Një studim që është kryer në Francë ka treguar se marrja e vaksinës kundër Covid-19 gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë nuk lidhet me rritje të rrezikut për probleme shëndetësore te fëmijët. Rezultatet, të publikuara në revistën mjekësore JAMA Network Open, përforcojnë provat e mëparshme që tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe efektive për gratë shtatzëna, ka raportuar The New York Times.
Studimi përfshiu të dhënat e rreth 530 mijë foshnjave të lindura nga nëna që kishin qenë shtatzëna midis muajit prill të vitit 2021 dhe janarit të vitit 2022. Afërsisht 25 për qind e tyre, pra 130 mijë gra, kishin marrë një vaksinë mRNA kundër Covid-19 gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Studiuesit ndoqën shëndetin e fëmijëve deri në fund të vitit 2024 dhe nuk gjetën asnjë dëshmi se vaksinimi ishte i lidhur me ndonjë prej dhjetëra problemeve të mundshme të lindjes, përfshirë ato të zemrës, sistemit tretës, nervor apo kromozomal.
“Ky rezultat është një pjesë e rëndësishme e provave që tregojnë se këto vaksina janë të sigurta gjatë shtatzënisë”, ka thënë doktori Aaron Richterman, profesor i mjekësisë në Universitetin e Pensilvanisë, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Autorët e studimit shkruajnë se rezultatet “ofrojnë siguri të madhe që vaksinat mRNA kundër Covid-19 nuk shkaktojnë defekte në lindje”. Ata theksuan se tremujori i parë është një periudhë shumë e ndjeshme për zhvillimin e organeve dhe se sëmundjet apo disa ilaçe mund ta dëmtojnë këtë proces, por se vaksinat sipas tyre, nuk e bëjnë këtë.
Doktori Mahmoud Zureik, një nga autorët, ka thënë se rezultatet mbështesin idenë që vaksinat “të jenë të disponueshme gjerësisht për të gjitha gratë që dëshirojnë të vaksinohen gjatë shtatzënisë”.
Studime të ngjashme të mëhershme në Kanada, si dhe në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi, kishin arritur në përfundime të ngjashme, por kishin përfshirë më pak gra shtatzëna, rreth 35 mijë. Studimi i ri, shumë më i madh në përmasa, analizoi jo vetëm kategoritë e defekteve (si “defekte të zemrës”), por edhe defekte specifike, si për shembull ngushtimi i valvulës pulmonare, dhe nuk gjeti asnjë rritje të rrezikut.
Doktori Richterman e quajti këtë “studim me cilësi shumë të lartë” sepse madhësia e madhe e kampionit lejoi analizë më të saktë.
“Ashtu si në studimet e mëparshme, nuk u gjet rritje e rrezikut për defekte kardiake, dhe përveç kësaj, ky studim tregoi se nuk ka rrezik as për ndonjërën nga 21 lloje specifike të defekteve të zemrës”, ka thënë ai.
Ani pse studimi nuk ka analizuar vaksinimin në tremujorin e dytë apo të tretë, apo efekte të tjera si abortet apo lindjet e parakohshme, hulumtimet e kaluara tregojnë se vaksinat ndihmojnë në uljen e rrezikut të vdekjes së fetusit, pasi infeksionet nga Covid mund të jenë të rrezikshme për shtatzënat.
Në SHBA, nën drejtimin e Sekretarit të Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., agjencitë shëndetësore kanë dhënë udhëzime të paqarta për vaksinimin e grave shtatzëna, duke krijuar konfuzion mes mjekëve dhe pacienteve. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e pranojnë se shtatzënia është gjendje me rrezik të lartë, por që nga mauji maj kanë ndalur rekomandimin për vaksinim të detyrueshëm për gratë shtatzëna të shëndetshme.
Këtë muaj, udhëzimi u përditësua: gratë shtatzëna mund të vaksinohen, por pas konsultimit me mjekun e tyre.