Lifestyle

“Mattel” prezanton Barbien e parë me autizëm, në kuadër të linjës për gjithëpërfshirje

"Mattel" prezanton Barbien me autizëm

"Mattel" prezanton Barbien me autizëm

Gjigandi i lodrave “Mattel” ka prezantuar të hënën një Barbie me autizëm, duke e shtuar atë në koleksionin e saj të kukullave që synojnë të pasqyrojnë diversitetin dhe gjihtëpërfshirjen. Ajo i bashkohet një linje që tashmë përfshin kukullën Barbie me sindromën Down, një Barbie të verbër, Barbie dhe Ken me sëmundjen e lëkurës vitiligo, si dhe modele të tjera që janë krijuar për ta bërë botën e lodrave më gjithëpërfshirëse, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

“Mattel” ka bërë të ditur se zhvillimi i kukullës me autizëm ka zgjatur më shumë se 18 muaj dhe është realizuar në bashkëpunim me Autistic Self Advocacy Network, një organizatë joqeveritare që mbron të drejtat dhe përfaqësimin e drejtë të personave me autizëm në media.

Sipas kompanisë, qëllimi ka qenë krijimi i një Barbie që reflekton disa nga mënyrat se si personat me autizëm e përjetojnë dhe e përpunojnë botën rreth tyre.

“Kjo ishte një sfidë, sepse autizmi përfshin një gamë shumë të gjerë sjelljesh dhe vështirësish, të cilat ndryshojnë shumë nga një person te tjetri dhe shpesh nuk janë të dukshme në pamje të parë”, ka thënë Noor Pervez, menaxher i angazhimit me komunitetin në Autistic Self Advocacy Network, i cili ka punuar ngushtë me “Mattelin” gjatë krijimit të prototipit të kukullës.

Ashtu si shumë aftësi të kufizuara, autizmi nuk ka një pamje të vetme, prandaj, Pervez ka thënë se ai dhe ekipi janë munduar të tregojnë disa nga mënyrat se si shprehet.

Për këtë arsye, sytë e Barbiet të re janë të orientuar lehtë anash, për të pasqyruar faktin se disa persona me autizëm shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy. Kukulla ka gjithashtu bërryla dhe kyçe duarsh të lëvizshme, për të përfaqësuar lëvizje si “stimming”, përplasjen e duarve apo gjeste të tjera që disa persona me autizëm i përdorin për të përpunuar ndjesitë ose për të shprehur emocionet.

Ekipi i zhvillimit ka diskutuar edhe për veshjen e kukullës.

Sipas Pervez, disa persona me autizëm preferojnë rroba të lirshme për shkak të ndjeshmërisë ndaj qepjeve të pëlhurës, ndërsa të tjerë zgjedhin rroba më të ngushta për të ndier më qartë kufijtë e trupit të tyre.

Në fund, u zgjodh një fustan në formë të siluetës që në modë njihet si forma “A”, me mëngë të shkurtra dhe fund të lirshëm, që minimizon kontaktin e pëlhurës me lëkurën. Kukulla mban edhe këpucë rrafshe, për stabilitet dhe lehtësi në lëvizje.

Çdo kukull shoqërohet me disa aksesorë: një lodër e vogël për gishta (fidget spinner), kufje për bllokimin e zhurmës dhe një tablet rozë, i ngjashëm me pajisjet që disa persona me autizëm, të cilët kanë vështirësi në të folur, i përdorin për të komunikuar.

Përfshirja e kësaj kukulle Barbie u shfrytëzua gjithashtu nga “Mattel” për të krijuar një kukull me tipare fytyre të frymëzuara nga punonjëset e kompanisë në Indi, si dhe nga imazhe që pasqyrojnë gra me prejardhje të ndryshme indiane. Pervez ka theksuar se ishte e rëndësishme që kukulla të përfaqësonte një pjesë të komunitetit autik që zakonisht mbetet i nën-përfaqësuar.

“Mattel” ka prezantuar Barbien e parë me sindromën Down në vitin 2023 dhe verën e kaluar solli një Barbien që përfaqëson një person me diabet të tipit 1. Linja “Fashionistas” përfshin gjithashtu Barbie dhe Ken me protezë në këmbë, një Barbie me aparate dëgjimi, si dhe trupa të gjatë, të shkurtër, me forma të ndryshme, ngjyra të ndryshme lëkure dhe lloje të ndryshme flokësh.

“Barbie gjithmonë ka synuar të pasqyrojë botën që fëmijët shohin dhe mundësitë që ata imagjinojnë. Jemi krenarë që prezantojmë Barbien tonë të parë me autizëm si pjesë e kësaj pune të vazhdueshme”, ka thënë Jamie Cygielman, nga “Mattel”.

Kukulla është në shitje nga sot (e hënë) në dyqanin online të “Mattelit” dhe në rrjetin e dyqaneve “Target”, me një çmim prej 11.87 dollarësh. Sipas kompanisë, “Walmart” do ta ofrojë këtë Barbie duke nisur nga muaji mars.

Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), të publikuara vitin e kaluar, autizmi diagnostikohet te rreth një në 31 fëmijë 8-vjeçarë në SHBA.

Raporti tregon gjithashtu se fëmijët me prejardhje afro-amerikane, hispanike, aziatike dhe nga ishujt e Paqësorit kanë më shumë gjasa të diagnostikohen me autizëm sesa fëmijët e bardhë, ndërsa prevalenca është më shumë se tri herë më e lartë te djemtë sesa te vajzat.