Një studim i madh, i publikuar në revistën JAMA, ku janë analizuar 131 mijë e 821 persona për deri në 43 vjet, ka gjetur se konsumimi i moderuar i kafesë dhe çajit me kafeinë lidhet me rrezik më të ulët për demencë, ka raportuar The New York Times.
Sipas rezultateve, personat që pinin 2-3 filxhanë kafe me kafeinë në ditë ose 1-2 filxhanë çaj me kafeinë kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë krahasuar me ata që konsumonin pak ose aspak kafeinë.
Kafeja pa kafeinë nuk tregoi të njëjtin efekt.
Rreth 11 mijë pjesëmarrës zhvilluan demencë gjatë periudhës së studimit. Krahasuar me ata që nuk konsumonin pothuajse fare kafeinë, personat që pinin 1-5 filxhanë kafe me kafeinë në ditë kishin rreth 20 për qind më pak rrezik për demencë. Ata që pinin të paktën një filxhan çaj me kafeinë në ditë kishin rreth 15 për qind më pak rrezik.
“Ky është një studim shumë i madh dhe i kryer për një kohë të gjatë, që tregon se pirja e dy ose tre filxhanëve kafe në ditë lidhet me rrezik më të ulët nga demenca”, ka thënë Aladdin Shadyab, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo është lidhje statistikore dhe nuk provon se kafeina është shkaku i drejtpërdrejtë i mbrojtjes së trurit.
Studimi mori parasysh edhe faktorë të tjerë si sëmundjet kronike, medikamentet, dieta, niveli arsimor, gjendja ekonomike, historia familjare, pesha trupore, duhanpirja dhe problemet e shëndetit mendor.
Përfitimi dukej se stabilizohej pas rreth dy filxhanë e gjysmë kafe në ditë.
“Pas një sasie të caktuar, përfitimi ndalet, ndoshta sepse trupi nuk mund të përpunojë më shumë nga përbërësit aktivë të kafesë dhe çajit”, ka thënë autori kryesor, doktori Daniel Wang, epidemiolog në Mass General Brigham.
Studimi nuk gjeti efekte negative të drejtpërdrejta nga sasitë më të larta, por ekspertët paralajmërojnë se tejkalimi mund të ndikojë në gjumë dhe ankth.
“Nuk përfiton më shumë nëse kalon tre filxhanë në ditë”, ka thënë doktoresha Fang Fang Zhang nga Universiteti Tufts, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
Ajo ka shtuar se në një studim tjetër ishte vërejtur se shtimi i sasisë së madhe të qumështit ose sheqerit mund të zhdukë përfitimet shëndetësore të kafeinës.
Përveç demencës, studiuesit analizuan edhe rënien subjektive të kujtesës, pra kur personat ndiejnë se memoria po u dobësohet. Ata që konsumonin më shumë kafeinë raportuan më pak probleme të tilla.
Te një grup grash mbi 70 vjeç, që iu nënshtruan testeve të aftësive njohëse, konsumuesit e kafeinës kishin rezultate pak më të mira.
Shkencëtarët besojnë se kafeina mund të mbrojë trurin duke ulur inflamacionin, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe ndjeshmërinë ndaj insulinës, faktorë që lidhen me rrezikun për demencë.
“Këto gjetje nuk do të thonë domosdoshmërisht se duhet t’i nxisim njerëzit të fillojnë të pinë kafe, por janë inkurajuese për ata që tashmë e konsumojnë”, ka thënë doktori Shadyab për ata që nuk pinë kafe.
Ndërsa Zhang sugjeron që personat që nuk konsumojnë kafeinë “mund ta provojnë me sasi të vogla”, nëse nuk janë të ndjeshëm ndaj saj.
Efekti mbrojtës ishte më i fortë te personat nën moshën 75 vjeç.
Sipas Wang dëmtimi i aftësive njohëse zhvillohet për dekada, ndaj ndryshimet në stilin e jetesës sa më herët, aq më mirë.
Studiuesit theksojnë se nuk mund të përcaktojnë se cili lloj kafeje apo çaji është më i miri, nëse është espresso apo kafja me filter, çaj i gjelbër apo i zi, por mesazhi kryesor mbetet i qartë: konsumimi i moderuar i kafeinës mund të jetë i dobishëm për shëndetin e trurit.