Lifestyle

Më në fund shkenca do të mund t’i zhdukë mushkonjat, por a duhet ta bëjë?

zhdukja e mushkonjave

Zhdukja e mushkonjave. Ilustrim nga Elena Lacey për The Washington Post

Mushkonjat konsiderohen ndër krijesat më të bezdisshme dhe më të rrezikshme në botë. Me pickimin e tyre ato bezdisin njerëzit dhe përhapin sëmundje vdekjeprurëse si malaria, ethet hemorragjike, virusi i Nilit Perëndimor dhe shumë të tjera. Por sot, shkenca është shumë afër një zgjidhjeje për t’i zhdukur përgjithmonë, ka shkruar The Washington Post.

Pyetja është: A duhet të zhduken mushkonjat?

Kjo dilemë tashmë nuk është vetëm teori. Në vitet e fundit, shkencëtarët kanë zhvilluar teknologji të fuqishme gjenetike që mund të çojnë në zhdukjen e mushkonjave dhe insekteve të tjera të dëmshme.

Disa mjekë dhe shkencëtarë besojnë se ka ardhur koha për t'i përdorur këto teknologji për të shpëtuar miliona jetë.

“Janë kaq shumë jetë në rrezik nga malaria, saqë ne duam të sigurohemi që kjo teknologji të mund të përdoret sa më shpejt”, ka thënë Alekos Simoni, biolog molekular në projektin “Target Malaria”, që synon t'i luftojë mushkonjat në Afrikën Sub-Sahariane.

Por përballë kësaj mundësie ngrihet një pyetje e madhe etike: A është e drejtë që njerëzimi të zhdukë me qëllim një specie?

“Unë vetë do të shtypja butonin dhe do të isha ekzekutori për mushkonjat që përhapin malarien”, pati thënë dikur biologu i njohur Edward Osborne Wilson (E.O.Wilson), i cili njihet si babai i sociobiologjisë dhe i biodiversitetit modern.

Megjithatë, disa shkencëtarë dhe etikë thonë se është shumë e rrezikshme të ndërhyhet kaq thellë në ekosistem. Sipas tyre, edhe mushkonjat, sado bezdisëse, mund të kenë vlerë të padukshme në natyrë.

Si funksionon zhdukja gjenetike e mushkonjave?

Projekti “Target Malaria” po përpiqet të zvogëlojë numrin e mushkonjave të llojit Anopheles gambiae, të cilat bëjnë përhapjen e malaries.

Mushkonja e llojit Anopheles gambiae

Në laborator, shkencëtarët kanë futur një mutacion gjenetik që bën që mushkonjat femra të lindin pa vezore funksionale, duke i bërë ato të pafrytshme. Meshkujt mbartin gjenin, por nuk preken fizikisht.

Ideja është që, me kalimin e kohës, ky gjen të përhapet aq shumë, saqë mos të mbeten më femra të afta për të riprodhuar, dhe kështu popullsia e mushkonjave të shuhet vetvetiu.

Simoni ka thënë se shpreson që brenda pesë vjetëve të ardhshme mushkonjat e modifikuara gjenetikisht të mund të lëshohen edhe në natyrë. Projekti mbështetet financiarisht nga “Fondacioni Gates” dhe organizata “Open Philanthropy”, e cila financohet nga bashkëthemeluesi i rrjetit social “Facebook”, Dustin Moskovitz, dhe bashkëshortja e tij, Cari Tuna.

“Ne besojmë se kjo teknologji mund të jetë vërtet transformuese”, ka thënë Simoni.

Ky proces bazohet në një teknologji shumë të fuqishme të quajtur “gene drive”, që u jep mundësinë shkencëtarëve të rregullojnë gjenet në mënyrë që një mutacion të kalojë te pasardhësit me pothuajse 100 për qind siguri, duke anashkaluar rregullat natyrore të trashëgimisë.

“Teknologjia po na ofron mundësi të reja. Në të kaluarën, mund të zhduknim një specie duke e vrarë fizikisht, por tani mund të fillojmë zhdukjen që nga laboratori”, ka thënë Christopher Preston, filozof mjedisor nga Universiteti i Montanës.

A duhet të shkohet deri në fund?

Mushkonjat janë ndër të paktat krijesa që shumë njerëz në botë do të donin t’i zhduknin. Vetëm në vitin 2023, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, malaria ka vrarë rreth 600,000 njerëz, kryesisht në Afrikë.

Paul Ndebele, biotekniku nga Universiteti George Washington, ka thënë se në këtë kontinent humbjet janë të përditshme.

“Është sikur dy avionë Boeing 747 të rrëzoheshin çdo ditë në Kilimanjaro”, ka thënë ai.

Për komunitetet e prekura, zgjidhja gjenetike shihet si shpresë.

“Kjo nuk është audiencë e vështirë, sepse këta janë njerëz që jetojnë në një zonë ku fëmijët po vdesin”, ka thënë Krystal Birungi, shkencëtare që i studion insektet, nga “Target Malaria” në Uganda.

Megjithatë, ajo ka shtuar se ndonjëherë duhet të luftojë me dezinformimin, siç është miti i rremë që pickimi nga mushkonjat e modifikuara mund t’i bëjë njerëzit sterilë.

Por nuk janë të gjithë dakord.

Një grup etikësh nga “Hastings Center for Bioethics” në SHBA dhe Universiteti Shtetëror i Arizonës, në një publikim të fundit në revistën Science, kanë dalë në përfundimin se “zhdukja e qëllimshme e një specie mund të jetë e pranueshme vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla”.

Një nga rastet ku ata e pranojnë zhdukjen është screw-worm, një lloj fluture parazitare që torturon njerëzit dhe kafshët duke lëshuar vezë në plagë. Por për mushkonjat, shkencëtarët janë më të përmbajtur, pasi ndikimi i tyre në ekosisteme ende nuk kuptohet plotësisht.

“Zhdukja e mushkonjave me teknologji gjenetike do të kishte potencial për zhdukje globale, dhe kjo është shumë e rrezikshme”, ka thënë filozofi Preston.

Sipas etikëve, më mirë është që shkencëtaret të fokusohen në zhdukjen e parazitit Plasmodium, i cili është shkaktari i vërtetë i malaries, sesa t’i zhdukin vetë mushkonjat.

“Mund ta zhdukësh malarien pa e zhdukur mushkonjën”, ka thënë Gregory Kaebnick nga “Hastings Center”. Ai ka shtuar se zhdukja e qëllimshme duhet të mbetet si opsion vetëm për “specie vërtet të tmerrshme”.

Por Ndebele, i cili vjen nga Zimbabve, ka thënë se shumica e atyre njerëzve që janë kundër zhdukjes së mushkonjave “nuk jetojnë në Afrikë”, ndërkohë që ka treguar rreth një ngjarjeje personale.

“Kam përjetuar panik kur djali im u sëmur rëndë nga malaria. Nuk e dinim se çfarë po ndodhte. Ishim të tmerruar”, ka thënë ai.

Edhe pse shumë njerëz shpresojnë në këtë teknologji, zhdukja totale e mushkonjave është mision thuajse i pamundur. Në botë ekzistojnë mbi 3,500 lloje mushkonjash, dhe secila mund të kërkojë ndërhyrje të veçantë gjenetike.

“Mushkonjat kanë qenë këtu për qindra miliona vjet. Është një specie jashtëzakonisht e vështirë për t’u eliminuar”, ka thënë Simoni.