Lifestyle

Barnat për ADHD mund të kenë përfitime më të gjera në jetë, sugjeron një studim

ADHD

ADHD

Mjekimi me barna mund t’u ndihmojë personave të sapodiagnostikuar me ADHD (çrregullim i hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes) ta ulin rrezikun e përfshirjes në gjëra negative si: abuzim me substanca, kriminalitet, aksidente rrugore e deri te mendimet për vetëvrasje, sugjeron një studim i publikuar në British Medical Journal (BMJ), raporton “BBC”. 

Këto probleme shpesh lidhen me simptomat tipike të ADHD-së, si impulsiviteti dhe shpërqendrimi i shpejtë.

Rreth 5 për qind e fëmijëve dhe 2.5 për qind e të rriturve në mbarë botën mendohet se vuajnë nga ky çrregullim, ndërsa numri i të diagnostikuarve po rritet.

Sipas studiuesve, këto gjetje mund t’i ndihmojnë pacientët të vendosin nëse duhet të fillojnë trajtimin me barna, pasi ato konfirmojnë përfitime të gjera përtej menaxhimit të simptomave të përditshme.

ADHD bën që truri të funksionojë ndryshe nga shumica e njerëzve. Simptomat përfshijnë vështirësi në përqendrim, vështirësi për të qëndruar ulur, nivele të larta energjie dhe sjellje impulsive.

Megjithëse kërkesat për ndihmë po rriten, çrregullimi nuk po bëhet më i shpeshtë. Në Mbretërinë e Bashkuar, pritjet për vlerësim mund të zgjasin me vite, dhe diagnoza jepet vetëm kur simptomat ndikojnë dukshëm në jetën e përditshme.

Barnat më të përshkruara janë stimuluest, si metilfenidati (i njohur si Ritalin), të cilët ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të përditshme, por efektet afatgjata në sjellje kanë qenë më pak të dokumentuara.

Studimi përfshiu 148,500 persona të moshave 6 në 64 vjeç me ADHD në Suedi. Rreth 57 për qind nisën trajtimin me barna, dhe 88 për qind e tyre morën metilfenidat.

Rezultatet kanë treguar se përdorimi i barnave lidhej me ulje të rrezikut për raste të para të:

- sjelljes vetëvrasëse 17 për qind

-abuzimit me substanca  15 për qind

-aksidenteve rrugore 12 për qind

-kriminalitetit 13 për qind

Kur u analizuan ngjarjet e përsëritura, u vu re ulje e:

-tentimeve për vetëvrasje  15 për qind

-abuzimit me substanca  25 për qind

-dëmtimeve aksidentale 4 për qind

-aksidenteve rrugore  16 për qind

-kriminalitetit 25 për qind

“Shpesh nuk ka informacion se çfarë rreziqe ka nëse nuk trajtohet ADHD-ja. Tani kemi prova se ilaçet për trajtimin e saj mund t’i zvogëlojnë këto rreziqe”, ka thënë profesori Samuele Cortese, autor i studimit dhe profesor i psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve në Universitetin e Southamptonit.
Sipas tij, kjo mund të shpjegohet me faktin që mjekimi ul impulsivitetin dhe shpërqendrimin, gjë që redukton rrezikun e aksidenteve në timon dhe sjelljen agresive që mund të çojë në vepra penale.
Në shumë vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, sigurimi i mjekimit për ADHD është sfidues, si për shkak të mungesës së barnave, ashtu edhe për shkak të pritjes së gjatë për të shkuar te specialistët.
“Mosdiagnostikimi dhe mostrajtimi i ADHD mund të çojë në vetëmjekim me alkool apo droga, shëndet mendor të dobët, dëmtime dhe burgosje”, ka theksuar profesori Stuart Kinner, nga Curtin University në Australi.

Ndërkohë, profesori Ian Maidment, nga Aston University, tha se studimi “shton në kuptimin tonë mbi përfitimet e mundshme të këtyre barnave”, por theksoi se nuk u analizua nëse pacientët i morën rregullisht medikamentet apo ndikimi i dozave të ndryshme.