Lifestyle

Anderson bën histori te “Dior”, emërohet drejtor kreativ për linjat për gra dhe burra

Jonathan Anderson

Jonathan Anderson

Foto: Associated Press

Në një lëvizje historike, edhe pse të shumëpritur prej kohësh, gjiganti i luksit LVMH ka njoftuar se e ka emëruar Jonathan Anderson drejtor të ri kreativ të brendit “Dior” për linjat e grave, burrave dhe ‘couture’. Kjo është hera e parë që nga vetë Christian Dior, një disenjator merr drejtimin e plotë të të gjitha degëve të markës ikonike.

“Jonathan Anderson është një nga talentet krijues të brezit të tij”, ka thënë Bernard Arnault, shefi ekzekutiv i LVMH-së, duke e cilësuar vendimin si jo vetëm të rëndësishëm, por edhe si një thyerje të rregullave të kahershme brenda perandorisë së luksit, ka raportuar The New York Times.

Që nga viti 2001, kur LVMH e ktheu linjën e meshkujve të “Dior” nga një licencë në një pjesë thelbësore të markës, është konsideruar e pamundur që një dizajner i vetëm të përballojë ngarkesën prej 10 koleksionesh në vit për një markë që vlerësohet të ketë të ardhura rreth 9 miliardë dollarë.

Megjithatë, duke i besuar gjithçka një disenjatori të vetëm, sipas The New York times, LVMH po rrezikon shumë, si për markën, ashtu edhe për vetë Andersonin, në një kohë të trazuar për industrinë, e cila po përballet me rënie globale të shitjeve për shkak të pasigurisë politike dhe ekonomike.
Vetëm në vitin 2025, 17 marka kanë emëruar disenjatorë të rinj, përfshirë katër brenda LVMH-së. Emërimi i Andersonit shënon edhe përfundimin e një prej sagave më të zgjatura të pasardhësve në modën moderne.

Spekulimet nisën në shtatorin e kaluar dhe u përforcuan në muajin janar kur Kim Jones, atëherë drejtor artistik i “Dior” për meshkuj, dha dorëheqje. Anderson u emërua në muajin prill, por në mënyrë të çuditshme Arnault e bëri njoftimin gjatë një takimi me aksionarët, pa asnjë komunikatë zyrtare. Ndërkohë, disenjatorja Maria Grazia Chiuri mbeti në drejtim të linjës për gra. Vetëm javën e kaluar, Chiuri ka prezantuar një sfilatë të “Dior Cruise” në Romë dhe, dy ditë më pas, u njoftua largimi i saj. E hëna, sipas Times, ishte thjesht epilogu i kësaj drame.

“Ndryshimi në drejtim krijues sjell një mundësi të re për të ringjallur markën”, ka shkruar analisti i luksit Luca Solca, pas largimit të Chiurit.

Nga “Loewe” te “Dior”: Si arriti Jonathan Anderson të bëhet “njeriu i momentit”?

Jonathan Anderson, 40 vjeç, është pjesë e LVMH-së që nga viti 2013, kur u emërua si disenjator i brendit “Loewe”, një markë spanjolle e lëkurës që dikur ishte në hije. Në 11 vjet, ai e ktheu “Loewen” në një nga markat më të mira në modë, me të ardhura që sot vlerësohen në 2 miliardë dollarë në vit.

Krijime të mëparshme nga  J.W. Anderson

Ai gjeti balancën midis koleksioneve konceptuale që tërheqin vëmendjen dhe produkteve komerciale që shesin. Disa nga krijimet e tij përfshijnë fustane me makina në fund apo fustane të mbuluar me mikrorruaza që imitojnë tapetet anglezë, krahas aksesorëve si çanta e quajtur Puzzle dhe këpucë me vezë të skuqura nën takë, të gjitha krijime të dashura nga personazhet VIP në kërkim të diçkaje ndryshe.

Dy versione të çantës  që quhet Puzzle

Në vitin 2024, “Loewe” ishte sponsori kryesor i ngjarjes kryesore të modës “Met Gala”, ndërsa Anderson qëndronte në pritje krah kryeredaktores së prestigjiozes “Vogue”, Anna Wintour, e cila pati një veshje të sipërme të qëndisur nga “Loewe” mbi fustanin “Loewe”.

Anna Wintour me veshje nga "Loewe" më "Met Gala" 2024

Së fundmi, ai ka bashkëpunuar edhe me regjisorin Luca Guadagnino, për veshjet e filmave “Challengers” dhe “Queer”, duke forcuar profilin e tij mes artit dhe pop-kulturës.

Presioni te “Dior”: Nuk ka kohë për përshtatje
Përkundër arritjeve të shumta, “Dior” përbën një sfidë të madhe. Ndryshe nga “Loewe”, ku pati kohë të krijojë qetësisht, te “Dior” nuk ka periudhë prove. Kjo është marka më e rëndësishme brenda perandorisë LVMH dhe gjeneron rreth 20 për qind të të ardhurave nga moda dhe artikujt prej lëkure.

“Dior” është marka e zemrës së Bernard Arnaultit, por u cilësua si “performuese e ligë” në rezultatet financiare të vitit 2024 nga Cécile Cabanis, shefe e financave në LVMH-së. Presioni është i lartë dhe Anderson duhet të fillojë të ndryshojë këtë prirje që nga sfilata e tij e parë e koleksionit për burra në muajin qershor, ndjekur nga ajo për gra në muajin tetor.

Në mënyrë që të fokusohet plotësisht te “Dior”, Anderson ka pezulluar përkohësisht sfilatat zyrtare të markës së tij personale “JW Anderson”. Në vend të tyre, do të realizohen ngjarje që theksojnë “zanatin lokal përtej modës”, sipas CEO-së së markës, Jenny Galimberti.

“Të marrësh këtë rol është nder i madh”, ka thënë Anderson në njoftimin për shtyp.