Martesa ka ekzistuar për mijëra vite dhe dikur ishte pothuajse universale, sipas profesorit Andrew J. Cherlin. Por sot, numri i martesave është në rënie dhe kjo mund të nënkuptojë se disa njerëz po humbasin një përfitim të mundshëm për shëndetin, ka shkruar CNN.
“Është sikur jemi ndarë në dy shoqëri të ndryshme”, ka thënë Cherlin, profesor në Johns Hopkins University, duke iu referuar avantazheve që mund të sjellë martesa.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë studim i publikuar në revistën “Cancer Research Communications” sugjeron se martesa mund të lidhet me rrezik më të ulët për kancer, duke shtuar prova të reja që e lidhin atë me rezultate më të mira shëndetësore.
Sipas të dhënave, burrat që nuk janë martuar kurrë, kanë 68 për qind më shumë gjasa të preken nga kanceri krahasuar me ata që kanë qenë të martuar (përfshirë të divorcuarit dhe ata që kanë mbetur të ve). Për gratë që nuk janë martuar kurrë, rreziku është edhe më i lartë, deri në 83 për qind.
“Kur bëhet fjalë për kancerin, vendosja e unazës mund të ofrojë më shumë mbrojtje për gratë. Kjo është befasuese”, ka thënë Brad Wilcox nga University of Virginia.
Në përgjithësi, studimet kanë treguar se burrat përfitojnë më shumë nga martesa në marrëdhënie heteroseksuale. Por ky studim sugjeron të kundërtën.
Autorët e studimit thonë se kjo ka disa shpjegime. Për disa lloje kanceri, si ai i mitrës dhe i vezoreve, lidhja mund të ketë të bëjë me faktorë biologjikë dhe riprodhues. Gratë që nuk kanë lindur kurrë kanë rrezik më të lartë për këto sëmundje.
Sipas Paulo S. Pinheiro nga University of Miami Health System, te të moshuarit lidhja mes martesës dhe rrezikut më të ulët për kancer bëhet edhe më e fortë me kalimin e kohës.
“Efekti i martesës duket se grumbullohet me kalimin e viteve”, ka thënë Pinheiro.
Kur të dhënat u analizuan sipas racës dhe përkatësisë etnike, u vu re se burrat me ngjyrë përfitonin më shumë nga martesa. Jarrod A. Carrol nga Kaiser Permanente e shpjegon këtë me rolin e grave.
“Ato ofrojnë mbështetje dhe e inkurajojnë burrin që të kërkojë trajtim dhe kontroll më herët. Fakti që gruaja shpesh është qendra e mbështetjes për të gjithë familjen tregon sa shumë ajo investon në kujdesin për partnerin”, ka thënë ai.
Pse martesa lidhet me përfitime shëndetësore?
Sipas Cherlin, një pyetje thelbësore mbetet: a i bën martesa njerëzit më të shëndetshëm, apo njerëzit më të shëndetshëm kanë më shumë gjasa të martohen?
Martesa zakonisht sjell disa avantazhe, si qasja më e lehtë në kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale. Gjithashtu, personat e martuar kanë më pak gjasa të përfshihen në sjellje të rrezikshme, si duhanpirja, alkooli apo marrëdhënie të pasigurta, faktorë që lidhen me disa lloje kanceri.
“Nëse je i pamartuar dhe më i izoluar, ke më pak gjasa të bësh kontrolle ose të angazhohesh në parandalim”, ka thënë Pinheiro.
Megjithatë, jo të gjithë bien dakord.
Joan DelFattore argumenton se përfitimet e martesës shpesh lidhen me mënyrën si sistemi e favorizon atë, jo domosdoshmërisht me vetë martesën.
“Shpesh njerëzit nisen nga ideja ‘Martesa: e mirë. Pa martesë: e keqe’ dhe i interpretojnë të dhënat në mënyra që nuk kanë kuptim”, ka thënë ajo.
Ky paragjykim, sipas saj, çon në përfundime “shumë të thjeshtuara”.
Përvoja e një pacienteje beqare
DelFattore, e diagnostikuar me kancer në fazë të avancuar 15 vjet më parë, ka treguar se si një grua e pamartuar nuk mori të njëjtin trajtim si pacientët e martuar.
“Mjeku ishte plotësisht i bindur se si grua beqare… unë nuk mund të kisha mbështetjen e nevojshme për të përballuar trajtimin agresiv. U përpoqa t’i tregoja për kushërinjtë dhe miqtë që më mbështesnin, por ai më ndërpreu. Nuk arrita as ta përfundoja fjalinë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, këto paragjykime ndikojnë në trajtimin që marrin pacientët beqarë.
“Ekziston ideja se ka një ndarje të fortë mes të qenit i martuar dhe të qenit vetëm”, ka thënë ajo.
Çka duhet bërë më tej?
Studiuesit theksojnë se duhet më shumë punë për të mbështetur personat e pamartuar, jo thjesht për të inkurajuar martesën.
Pinheiro sugjeron që mjekët duhet të kalojnë më shumë kohë me pacientët që nuk kanë mbështetje të drejtpërdrejtë në shtëpi.
Ndërkohë, DelFattore ka theksuar se rrjetet sociale, miqtë, familja, fqinjët, mund të jenë po aq të rëndësishme sa një partner.
“Edhe një fqinj mund të të ndihmojë të lahesh. Kujdesi i afërt nuk është i kufizuar vetëm te bashkëshorti. Mbështetja jashtë martesës mund të jetë po aq efektive”, ka thënë ajo.