Lifestyle

Jacquemus emëron gjyshen ambasadore të parë zyrtare të brendit

Jacquemus

Jacquemus

Disenjatori i mirënjohur i veshjeve, Simon Porte Jacquemus e ka emëruar gjyshen e tij, Liline Jacquemus, si ambasadoren e parë zyrtare të brendit të tij “Jacquemus”.

Lajmin e ka bërë të ditur vet disenjatori përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Instagram.

“Jam krenar t’jua prezantoj ambasadoren tonë të parë ‘Jacquemus’: gjyshen time, Liline Jacquemus”, ka shkruar disenjatori, duke shtuar se para çdo gjëje, ishte ajo, siç ka thënë, “Ikona origjinale”.

Liline Jacquemus ka lindur në vitin 1946 dhe është rritur në Alleins, një fshat i vogël në jug të Francës. Ajo është rritur mes fushave, diellit dhe thjeshtësisë, nga një nënë italiane e vetme.

“S’kishte ‘Jacquemus’ atëherë, por ajo ishte frymëzimi im që nga fillimi. Forca e saj, eleganca, autenticiteti… ajo ka formësuar mënyrën si i shoh gratë dhe si e imagjinoj këtë brend”, ka thënë tutje disenjatori.

Ai e ka përshkruar gjyshen e tij si figurë të dashur dhe qendrore për brendin.

“E duam, jemi të fiksuar pas saj… dhe si ambasadore, ja disa nga ‘kushtet’ për të”, shkruan ai me humor, duke renditur një seri rregullash simbolike.

Sipas këtyre “angazhimeve”, ambasadorja duhet të veshë gjithmonë “Jacquemus”, pa përjashtime.

Brendi ka fjalën e fundit për pamjen, flokët, grimin dhe stilimin, nuk lejohen bashkëpunime të tjera sepse “ajo nuk është trend, por angazhim”, duhet të jetë gjithmonë në rreshtin e parë në sfilata, “si në një darkë familjare”.

Poashtu, ambasadorja “nuk duhet të shihet, fotografohet apo lidhet emocionalisht me asnjë shtëpi tjetër mode”, nuk duhet të përmendë emra markash të tjera dhe nuk duhet të veshë asgjë që nuk është “Jacquemus”, madje as “diçka të rehatshme”, sepse, sipas disenjatorit, “rehatia është konceptuale”.

Një tjetër rregull: të mos pëlqejë postime të brendeve të tjera, të mos përdorë fjalën “brand”, por “family”, dhe pyetjes “A je ekskluzive?” t’i përgjigjet gjithmonë: “Bien sûr!”(Sigurisht).

“Ambasadorja nuk duhet t’i heqë kurrë veshjet ‘Jacquemus’, as në shtëpi, as natën, as në ëndrra. Dhe duhet të buzëqeshë. Gjithmonë. Ashtu siç duhet të bëjmë të gjithë”, ka përfunduar Jacquemus.

Fotografitë janë realizuar në shtëpinë e Jacquemusit në jug të Francës, ndërsa në sfond shfaqet një vepër e artistit të mirënjohur Pablo Picasso.

Ani pse ndër vite ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si arstistja Jennie nga K-pop, ylli televiziv Kendall Jenner dhe këngëtari Bad Bunny, disenjatori e ka quajtur gjyshen e tij “gruan më të veçantë në jetën time”, ka raportuar WWD.

Ajo u shfaq së fundmi në një video ku Jacquemus i dhuron asaj çantën më të re të brendit, të quajtur Valérie, në nder të nënës së tij të ndjerë dhe vajzës së Lilines.

Liline Jacquemus është një figurë e njohur në sfilatat e “Jacquemus” dhe ka debutuar si modele për këtë shtëpi të modës në vitin 2020, gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Shumë përpara se brendi të ekzistonte, ajo ishte burim frymëzimi. Forca, eleganca dhe autenticiteti i saj kanë formësuar vizionin e Simon Porte Jacquemus dhe vazhdojnë të përcaktojnë shpirtin e ‘Jacquemus’. Për të, ajo mishëron gruan ideale ‘Jacquemus’”, thuhet në deklaratën e brendit për WWD.

Jacquemus, i cili krenohet me rrënjët e tij rurale, e quajti koleksionin e fundit “Le Paysan”.

“Me këtë emërim, Simon Porte Jacquemus nderon gratë që e kanë rritur dhe trashëgiminë që i kanë përcjellë. Më shumë se një ambasadore, Liline Jacquemus përfaqëson shpirtin e shtëpisë së modës dhe kujtesën e përjetshme se ‘Jacquemus’ është mbi të gjitha një histori origjinash”, thuhet më tej në deklaratë.

Që nga themelimi i brendit në vitin 2009, “Jacquemus” është bërë i njohur për sfilatat në lokacione spektakolare, nga fushat e livandës e deri te Pallati i Versajës.

Koleksioni i radhës pritet të prezantohet në Muzeun Picasso.