Një studim i ri, i botuar në revistën PLOS One, ka zbuluar se ekspozimi i fetusit ndaj dy përbërësve kryesorë të lëngjeve për cigare elektronike, edhe kur nuk përmbajnë nikotinë, mund të ndryshojë formën e kafkës gjatë zhvillimit para lindjes, ka raportuat MedicalXPress.
Në këtë studim të realizuar në minjë, minjtë femra me barrë u ekspozuan ndaj një kombinimi të dy substancave. Krahasuar me dy grupe të tjera eksperimentale, pasardhësit e minjve të ekspozuar ndaj një raporti të caktuar të këtyre substancave kishin peshë më të ulët dhe lindën me tipare të ngushtuara të fytyrës dhe kafkë më të shkurtër.
“Kjo përzierje nuk përmbante fare nikotinë, dhe megjithatë pati ndikim në zhvillimin e kafkës në modelin tonë, gjë që nuk e kishim pritur aspak”, ka thënë autori kryesor i studimit, profesori i anatomisë James Cray nga Kolegji i Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Ohios.

Laboratori i Crayit ka studiuar për vite me radhë se si ekspozimi ndaj nikotinës gjatë shtatzënisë ndikon në zhvillimin e kokës dhe fytyrës. Në vitin 2020, ata zbuluan se edhe nikotina e marrë përmes qumështit të gjirit mund të shkaktojë dëmtime të kafkës te minjtë. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), rreth 3% e foshnjave lindin çdo vit me defekte të lindura, dhe shumica e tyre lidhen me pjesën e kokës dhe qafës, sidomos buzë dhe qiellza të çara.
Në këtë studim të ri, ekipi synonte të krijonte një model kontrolli për ta krahasuar me ekspozimin ndaj nikotinës gjatë shtatzënisë. Minjtë me barrë u ndanë në tre grupe dhe u ekspozuan ndaj: ajrit të pastër, një përzierje me 50% propilen glikol dhe 50% glicerinë bimore (PG/VG), si dhe një përzierje me 30% propilen glikol dhe 70% glicerinë bimore, raport ky që industria e cigareve elektronike e ka prezantuar si më të sigurt për përdoruesit.
“Shumë kompani janë përpjekur të largohen nga përdorimi i lartë i propilen glikolit dhe të kalojnë te përqindje më të larta të glicerinës, duke e prezantuar këtë si një alternativë më të sigurt”, ka shpjeguar Cray.
Minjtë u ekspozuan me një “thithje” çdo minutë, katër orë në ditë, pesë ditë në javë, gjatë gjithë periudhës sa ishin me barrë që zgjat rreth 20 ditë.
Rezultatet treguan se minjtë e lindur nga minjë të ekspozuar ndaj përzierjes “më të sigurt” (30/70 PG/VG) kishin kafka më të ngushta dhe më të shkurtra krahasuar me grupin e ajrit të pastër dhe atë me raportin 50/50.
“Ajo që pamë ishte ngushtimi i vazhdueshëm i tipareve të fytyrës, dhe i njëjti model u shfaq edhe në pjesën e pasme të kafkës. Pra, kafka ishte më e ngushtë dhe më e shkurtër, çka përputhet me disa ndryshime që i shohim edhe te fëmijët. Po ashtu, pamë rënie të peshës. Këto kafshë ishin ende brenda normales për moshën e tyre, por gjithsesi kishin peshë më të ulët”, ka thënë Cray.
Këto ndryshime u vërejtën në disa shtatzëni të ndryshme dhe në të dy gjinitë.
“Ne menduam se përqindja më e lartë e propilen glikolit do të shkaktonte më shumë pasoja, por ndodhi e kundërta. Përzierja 50/50 nuk solli ndryshime të rëndësishme statistikore, dhe kjo ishte befasuese”, ka thënë tutje Cray.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka filluar të rregullojë produktet e cigareve elektronike që nga viti 2016, por përballet shpesh me kundërshtime ligjore nga industria. Më 20 qershor Gjykata e Lartë në SHBA vendosi në favor të kompanive, duke e bërë më të lehtë paditjen e FDA-së në rastet kur ndalon produkte të caktuara nga tregu. Megjithatë, në prill, e njëjta gjykatë miratoi masat e FDA-së për ndalimin e produkteve me shije të ëmbël, pas një rritjeje të ndjeshme të përdorimit nga adoleshentët.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndikimet e shumë përbërësve në cigaret elektronike mbeten ende të panjohura.
“Shumica e përdoruesve janë të rinj dhe adoleshentë, pra njerëz që janë në kulmin e moshës riprodhuese. Meqë zhvillimi i kokës ndodh shumë herët në shtatzëni, shumë gra mund të jenë duke përdorur këto produkte pa e ditur se janë shtatzënë, gjë që është jashtëzakonisht shqetësuese”, ka paralajmëruar Cray.
Ai ka thënë gjithashtu se ky është studim i vogël që tregon qartë se edhe produktet pa nikotinë mund të mos jenë të sigurta.
“Është një sinjal se duhet t’i studiojmë produktet pa nikotinë po aq sa ato që përmbajnë nikotinë”, ka thënë ai.
Autorë të tjerë të studimit janë: Logan Shope, Ethan Leonard, Leslie Sewell, Tyler Maykovich, Roy Miller, Matthew Gorr dhe Loren Wold nga Ohio State, Ethan Richlak nga Nationwide Children’s Hospital dhe Universiteti i Pittsburghut, dhe Amr Mohi nga UT Health San Antonio.