëm në “edukimin” e qelizave të sistemit imunitar të quajtura T cells. Këto qeliza mësojnë si të luftojnë viruset dhe bakteret, por edhe si të mos sulmojnë trupin tonë, një proces i njohur si “vetë-tolerancë”.

Fëmijët që lindin pa timus përballen me probleme të rënda imunitare dhe nuk mbijetojnë pa transplant.

Por në adoleshencë, ky organ fillon të “shkrihet” dhe për këtë arsye për shumë vite është konsideruar pothuajse i panevojshëm te të rriturit.

Studime të fundit, përfshirë ato të publikuara në Nature, kanë përdorur inteligjencën artificiale për të analizuar mijëra skanime dhe të dhëna shëndetësore.

Rezultati: timusi i shëndetshëm lidhet me jetë më të gjatë dhe rrezik më të ulët për kancer dhe sëmundje të zemrës.

Madje, njerëzit me timus më të shëndetshëm reagojnë më mirë ndaj terapive moderne kundër kancerit.

A mund të “rinovohet” timusi?

Shkencëtarët tani po kërkojnë mënyra për ta rigjeneruar ose ngadalësuar plakjen e këtij organi.

Sipas Paola Bonfanti nga Francis Crick Institute dhe University College London, timusi ka një paradoks interesant, ai ka aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese, por njëkohësisht është një nga organet që plaket më shpejt.

Nëse shkencëtarët arrijnë të ngadalësojnë plakjen e timusit, kjo mund të ketë ndikim të madh në forcimin e imunitetit me kalimin e moshës, përmirësimin e reagimit ndaj vaksinave, trajtimin e sëmundjeve autoimune dhe rritjen e efektivitetit të trajtimeve kundër kancerit.