Lifestyle

Ekspertët paralajmërojnë se ushqimi shumë i përpunuar është kërcënim global për shëndetin

Ushqimi shumë i përpunuar

Ekspertë ndërkombëtarë, përmes një përmbledhjeje globale të hulumtimeve, kanë paralajmëruar se nevojiten veprime urgjente për të zvogëluar praninë e ushqimeve shumë të përpunuara (UPF) në dieta në mbarë botën, për shkak të rreziqeve që paraqesin për shëndetin, shkruan BBC.

Sipas tyre, mënyra jonë e të ushqyerit po ndryshon – nga ushqimet e freskëta dhe natyrale, drejt ushqimeve të lira dhe shumë të përpunuara – gjë që po e rrit rrezikun për një sërë sëmundjesh kronike, përfshirë obezitetin dhe depresionin.

Në një artikull të botuar në “The Lancet”, studiuesit u bëjnë thirrje qeverive që “të veprojnë” duke vendosur paralajmërime dhe taksa më të larta për këto produkte, me qëllim që të sigurohen fonde për qasje në ushqime më të shëndetshme.

Megjithatë, disa shkencëtarë theksojnë se ky vlerësim nuk mund të dëshmojë drejtpërdrejt se ushqimet shumë të përpunuara shkaktojnë dëm për shëndetin, dhe se nevojiten më shumë studime e prova shtesë.

Ushqimet shumë të përpunuara zakonisht përmbajnë më shumë se pesë përbërës që zakonisht nuk gjenden në kuzhinën e shtëpisë, si emulsifikues (që përdoret për t’i bërë bashkë dy substanca që normalisht nuk përzihen bashkë – zakonisht uji dhe yndyra), konservues, aditivë, ngjyrues dhe ëmbëlsues.

Shembuj të këtyre ushqimeve përfshijnë sallamet, patatinat, brumërat e gatshëm, biskotat, supat që zakonisht përgatitet vetëm duke i shtuar ujë të nxehtë, pijet e gazuara, akulloret dhe bukën e prodhuar industrialisht.

Anketat tregojnë se këto ushqime të prodhuara industrialisht po zënë gjithnjë e më shumë vend në dieta në të gjithë botën, duke e ulur cilësinë e ushqyerjes për shkak të sasive të mëdha të sheqerit dhe yndyrnave të pashëndetshme, si dhe mungesës së fibrave dhe proteinave.

Vlerësimi i kryer nga 43 ekspertë ndërkombëtarë, i bazuar në 104 studime afatgjata, sugjeron se ushqimet shumë të përpunuara lidhen me rrezik më të lartë për 12 gjendje shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e veshkave, depresionin dhe vdekshmërinë e parakohshme nga çdo shkak.