Shkencëtarët po përdorin inteligjencën artificiale (AI) dhe mësimin makinerik për të përshpejtuar krijimin e antibiotikëve të rinj, ndërsa bakteret rezistente vazhdojnë të paraqesin rrezik global.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se rezistenca ndaj antibiotikëve është rritur deri në 15 për qind çdo vit mes viteve 2018 dhe 2023, ka raportuar Financial Times.
Në vitin 2023, një në gjashtë infeksione të zakonshme bakteriale nuk u përgjigj ndaj trajtimeve me antibiotikë. Për shembull, rezistenca ndaj salmonelës është rritur kryesisht për shkak të përdorimit të antibiotikëve te kafshët.
Sipas OBSH-së, 15-20 për qind e infeksioneve rezistente janë fatale, dhe për personat me HIV rreziku është edhe më i lartë.
Problemi është thelluar pas pandemisë së Covid-19.
Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (USCDC) ka raportuar se infeksionet rezistente në spitale u rritën me 20 për qind gjatë pandemisë, dhe nivelet mbetën të larta edhe më vonë. Në vitin 2022, pothuajse të gjitha infeksionet rezistente ishin ende mbi nivelet e para pandemisë.
AI në ndihmë të antibiotikëve të rinj
Në vitin 2020, një grup shkencëtarësh krijuan projektin “Phare Bio”, me financim nga qeveria e SHBA-së dhe nga Google, për të përdorur mësimin makinerik për të dizajnuar antibiotikë të rinj.
Këtë vit, ata kanë njoftuar se kishin krijuar dy antibiotikë eksperimentalë, të aftë të sulmojnë bakteret rezistente dhe MRSA-në, një nga bakteret më të rrezikshme.
“Aktualisht, modelet e AI po funksionojnë mirë për të projektuar molekula që sulmojnë bakteret në një pjatë laboratorike. Tani po punojmë që AI të na ndihmojë të arrijmë efikasitet në organizma të gjallë, fillimisht te kafshët dhe më pas te njerëzit”, ka thënë James Collins nga MIT, drejtor i projektit dhe bashkethemelues i “Phare Bio”.
Ai ka shtuar se synimi është kalimi drejt provave klinike dhe gjetja e investitorëve për komercializim.
Megjithatë, edhe pse industritë farmaceutike kanë investuar miliarda në AI, deri më sot nuk ka asnjë ilaç të miratuar që është zbuluar plotësisht nga AI.
Pengesat financiare
Sektori i antibiotikëve lufton me mungesë investimesh. Ani pse AI tërheq financime të mëdha, antibiotikët nuk konsiderohen të leverdishëm, shiten lirë dhe, paradoksalisht, shpesh mbahen në rezervë për rastet e fundit, që u ul vlerën tregtare.
Zbulime të reja
Një tjetër qasje premtuese vjen nga gjenomika.
Gjenomi është e gjithë përmbajtja gjenetike e një organizmi, i gjithë informacioni që bartin qelizat për t'u ndërtuar e për të funksionuar.
Dy studiues nga Universiteti Rockefeller, Ján Burian dhe Sean Brady, përdorën AI dhe mjetet e sekuencimit të Oxford Nanopore për të identifikuar qindra gjenome të reja bakteriale që mund të përdoren për antibiotikë të rinj.
Duke renditur fragmente të ADN-së në sekuenca më të gjata, ata identifikuan dy antibiotikë premtues kundër infeksioneve stafilokoksike dhe baktereve të rrezikshme spitalore.
“Nëse shkel në tokë jashtë, po shkel mbi mijëra baktere që mund të prodhojnë ilaçe shpëtimtare. Traditionalisht procesi ka qenë i ngadalshëm, por mësimi makinerik mund të ndihmojë në parashikimin e molekulave të duhura duke ‘deshifruar natyrën me mjete moderne’”, ka shpjeguar Brady.
Edhe këtu, financimi mbetet problem. Interesimi i tregu për pajisjet e sekuencimit ka rënë, ndërsa universitetet dhe bioteknologjitë përballen me kufizime buxhetore.
“Nuk ka asnjë interes financiar, dhe kjo është gjëja më e trishtë sot”, ka shtuar Brady me zhgënjim.
Ai ka përshëndetur investimin 50 milionë dollarësh të Fondacionit Gates për luftimin e rezistencës antimikrobike, por ka theksuar se duhet bërë shumë më tepër.
“Zgjidhjet për antibiotikët duhet të shihen si arritje jetësore që mund të shpëtojë miliona jetë. Por shoqëria thjesht ngurron të investojë për ta bërë këtë”, ka thënë ai.