Zyrtarët shtetërorë përmendën faktorë të ndryshëm për rënien, si mediat sociale dhe fushatat e edukimit shëndetësor për të paralajmëruar publikun për rreziqet e përdorimit të drogës; trajtimi i zgjeruar i varësisë - duke përfshirë tele-shëndetin - dhe shpërndarjen më të gjerë të medikamentit për kthimin e mbidozës nalokson
Vdekjet nga mbidoza e drogës në SHBA u rritën pak nga viti i kaluar pas dy kërcimeve të mëdha gjatë pandemisë.
Zyrtarët e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë treguar se shifrat u rritën për pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Ekspertët nuk janë të sigurt nëse kjo do të thotë se epidemia më vdekjeprurëse e mbidozës së drogës në historinë e SHBA-së më në fund po arrin kulmin, apo nëse do të duket si rastet e mëparshme që u pasuan nga rritje të reja të vdekjeve.
“Fakti që duket se po rrafshohet, të paktën në nivel kombëtar, është inkurajues”, ka theksuar Katherine Keyes, profesoreshë epidemiologjie në Universitetin e Kolumbisë, kërkimi i së cilës fokusohet në përdorimin e drogës. “Por këto shifra janë ende jashtëzakonisht të larta. Ne nuk duhet të sugjerojmë se kriza ka mbaruar në asnjë mënyrë”.
Shifrat e fundit
Rreth 109.680 vdekje nga mbidoza ndodhën vitin e kaluar, sipas të dhënave të postuar nga CDC-ja. Kjo është rreth 2 për qind më shumë se 107.622 vdekjet nga mbidoza në SHBA në vitin 2021, por asgjë si rritja prej 30 për qind e parë në 2020 dhe rritja 15 për qind në 2021.
Teksa numri i përgjithshëm kombëtar ishte relativisht statik midis viteve 2021 dhe 2022, pati ndryshime dramatike në një numër shtetesh: 23 raportuan më pak vdekje nga mbidoza, një - Iowa - nuk regjistroi asnjë ndryshim dhe pjesa tjetër vazhdoi të rritet.
Tetë shtete - Florida, Indiana, Kentaki, Marilendi, Miçigani, Ohajo, Pensilvania dhe Virxhinia Perëndimore - raportuan ulje të konsiderueshme të vdekjeve nga mbidoza prej rreth 100 ose më shumë krahasuar me vitin e kaluar kalendarik.
Disa nga këto shtete kishin disa nga normat më të larta të vdekjeve nga mbidoza gjatë epidemisë, për të cilën Keyes ka treguar se mund të jetë shenjë se vitet e punës së përqendruar për të adresuar problemin po japin rezultat. Zyrtarët shtetërorë përmendën faktorë të ndryshëm për rënien, si mediat sociale dhe fushatat e edukimit shëndetësor për të paralajmëruar publikun për rreziqet e përdorimit të drogës; trajtimi i zgjeruar i varësisë - duke përfshirë tele-shëndetin - dhe shpërndarjen më të gjerë të medikamentit për kthimin e mbidozës nalokson.
Plus, stigma që i pengoi përdoruesit e drogës të kërkonin ndihmë - dhe disa mjekë dhe zyrtarë policie që t'i ndihmonin ata - po zbehet, ka thënë dr. Joseph Kanter, zyrtar i shëndetësisë shtetërore për Luizianën, ku vdekjet nga mbidoza ranë me 4 për qind vitin e kaluar.
“Ne po e arrijmë hapin dhe batica po kthehet – ngadalë”, ka bërë të ditur Kanter, shteti i të cilit ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve nga mbidoza në vend.
Duke filluar nga mesi i viteve 1990, abuzimi i qetësuesve opioidë me recetë ishte shkaktar për vdekjet përpara një kthese graduale te heroina, e cila në vitin 2015 shkaktoi më shumë vdekje sesa qetësuesit kundër dhimbjeve me recetë ose barna të tjera. Një vit më vonë, fentanili më vdekjeprurës dhe barnat pothuajse me të njëjtin ndikim u bënë vrasësi më i madh.
Vitin e kaluar, shumica e vdekjeve nga mbidoza vazhduan të lidhen me fentanilin dhe opioidet e tjera sintetike. Rreth 7.000, apo 4 për qind më shumë se një vit më parë. Kishte gjithashtu një rritje prej 11 për qind të vdekjeve nga kokaina dhe një rritje prej 3 për qind të vdekjeve nga meta dhe stimulues të tjerë.
Zëvendësimi i barnave
Vdekjet nga mbidoza shpesh i atribuohen më shumë se një bari; disa njerëz marrin droga të shumta dhe zyrtarët thonë se fentanili i lirë pritet të jetë gjithnjë e më shumë në barna të tjera, shpesh pa dijeninë e blerësve.
Hulumtimi nga doktor Daniel Ciccarone, ekspert i politikave të drogës në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, sugjeron se "duket se po ndodh një zëvendësim", me një numër njerëzish që përdorin droga të paligjshme duke u kthyer në metamfetaminë ose opsione të tjera për të provuar të qëndrojnë larg fentanilit dhe barnave të ndotura me fentanil.
Ciccarone ka theksuar se ai beson se vdekjet nga mbidoza më në fund do të ulen. Ai përmendi përmirësimet në risitë në këshillimin dhe trajtimin e varësisë, disponueshmërinë më të mirë të naloksonit dhe veprimet ligjore që çuan në më shumë se 50 miliardë dollarë në zgjidhjet e propozuara dhe të finalizuara - para që duhet të jenë në dispozicion për të forcuar parandalimin e mbidozës.
“Ne kemi bërë shumë për këtë problem 20-vjeçar të mbidozës së opioideve”, ka theksuar ai. “Duhet ta ulim lakoren teposhtë”.
Por ai gjithashtu shprehu njëfarë kujdesi, duke thënë “ne kemi qenë në këtë pikë edhe më parë”.
Konsideroni vitin 2018, kur vdekjet nga mbidoza ranë me 4 për qind nga një vit më parë, në rreth 67.000. Pasi dolën këto shifra, presidenti i atëhershëm, Donald Trump ka deklaruar se “ne po frenojmë epideminë e opioideve”.
Por vdekjet nga mbidoza u rritën më pas në një rekord 71.000 në vitin 2019, më pas u rritën gjatë pandemisë COVID-19 në 92.000 në vitin 2020 dhe 107.000 në 2021.
Bllokimet dhe kufizimet e tjera të epokës së pandemisë izoluan njerëzit me varësi nga droga dhe e bënë më të vështirë trajtimin, thanë ekspertët.
Keyes beson se numrat e vitit 2022 nuk u përkeqësuan pjesërisht sepse izolimi u lehtësua ndërsa pandemia u zbeh. Por mund të ketë probleme përpara, thonë të tjerë, si rritja e zbulimit të qetësuesit xylazine në furnizimin e paligjshëm të barnave dhe propozimet për të pakësuar gjëra të tilla, si përshkrimi i medikamenteve për varësinë përmes tele-shëndetit.
Përktheu: Blerta Haxhiu