Një kafe në mëngjes mund t’i ndihmojë gratë të qëndrojnë të shëndetshme me kalimin e moshës. Kjo sipas një studimi të ri nga Universiteti i Harvardit, i cili ndoqi një grup prej afër 50,000 grash për një periudhë 30-vjeçare.
Studimi gjeti se pirja e kafesë çdo mëngjes mund t’i ndihmojë gratë të qëndrojnë të mprehta mendërisht dhe të forta fizikisht në fazat e mëvonshme të jetës.
Përfitimet u panë te gratë e moshës së mesme që pinin kafe me kafeinë. Kafeja pa kafeinë nuk kishte efekt të njëjtë, shkroi FoxNews.
Studiuesit shpjegojnë se plakja e shëndetshme nënkupton arritjen e një moshe pa sëmundje të rënda kronike dhe me funksione të mira fizike e mendore.
Gratë që kualifikoheshin si të shëndetshme, u gjetën se konsumonin mesatarisht 315 miligramë kafeinë çdo ditë, kryesisht duke pirë kafe.
Çdo filxhan kafeje shtesë lidhej me një shans prej 2% deri 5% më të madh për plakje më të shëndetshme, gjeti studimi.
Por, pijet e gazuara që përmbajnë kafeinë treguan se shkaktonin efekt të kundërt në plakje – shumë më pak të shëndetshme.