Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

A mund të ndihmojnë vezët në uljen e rrezikut për Alzheimer?

Vezët

Vezët

Një studim i ri nga disa studiues në “Loma Linda University” sugjeron se përfshirja e vezëve në dietë mund të ketë ndikim të rëndësishëm në rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit, ka shkruar BoredPanda.

Kjo sëmundje është një çrregullim progresiv i trurit dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve, si dhe një ndër arsyet më të zakonshme të demencës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Alzheimer’s Association, në vitin 2026 rreth 1 deri në 9 persona mbi moshën 65 vjeç (11 për qind) në SHBA janë diagnostikuar me këtë sëmundje.

Studimi, i publikuar në The Journal of Nutrition, ka zbuluar se:

-konsumimi i vezëve vetëm dy herë në javë mund të ulë rrezikun e Alzheimerit me rreth 20 për qind

-nëse konsumohen pesë herë në javë ose më shumë, ulja e rrezikut mund të kalojë 25 për qind

Studiuesit ndoqën rreth 40.000 burra dhe gra për 15 vjet.

Edhe ata që konsumonin vezë vetëm 1-2 herë në muaj kishin 17 për qind më pak gjasa për të zhvilluar demencë krahasuar me ata që nuk hanin fare.

Ndërsa ata që konsumonin vezë 4-5 herë në javë kishin deri në 27 për qind rrezik më të ulët.

“Gjetjet sugjerojnë një përfitim të mundshëm mbrojtës për trurin nga lëndët ushqyese që gjenden në vezë, kur ato konsumohen si pjesë e një diete të balancuar”, thuhet në raportin e studimit.

Pse mund të ndihmojnë vezët?

Alzheimeri karakterizohet nga dëmtimi gradual i trurit, që çon në humbje të kujtesës dhe pavarësisë.

Vezët përmbajnë shumë lëndë ushqyese të rëndësishme për shëndetin e trurit:

Vitamina B12

Mungesa e saj lidhet me rritjen e rrezikut për Alzheimer. Një vezë siguron rreth 25 për qind të nevojës ditore.

Proteina cilësore (me triptofan)

Ndikon në humor, gjumë dhe funksionin e trurit.

Acidet yndyrore omega-3 (DHA)

Të rëndësishme për lidhjet mes qelizave të trurit dhe kujtesën.

Kolina

Ndihmon në prodhimin e acetilkolinës, një substancë kyçe për kujtesën.

Luteina dhe zeaksantina

Ndihmojnë në mbrojtjen e trurit nga dëmtimet dhe përmirësojnë performancën njohëse.

“Konsumi i moderuar i vezëve lidhet me një incidencë më të ulët të Alzheimerit, edhe kur merren parasysh faktorë të tjerë si dieta, mënyra e jetesës dhe sëmundjet shoqëruese”, theksohet në raportin e studimit.

Po kolesteroli?

Një shqetësim i zakonshëm është lidhja e vezëve me kolesterolin.

Megjithatë, sipas “American Heart Association” një i rritur mund të konsumojë deri në 1 vezë në ditë (ose 7 në javë)

Sa i përhapur është Alzheimeri?

Sipas të dhënave të vitit 2026 nga “Alzheimer’s Association” rreth 7.4 milionë amerikanë mbi 65 vjeç jetojnë me Alzheimer dhe 74 për qind e tyre janë mbi 75 vjeç.

Shqetësuese është edhe rritja e rasteve te të rinjtë rreth 200.000 persona në SHBA (mosha 30-64) kanë demencë të hershme.

Në nivel global, rastet e demencës në moshë të re janë rritur me mbi 200 për qind nga viti 1990 deri në 2021, sipas një studimi të publikuar në “PubMed Central”.

Ani pse nuk ka ende një kurë për Alzheimerin, ekspertët theksojnë rëndësinë e stilit të jetesës.

Sëmundja mund të fillojë deri në 20 vjet para shfaqjes së simptomave, prandaj ushqyerja, aktiviteti fizik dhe kujdesi për shëndetin janë faktorë që mund të ndikojnë realisht në rrezik.

Shenjat e hershme që duhen vërejtur përfshijnë humbje të kujtesës, vështirësi në orientim (kohë/vend), probleme me të folurin ose shkrimin si dhe vështirësi në njohjen e hapësirës.

Pas publikimit të studimit, rrjetet sociale u mbushën me reagime.

“Para 20 vjetësh thoshin që vezët janë të dëmshme!”, ishte një nga komentet më të përhapura.

Por ekspertët kujtojnë se çelësi është balanca, jo ekstremet.