Lifestyle

Epoka e klubeve të natës po përfundon

Disko

Klubet e natës në SHBA dhe Evropë po mbyllen me shpejtësi, në një kontrast të madh me skenën e gjallë të viteve të kaluara.

Në dekadën e fundit, klubet e natës po mbyllen në mënyrë dramatike. Kjo po ndodh për shkak të ndryshimeve te brezi i ri, të cilët preferojnë shoqëri në shtëpi, festivale ose forma alternative argëtimi. Kriza ekonomike dhe taksat janë bërë të papërballueshme, gjë që po konsiderohet të jetë efekt i pandemisë COVID-19 që ndryshoi sjelljet sociale, si dhe presionet e rregulloreve urbanistike.

Nga lokalet ikonike të New Yorkut e deri te ato legjendare në Londër e Paris, rënia është e dukshme. 
Në Francë, që nga vitet 1980 janë mbyllur 70 për qind e klubeve, duke kaluar nga 6,000 në vetëm 1,400. 

Tani të rinjtë preferojnë qëndrim në shtëpi me video-lojëra, rrjete sociale ose mbledhje të vogla me miqtë, sesa dalje në klube.

“Jemi një brez që preferon të jetë më shumë në shtëpi”, thotë një 19-vjeçar për Le Parisien, ka raportuar The Times.

Antonin, i cili ka refuzuar të identifikohet me mbiemër, ka theksuar se kanë ndryshuan zakonet e konsumit.

“Tani dalin vetëm nëse ka diçka vërtet interesante që i tërheq”, ka thënë ai për The Times.

Sipas GlobalData, 21 për qind e Gen Z (gjenerata Z e lindur mes viteve 1990-2010) planifikojnë të dalin më pak jashtë shtëpisë.

Arsyeja? Gjen Z dhe të rinjtë e brezit milenial (gjeneratë e viteve 1980-1990) nuk dalin për të bërë “clubbing” si prindërit e gjyshërit e tyre. 

Shprehitë sociale kanë ndryshuar, dhe pista e vallëzimit nuk është më qendra e jetës shoqërore si në vitet ‘80 dhe ‘90.

Një sondazh i vitit 2024 nga YouGov, ka zbuluar se vetëm 28 për qind e 18 - 34-vjeçarëve në SHBA shkojnë rregullisht në mbrëmje nate, krahasuar me 54 për qind të personave mbi 55 vjeç që kujtojnë se dilnin shpesh kur ishin të rinj.

Një raport i vitit 2023 nga Night Time Industries Association (NTIA) tregon se 31 për qind e klubeve në Britani u mbyllën mes viteve 2020-2023.

Në SHBA, qytete si Los Angeles kanë parë rënie prej 20 për qind të hapësirave të jetës së natës që nga viti 2019, sipas Forbes.

33 për qind e klubeve u mbyllën që nga pandemia, sipas NTIA, dhe ky trend është paralajmëruar si “krizë kulturore”, pati raportuar The Guardian.

Pandemia COVID-19 nuk solli vetëm ndalimin e ngjarjeve, por ndryshoi thellësisht modelin e argëtimit, duke “zhveshur skenën e natës” dhe duke shpejtuar mbylljen në masë të klubeve në Britani dhe SHBA.

Në Osaka, Japoni, analizat tregojnë se masat emergjente si ndalimi i qarkullimit pas një ore të caktuar kanë ndikuar ndjeshëm në praninë e njerëzve në klubet e natës.

"Washington Post" ka raportuar se ka lëvizje drejt formave të reja sociale, si për shembull organizimi i ngjarjeve të ndryshme pa alkool, përdorim i paktë i telefonave, si dhe mbledhi me rreth më të ngushtë, në mënyrë që të promovohet lidhja shoqërore më persona të ftuar që janë të pranishëm në festë apo ngjarje.

Faktorë si qiratë e larta, faturat e energjisë dhe taksat e rritura, janë vënë në pah si barrë e rëndë për pronarët e klubeve.

Por largimi nga klubet nuk po sjell më shumë shoqëri, përkundrazi, të rinjtë janë më të vetmuar se kurrë.

Një sondazh amerikan i vitit 2021 pati treguar se 61 për qind e Gen Z ndihen seriozisht të vetmuar, krahasuar me 44 për qind në vitin 2010.

Numri i shokëve të ngushtë ka rënë ndjeshëm: 15 për qind e burrave dhe 10 për qind e grave të reja raportojnë se nuk kanë asnjë shok të ngushtë.

Edhe lidhjet romantike janë në rënie: në vitin 2020, vetëm 56 për qind e 18-30-vjeçarëve ishin në lidhje, nga 67 për qind në vitin 2000.