Lifestyle

Studimi i ri tregon se mund të mos keni fare nevojë të hiqni dorë nga gjalpi dhe djathi

Gjalpi dhe djathi

Gjalpi dhe djathi

Mund ta shijoni konsumimin e gjalpit, por prej dekadash ka shqetësime nëse është e shëndetshme, shkaku i yndyrave të ngopura që përmban. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se për shumë njerëz, ulja e konsumit të këtyre yndyrave nuk e zvogëlon rrezikun e vdekjes, ka raportuar The Independent.

Yndyrat e ngopura, të cilat gjenden natyrshëm në mishin e kuq dhe produktet e qumështit si djathi dhe kosi, për një kohë të gjatë janë konsideruar si “armiq” të shëndetit. Ato janë lidhur me bllokimin e arterieve dhe me rritjen e rrezikut për sulme në zemër dhe tru. Konsumimi i lartë i tyre është parë tradicionalisht si një nga faktorët kryesorë që dëmton shëndetin e zemrës, ndaj edhe janë vendosur në qendër të fushatave shëndetësore dhe udhëzimeve ushqimore.

Zyrtarët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë (NHS) kanë deklaruar se pranojnë që “një sasi e vogël yndyre është pjesë thelbësore e një diete të shëndetshme dhe të balancuar”, por këshillojnë që burrat të mos konsumojnë më shumë se 30 gramë yndyrë të ngopur në ditë, ndërsa gratë jo më shumë se 20 gramë. Sipas tyre, sa më pak, aq më mirë.

Por një analizë e madhe shkencore, që përfshiu 17 studime dhe gjithsej 66,337 persona, ka treguar se vetëm individët me rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare përfituan nga ulja e konsumit të yndyrave të ngopura.

“Te personat me rrezik të ulët për sëmundje të zemrës, ulja ose ndryshimi i konsumit të yndyrave të ngopura ka pak ose aspak përfitim gjatë një periudhe pesëvjeçare”, thuhet në raportin e ekipit të studiuesve që u publikua në revistën mjekësore Annals of Internal Medicine.

Megjithatë, ata shtojnë se “te personat me rrezik të lartë kardiovaskular, ka prova të mjaftueshme që tregojnë ulje të rëndësishme të vdekshmërisë dhe ngjarjeve serioze kardiovaskulare”.

Në një editorial të botuar krahas studimit, profesorët Ramon Estruch dhe Rosa Lamuela-Raventós nga Universiteti i Barcelonës sugjerojnë se perceptimi për yndyrat e ngopura ka ndryshuar ndjeshëm.
“Kohët po ndryshojnë”, shkruajnë ata, duke cituar artistin Bob Dylan, dhe sqarojnë se kjo vlen veçanërisht për debatin rreth yndyrave të ngopura.

“Sot, perceptimi për efektet shëndetësore të yndyrave të ngopura ka kaluar nga diçka plotësisht e dëmshme, në ndikim të ndërmjetëm, e madje për disa lloje, mund të ketë edhe efekte mbrojtëse për sëmundjet e zemrës dhe sëmundje të tjera kronike”, kanë theksuar ata.

Sipas tyre, teoria e njohur si “hipoteza dietë-zemër”, që fajëson yndyrat e ngopura për sëmundjet e zemrës, u zhvillua në mesin e shekullit XX dhe u përhap shpejt, duke promovuar idenë se këto yndyra rrisin nivelin e yndyrës së pashëndetshme në gjak dhe shkaktojnë sëmundje të zemrës.

Kjo hipotezë, sipas autorëve, “bazohet më shumë në lidhje të dobëta mes faktorëve, sesa në prova të drejtpërdrejta shkak-pasojë”.

Ata theksojnë se një dietë e shëndetshme duhet të përfshijë yndyra të pangopura, si ato mono dhe poli të pangopura, si dhe disa lloje specifike të yndyrave të ngopura, të cilat mund të kenë përfitime për shëndetin kur konsumohen në kuadër të një diete të balancuar.

Megjithatë, udhëzimet zyrtare të NHS-it mbeten të pandryshuara.

“Shumë yndyrë në dietë, sidomos yndyra të ngopura, mund ta rrisë nivelin e yndyrave të dëmshme dhe rrezikun për sëmundje të zemrës”, thuhet në këshillat aktuale, duke rekomanduar zëvendësimin e yndyrave të ngopura me ato të pangopura.

Ekspertë të tjerë janë shprehur të rezervuar.

Profesoresha Nita Forouhi nga Universiteti i Cambridge, e cila nuk ishte e përfshirë në studim, ka theksuar se analiza nuk ka shqyrtuar efektet afatgjata, për shembull për një periudhë 10-vjeçare, që zakonisht përdoret për vlerësimin e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

“Për këtë arsye, do të ishte e parakohshme të ndryshoheshin udhëzimet aktuale ushqimore që rekomandojnë kufizimin e yndyrave të ngopura në më pak se 10 për qind të energjisë totale ditore”, ka thënë ajo.