Marrja e suplementeve me kolagjen çdo ditë mund ta bëjë lëkurën më elastike dhe më të hidratuar, por nuk i ndalon rrudhat.
Ky është përfundimi i një rishikimi të ri shkencor, i publikuar në Aesthetic Surgery Journal Open Forum, ka raportuar BBC.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudiuesit kanë analizuar 113 studime me afro 8 mijë persona dhe arritën në përfundim se kapsulat apo pluhuri me kolagjen sjellin “disa përfitime reale” për lëkurën nëse përdoren rregullisht dhe për një kohë të gjatë, por nuk janë zgjidhje e shpejtë kundër plakjes.
Përveç përfitimeve për lëkurën, suplementet me kolagjen mund të ndihmojnë edhe në lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve, artritit dhe ngurtësisë.
Çka është kolagjeni?
Kolagjeni është proteinë që prodhohet natyrshëm nga trupi dhe që forcon lëkurën, thonjtë, eshtrat dhe indet qelizore. Me kalimin e moshës, prodhimi i tij bie, ndërsa kolagjeni ekzistues shpërbëhet më shpejt. Duhani dhe ekspozimi në diell e përkeqësojnë këtë proces.
Rreth menopauzës, gratë humbin edhe më shumë kolagjen, afërsisht një të tretën, sipas studiuesve.
Ekzistojnë disa lloje suplementesh: kolagjen detar, nga bagëtitë (bovine) dhe variante vegane. Megjithatë, rishikimi nuk arriti të tregojë nëse një lloj është më efektiv se tjetri.
“Kolagjeni nuk është zgjidhje për gjithçka”
Studiuesit nga Anglia Ruskin University kanë theksuan se shumë nga studimet për suplementet janë financuar nga industria e suplementeve dhe se shpesh janë bërë “pretendime të forta” për efektet kundër plakjes. Ky rishikim nuk ka pasur financim nga industria.
“Ky studim mbledh provat më të mëdha deri më sot për suplementet me kolagjen. Kolagjeni nuk është kurë për gjithçka, por ka përfitime të besueshme kur përdoret rregullisht me kalimin e kohës, sidomos për lëkurën dhe osteoartritin. Gjetjet tona tregojnë përfitime të qarta në fusha të rëndësishme të plakjes së shëndetshme, duke hedhur poshtë edhe disa mite rreth përdorimit të tij”, ka thënë një nga autorët kryesorë, perofesori Lee Smith.
Sipas tij, nëse “anti-plakje” nënkupton përmirësim të pamjes së jashtme, si ton më i mirë i lëkurës dhe më shumë hidratim, atëherë rezultatet e mbështesin këtë në disa aspekte, por jo si trajtim kundër rrudhave.
Ushqimi ka rol po aq të rëndësishëm
Bridget Benelam, shkencëtare e ushqimit në British Nutrition Foundation, ka thënë se dieta është shumë e rëndësishme për shëndetin e lëkurës.
“Vitamina C ndihmon në formimin e kolagjenit, prandaj është e rëndësishme të merrni mjaftueshëm nga fruta agrume, manaferra, perime jeshile, speca dhe domate. Zinku, që gjendet në mish, pulë, djathë, disa fruta deti, arra, fara dhe drithëra të plota, gjithashtu ndihmon trupin të prodhojë kolagjen”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se shumica e suplementeve me kolagjen janë me origjinë shtazore dhe nuk janë të përshtatshme për veganët (personat që konsumojnë ushqim vetëm me bazë bimore).
Megjithatë, trupi prodhon vetë kolagjen nga aminoacidet që merr nga proteinat në ushqim, si fasulet dhe thjerrëzat, dhe ekzistojnë edhe suplemente vegane në treg.
Doktoresha Tamara Griffiths, presidente e British Association of Dermatologists, e ka mirëpritur studimin, por ka theksuar se duhen më shumë kërkime.
“Nevojiten të dhëna të tjera, me studime dermatologjike të forta dhe të synuara, për të ndërtuar mbi premtimet që ngre ky rishikim sistematik”, ka thënë ajo.