Një krem i ri për trajtimin e sëmundjes së lëkurës vitiligos, që vepron drejtpërdrejt mbi shkakun e saj, do të vihet në dispozicion në Shërbimin Shëndetësor Britanik (NHS), ka raportuar NewScientist.
Në provat klinike, ky trajtim ka rritur ndjeshëm rikthimin e pigmentit në njollat e bardha të lëkurës, ani pse më herët është konsideruar si “kontrovers”, pasi vitiligo nuk është sëmundje e dhimbshme apo kërcënuese për jetën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVitiligo është sëmundje e lehtë ku shfaqen njolla të bardha në lëkurë për shkak të humbjes së pigmentit. Ajo prek rreth 1 për qind të popullsisë globale dhe mund të ndryshojë shumë nga një person te tjetri, disa kanë vetëm pak njolla të vogla, ndërsa të tjerë përballen me zona të mëdha, të kuqe, të inflamuara apo të çngjyrosura.
“Zakonisht, personat me vitiligo nuk përjetojnë shqetësime fizike, por kjo lloj sëmundje mund të shkaktojë shumë vështirësi emocionale”, ka thënë David Rosmarin nga Indiana University, i cili udhëhoqi dy prova klinike për kremin e ri me ruxolitinib.
Kremi, që në SHBA shitet me emrin Opzelura, trajton vitiligon jo-segmentale, forma më e zakonshme, ku njollat e bardha shfaqen në mënyrë simetrike në të dy anët e trupit. Mendohet se kjo formë ndodh kur sistemi imunitar sulmon melanocitet, qelizat që prodhojnë melaninën, pigmentin që i jep ngjyrë lëkurës.
Sipas Emma Rush nga organizata Vitiligo Support UK, ky është trajtimi i parë që është testuar seriozisht dhe që vepron drejtpërdrejt në mekanizmin që shkakton vitiligon.
“Kjo është arsyeja pse ky rekomandim është kaq i rëndësishëm”, ka thënë ajo.
Ruxolitinib funksionon duke bllokuar dy enzima që bëjnë që qelizat imunitare të shkatërrojnë melanocitet. Trajtimet ekzistuese, si kremrat me steroide, mund të rikthejnë pjesërisht pigmentin, por ato shtypin sistemin imunitar në mënyrë më të përgjithshme dhe mund të kenë efekte anësore.
Dy studime të publikuara në vitin 2022 treguan se ruxolitinib rriti pigmentimin dhe e bëri më pak të dukshme vitiligon krahasuar me një krem placebo. Ky efekt u vu re pavarësisht ngjyrës së lëkurës (vitiligo është më e dukshme te personat me lëkurë më të errët) dhe në më shumë se një të tretën e pacientëve që ndaluan trajtimin pas studimit, përmirësimi zgjati të paktën një vit.
Instituti Kombëtar për Shëndet dhe Kujdes të Shkëlqyer në Angli (NICE) më herët pati vlerësuar se ky trajtim nuk ishte me kosto efektive për NHS.
Tani, ai rekomandon që kremi të ofrohet për personat mbi 12 vjeç me vitiligo jo-segmentale, kur trajtimet e tjera lokale nuk kanë funksionuar ose nuk janë të përshtatshme.
“Pacientët dhe mjekët ndonjëherë mendojnë se nuk duhet ta trajtojmë vitiligon, sepse nuk të vret dhe nuk është e dhimbshme”, ka thënë Viktoria Eleftheriadou nga Shoqata Britanike e Dermatologëve. Por ajo thekson se vitiligo mund të ketë pasoja serioze psikologjike, përfshirë rrezik më të lartë për depresion dhe ankth.
Natalie Ambersley, ambasadore për vitiligon në organizatën Changing Faces, ka thënë se njerëzit nuk duhet të gjykohen nëse zgjedhin ta trajtojnë këtë gjendje. Megjithatë, ajo vetë nuk planifikon ta përdorë trajtimin e ri.
“Kam mësuar ta pranoj lëkurën time. Ne jemi unikë dhe mund ta përqafojmë mënyrën si dukemi”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, Emma Rush ka shtuar se është e mrekullueshme që ka njerëz që e duan lëkurën e tyre ashtu si është, por kjo nuk është për të gjithë.
Një version oral i ruxolitinib përdoret për trajtimin e disa llojeve të kancerit dhe artritit reumatoid, por është lidhur me efekte të rënda anësore, si limfoma, probleme me zemrën dhe infeksione serioze. Megjithatë, këto efekte nuk janë raportuar me versionin në formë kremi.
Në dy studimet për vitiligon, efektet anësore ishin të lehta, si akne dhe kruarje.
“Përthithja në organizëm është minimale”, ka thënë Eleftheriadou.
Ruxolitinib konsiderohet gjithashtu më i sigurt se kremrat me steroide, të cilat me përdorim afatgjatë mund të shkaktojnë hollim të lëkurës. Për rastet më të rënda, pacientëve mund t’u ofrohet edhe terapi me rreze ultraviolet, por kjo metodë nuk është lehtësisht e qasshme për të gjithë.