Një studim i ri i realizuar nga Uiversiteti Texas A&M sugjeron se përfitimet e kafesë për shëndetin mund të shpjegohen nga aktivizimi i një receptori në organizëm, i quajtur NR4A1, i cili ndihmon trupin të mbrohet nga dëmtimet, inflamacioni dhe sëmundjet që lidhen me plakjen, ka shkruar ScienceDaily.
Prej vitesh, studime të shumta kanë treguar se konsumimi i rregullt i kafesë lidhet me një jetë më të gjatë dhe me rrezik më të ulët për sëmundje si Alzheimeri, Parkinsoni dhe çrregullimet metabolike. Megjithatë, deri më tash nuk dihej saktësisht se si ndodhte ky efekt.
Sipas autorit kryesor të studimit, profesorit Stephen Safe, disa përbërës natyralë të kafesë aktivizojnë receptorin NR4A1, i cili luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet.
“Kafeja ka prej kohësh reputacion si një pije me përfitime për shëndetin. Ne kemi zbuluar se disa nga këto efekte mund të lidhen me mënyrën se si përbërësit e saj ndërveprojnë me këtë receptor, i cili ndihmon organizmin të mbrohet nga dëmtimet e shkaktuara nga stresi”, ka thënë Safe.
Studiuesit zbuluan se receptori NR4A1 aktivizohet kur organizmi përballet me dëmtime të indeve dhe ndihmon në uljen e inflamacionit, riparimin e qelizave dhe mbështetjen e metabolizmit.
Edhe
Koha më e mirë e ditës për të pirë kafe
“Nëse dëmtohet pothuajse çdo ind në trup, NR4A1 aktivizohet për ta kufizuar dëmtimin. Kur ky receptor mungon, dëmtimi bëhet edhe më i madh”, ka shtuar profesori.
Një tjetër zbulim i rëndësishëm ishte se kafeina nuk duket të jetë përbërësi kryesor përgjegjës për këto efekte mbrojtëse. Sipas studiuesve, ndikimin më të madh e kanë komponimet natyrale polifenolike, si acidi kafeik, të cilat gjenden jo vetëm në kafe, por edhe në shumë fruta dhe perime.
“Kafeina lidhet me receptorin, por në modelet tona nuk pati shumë ndikim. Përbërësit polifenolikë janë shumë më aktivë”, thuhet në raportin e studimit.
Në eksperimentet laboratorike, këto substanca ndihmuan në uljen e dëmtimit të qelizave dhe ngadalësuan rritjen e qelizave kancerogjene. Kur studiuesit hoqën receptorin NR4A1 nga qelizat, këto efekte mbrojtëse u zhdukën.
Megjithatë, sipas autorëve, studimi nuk provon se konsumimi i kafesë parandalon sëmundjet. Ai shpjegon vetëm një nga mekanizmat biologjikë që mund të qëndrojnë pas lidhjes së kafesë me një shëndet më të mirë.
Edhe
Dietologët tregojnë çfarë duhet të hani në mëngjes për energji gjatë gjithë ditës
“Ka ende shumë punë për të bërë. Kemi identifikuar një mekanizëm të mundshëm, por duhet të kuptojmë sa i rëndësishëm është ai në organizmin e njeriut”, thuhet në raport.
Sipas studiuesve, zbulimi mund të ndihmojë edhe në zhvillimin e barnave të reja kundër kancerit dhe sëmundjeve të tjera që lidhen me plakjen.