Personat që ndërpresin përdorimin e injeksioneve për dobësim, ilaçet e diabetit, si Mounjaro apo Wegovy, e rifitojnë peshën e humbur deri në katër herë më shpejt sesa ata që ndalojnë dietën dhe aktivitetin fizik tradicional, sugjeron një studim i ri, ka raportuar BBC.
Sipas të dhënave të publikuara në British Medical Journal, personat mbipeshë humbin shumë peshë gjatë përdorimit të këtyre injeksioneve, rreth një të pestën e peshës trupore, por pasi e ndërpresin trajtimin, ata shtojnë mesatarisht rreth 0.8 kilogramë në muaj. Kjo do të thotë se brenda rreth një viti e gjysmë, ata kthehen në peshën që kishin para trajtimit.
“Personat që i blejnë këto trajtime duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e rikthimit të shpejtë të peshës sapo trajtimi të përfundojë”, ka paralajmëruar studiuesja kryesore, doktoresha Susan Jebb nga Universiteti i Oksfordit.
Ajo ka theksuar se këto rezultate bazohen në prova klinike dhe jo në jetën reale, ndaj nevojiten studime më të gjata për të kuptuar efektet afatgjata të injeksioneve të reja për dobësim.
Studiuesit kanë analizuar 37 studime me mbi 9 mijë pacientë, duke krahasuar injeksionet e famshme për humbje peshe me dieta tradicionale apo tableta të tjera. Vetëm tetë nga këto studime përfshinin barnat më të reja të diabetit GLP-1, si Wegovy dhe Mounjaro, dhe ndjekja maksimale pas ndërprerjes së trajtimit ishte një vit, prandaj shifrat janë vlerësime.
Ndërkohë, personat që humbin peshë përmes dietës zakonisht humbin më pak kilogramë, por shtimi i peshës pas ndalimit është më i ngadalshëm, rreth 0.1 kilogram në muaj, edhe pse kjo ndryshon nga individi në individ.
Rreziku i rikthimit të peshës
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS) i rekomandon këto injeksione vetëm për personat me mbipeshë që kanë edhe probleme shëndetësore të lidhura me obezitetin, dhe jo për ata që duan thjesht të dobësohen pak.
Mjekët këshillohen që trajtimi të shoqërohet gjithmonë me ndryshime në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik, për të ndihmuar në ruajtjen e peshës së humbur.
Shumë ekspertë mendojnë se ky trajtim duhet të jetë afatgjatë, për shkak të rrezikut të lartë të rikthimit të peshës. Disa persona që janë përpjekur t’i ndërpresin injeksionet e përshkruajnë përvojën si shumë të vështirë.
“Është si një çelës që ndizet dhe papritur ndihesh i uritur gjatë gjithë kohës. Mu duk sikur diçka u hap në mendjen time dhe më tha: ‘Haje gjithçka, e meriton, sepse nuk ke ngrënë për kaq gjatë’”, ka treguar një grua.
Doktori Adam Collins, ekspert i ushqyerjes në Universitetin e Surreyt, shpjegon se mënyra se si funksionojnë këto injeksione në tru dhe trup mund të shpjegojë shtimin e shpejtë të peshës pas ndërprerjes.
Ato imitojnë një hormon natyral të quajtur GLP-1, i cili rregullon urinë.
“Dhënia artificiale e niveleve të GLP-1 shumë më të larta se normalja për një kohë të gjatë mund ta bëjë trupin të prodhojë më pak GLP-1 natyral dhe të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj tij. Kjo nuk është problem sa kohë që merrni barnat, por sapo t’i ndërprisni, oreksi nuk frenohet më dhe ngrënia e tepërt bëhet shumë më e mundshme”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, ndërprerja e menjëhershme e trajtimit është një sfidë e madhe, sidomos nëse personi ka mbështetur gjithë humbjen e peshës vetëm te injeksionet, pa ndryshuar zakonet ushqimore apo sjelljen në afat të gjatë.
Rreth 1.6 milionë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar kanë përdorur këto injeksione gjatë vitit të fundit, kryesisht përmes recetave private. Ndërkohë, 3.3 milionë persona të tjerë thonë se do të ishin të interesuar t’i përdornin gjatë vitit të ardhshëm, që do të thotë se një në dhjetë të rritur ose i ka provuar, ose dëshiron t’i provojë, sipas Cancer Research UK.
Përdorimi është dy herë më i shpeshtë te gratë sesa te burrat dhe më i zakonshëm te personat në të 40-at dhe 50-at.
Natyra kronike e obezitetit
Profesori Naveed Sattar nga Universiteti i Glasgowit ka thënë se këto injeksione mund të sjellin përfitime shëndetësore duke ulur peshën shpejt.
“Është e mundur që të qenët më i lehtë për dy apo tre vjet, edhe me përdorim afatshkurtër, të ndihmojë në ngadalësimin e dëmtimit të nyjave, zemrës apo veshkave. Do të nevojiten studime më të gjata për ta konfirmuar këtë,” ka thënë ai.
Sipas tij, përdorimi i vazhdueshëm për tre deri në katër vjet u mundëson njerëzve të mbajnë një peshë dukshëm më të ulët, diçka që rrallë arrihet vetëm me dietë dhe stil jetese, pasi shumë persona rifitojnë peshën me kalimin e kohës.
Aktualisht, Mounjaro dhe Wegovy nuk mund të përshkruhen automatikisht nga mjekët e familjes në NHS, edhe nëse pacientët i kanë përdorur më parë privatisht. Wegovy mund të përshkruhet për maksimumi dy vjet, ndërsa për Mounjaro nuk ka ende një kufi kohor të përcaktuar.
Një zëdhënëse e kompanisë farmaceutike Eli Lilly, që prodhon Mounjaro, ka thënë se përdorimi i këtyre barnave duhet të shoqërohet me ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik dhe mbikëqyrje mjekësore.
“Kur trajtimi ndalet, pesha mund të rikthehet, gjë që pasqyron biologjinë e sëmundjes dhe jo mungesë përpjekjeje”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa kompania farmaceutike Novo Nordisk, prodhuesja e Wegovyt, ka deklaruar se “këto gjetje tregojnë natyrën kronike të obezitetit dhe sugjerojnë se trajtimi i vazhdueshëm është i nevojshëm për të ruajtur përmirësimet në peshë dhe shëndet, njësoj si në sëmundje të tjera kronike si diabeti apo hipertensioni”.