Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Çka janë vajrat e farave dhe a janë të rrezikshme për shëndetin?

Vajrat

Vajrat

Vajrat nga farat janë bërë temë e diskutimeve të shumta, duke shkaktuar shqetësime se mund të ndikojnë negativisht në shëndet.
CBS News ka shkruar se një studim i publikuar javën e kaluar në revistën Gut nxiti raportime tituj që ndërlidhën vajrat nga farat me kancerin e zorrës së trashë, por disa ekspertë kanë thënë se këta tituj janë të pasaktë.

Çfarë janë vajrat nga farat?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndryshe nga vajrat e tjera bimore, të cilat nxirren nga frutat e bimëve, vajrat nga farat nxirren nga farat e bimëve. 
Për shembull, vaji i lulediellit është i bërë nga farat e lulediellit, duke e bërë atë një vaj nga farat, ndërsa vaji i ullirit është i bërë nga ullinjtë, frutat e bimës.

Disa vajra nga farat, si vaji i susamit, gjithashtu kanë aromë dhe mund të shtojnë shije në ushqime, duke i bërë ato të popullarizuar në kuzhina.

A paraqesin rreziqe për shëndetin?

“Pas analizimit të të dhënave që kemi, vajrat nga farat nuk paraqesin rreziqe për shëndetin. Në fakt, kur shikohet në të dhënat tona, përdorimi i vajrave nga farat, në vend të yndyrave si gjalpi dhe yndyrave nga kafshët, përmirëson nivelet e kolesterolit dhe ul rrezikun e sëmundjeve si sëmundjet e zemrës dhe diabeti tip 2”, ka thënë për CBS News Kristina Petersen, profesoreshë e shkencave ushqimore në Universitetin e Pensilvanisë.

Doktori Steven Shamah, nga spitali "Lenox Hill", ka theksuar për CBS News, se çdo gjë duhet të konsumohet me masë.

“Si të gjitha vajrat e tjera, vajrat nga farat përmbajnë yndyra, të cilat janë të rëndësishme për ushqyerje të ekuilibruar, por në sasi të caktuara. Lloji i yndyrës, e ngopur ose e pangopur, është gjithashtu i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Yndyrat e ngopura, që gjenden te mishi, qumështi dhe arra e kokosit mund të rrisin nivelet e kolesterolit, prandaj rekomandohet konsumi i kufizuar i tyre.

Shoqata Amerikane e Zemrës rekomandon që jo më shumë se 5 deri 6% e kalorive ditore të merren nga yndyrat e ngopura.

Vajrat nga farat janë të pasura me yndyra të pangopura. Studimet sugjerojnë se këto yndyra mund të ulin nivelin e kolesterolit “të keq" dhe të rrisin nivelin e "e mirë” të tij.

“Këto vajra gjithashtu janë të pasura me acidin yndyror omega-6, linoleik, i cili, ani se është thelbësor për funksionet e trupit, duhet të balancohet me acide yndyrore omega-3. Acidi linoleik, që gjendet zakonisht në vajrat nga farat, është i dobishëm në sasi të vogla, por në sasi të mëdha, është i dëmshëm për bakteret e dobishme të mikrobiomit”, ka thënë Shamah.

Ai ka shtuar se konsumimi i tepërt mund të jetë i zakonshëm në dietat moderne, pasi vajrat nga farat janë të pranishme në shumë ushqime të përpunuara.

Pse disa i konsiderojnë të këqija për shëndetin vajrat nga farat? 

Kritikët e vajrave nga farat thonë se acid yndyror omega-6 që gjendet në këto vajra, shndërrohet në toksina kur përdoret për gatim, duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore si inflamacioni, dobësimi i sistemit imunitar dhe kontribuimi në sëmundje kronike.

Përkundër kësaj, ekspertët thonë se ky shndërrim i acidit linoleik në acid arahidonik nuk është shkak për shqetësim.

Petersen ka thënë se këto pohime për “produkte toksike” janë të zakonshme nëpër rrjete sociale, por të dhënat e provave klinike tregojnë se shenjat e inflamacionit nuk ndryshojnë kur njerëzit konsumojnë acidin omega-6, linoleik.

Gjithashtu, vetëm një pjesë e vogël (rreth 0.2%) e omega-6 shndërrohet në acid arahidonik, sipas Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts.

Doktori Christopher Gardner, profesor i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Stanfordit dhe shkencëtar i ushqimit, ka thënë për Shoqatën Amerikane të Zemrës se ky argument rreth acideve yndyrore omega-6 është i gabuar.

Ani pse omega-6 mund të jetë proinflamator, niveli i inflamacionit që është i lidhur me të nuk është dëshmuar të jetë i dëmshëm.

“Omega-6 është yndyrë e polisaturuar, për të cilën trupi ka nevojë, por nuk mund ta prodhojë vetë, prandaj duhet të merret nga ushqimi. Yndyrat e polisaturuara ndihmojnë trupin të ulë kolesterolin e keq, duke ulur rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Shoqata Amerikane e Zemrës mbështet përfshirjen e acideve yndyrore omega-6 si pjesë të një diete të shëndetshme”, ka thënë Gardner.

Një shqetësim më i madh duhet të jetë mosndërgjegjësimi për sasinë e vajrave nga farat që duhet të konsumohen, pasi ato janë të pranishme edhe në shumë ushqime të përpunuara. 

Lista e vajrave të zakonshme nga farat:

Canola

Misri

Luledielli

Farat e kungullit

Farat chia

Susami

Kikiriku

Farat e rrushit

Soja

Lista e vajrave të zakonshme që nuk krijohen nga farat:

Ulliri

Avokadoja

Arra e kokosit