Lifestyle

Deri ku ka arritur kërkimi për kurën e Alzheimerit?

Alzheimer

Pas dekadash kërkimesh të pasuksesshme, dy barna të reja dhe një test i ri gjaku kanë sjellë së fundmi shpresë për pacientët me Alzheimer, megjithëse ende shumë pyetje mbesin pa përgjigje lidhur me efektivitetin e tyre.

Sëmundja e Alzheimerit përbën rreth 70 për qind të rasteve të demencës në botë dhe është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë te të moshuarit, ka shkruar Science Alert.

Sa efektive janë barnat e reja?

Kompania amerikane Eli Lilly me ilaçin donanemab dhe firmat Biogen e Eisai me lecanemab janë të parat që kanë provuar se ngadalësojnë dukshëm përparimin e Alzheimerit. Lecanemab shitet nën emrin tregtar Leqembi dhe tashmë është miratuar në shumë vende, përfshirë SHBA-në.

Megjithatë, trajtimet janë shumë të shtrenjta, funksionojnë vetëm në fazat e hershme dhe mund të shkaktojnë efekte anësore serioze, përfshirë gjakderdhje në tru. Për këtë arsye, disa shtete kanë vendosur të mos i rimbursojnë. Autoritetet shëndetësore franceze dhe britanike kanë refuzuar pagesën e tyre duke thënë se “përfitimet nuk e justifikojnë koston”.

Neurologu holandez Edo Richard mbetet skeptik.

“Shumë pacientë me biomarkerë të pazakontë kurrë nuk zhvillojnë demencë. Po ashtu, edhe barnat e reja kanë efikasitet të kufizuar”, ka thënë ai.

Derisa deri tani Alzheimeri është diagnostikuar kryesisht me analizimin e lëngut të nxjerrë nga palca kurrizore, një metodë e kushtueshme dhe e dhimbshme, një test i gjakut që zbulon shënuesit biologjikë të sëmundjes është zhvilluar së fundi.

SHBA-ja e ka miratuar testin që nga muaji maj, ndërsa në Evropë ende nuk ka miratim. Britania ka nisur një provë klinike kombëtare.

Dilema është nëse testi i gjakut do të mjaftojë për diagnozë të saktë. Vitin e kaluar, Shoqata Amerikane e Alzheimerit ndryshoi kriteret dhe deklaoi se “vetëm biomarkerët janë të mjaftueshëm”. Por shumica e specialistëve evropianë nuk pajtohen dhe kërkojnë ekzaminim klinik të plotë.

A mund të parandalohet Alzheimeri?
Një pikë dakordësie mes ekspertëve është se rreziku rritet nga faktorë si obeziteti, pirja e duhanit, alkooli, mungesa e aktivitetit fizik dhe humbja e dëgjimit. Një rishikim i botuar në The Lancet tregon se “gati gjysma e rasteve lidhen me këta faktorë”.

Studime të shumta po shqyrtojnë nëse stili i shëndetshëm i jetesës mund ta ngadalësojë sëmundjen. Një studim i publikuar në JAMA gjeti se pacientët që morën mbështetje intensive për ushqyerje e aktivitet fizik për dy vjet patën ngadalësim të lehtë të rënies së aftësive njohëse.

“Për familjet e prekura, ky progres mund të duket i vogël. Por krahasuar me disa vite më parë, është tashmë një hap i madh”, ka thënë epidemiologia franceze Cecilia Samieri.

Ajo shtoi se vetëm studimet afatgjata, 10 deri në 15 vjet, mund të tregojnë me të vërtetë sa ndikojnë këto ndërhyrje.