Turqia është tërhequr nga përpjekja që të detyrojë shitësit e donerëve në shtetet e Bashkimit Evropian që t’u përmbahen disa rregullave strikte se si duhet përgatitur ky ushqim.
Nëse kërkesa për etiketën e “specialitetit tradicional të garantuar” do të kishte sukses, atëherë evropianët do të përballeshin me ndryshime në ushqimin prej më të preferuarve. Më së shumti do të shkundej industria e donerit në Gjermani, ku dallimi nga origjinali në Turqi ka marrë hov ndër dekada.
Autoritetet turke kanë kërkuar në vazhdimësi që doneri të shihet si gatim kombëtar që është shpërndarë në Evropë për shkak të emigrimit të turqve. Por zyrtarët gjermanë kanë thënë se doneri është bërë pjesë e kuzhinës kombëtare.
Mënyra tradicionale e përgatitjes së mishit në një hell vertikal daton që nga shekulli i 16-të, sipas Federatës Ndërkombëtare të Donerit në Turqi (Udofed) dhe emri doner lidhet me atë teknikë gatimi.
Kjo federatë i ka kërkuar BE-së që të përcaktojë disa rregulla strikte:
- Mishi të jetë i një lope mbi 16-muajshe, qengj të paktën gjashtë muajsh, ose kofshë dhe gjoks pule
- Mishi i viçit dhe gjeli i detit të ndalohej
- Mishi duhet të prihet në hollësi 3-5 milimetra
- Thika duhet të jetë speciale
- Ka kritere edhe për soset
Varianti gjerman i donerit zakonisht i shkel këto rregulla, pasi përfshin perime në bukë dhe mund të shihet si version evropian i donerit klasik turk.
E Ministria e Ushqimit në Gjermani vitin e shkuar ka thënë se është shokuar me ofertën turke. Ish-ministri Cem Ozdemir, politikan me prejardhje turke, ka thënë se u takon të gjithëve të vendosin se si duan ta hanë donerin në shtetin e tyre dhe nuk ka nevojë për udhëzime nga Ankaraja.
“Doneri i përket Gjermanisë”, ka thënë ai.
Nëse Udofedi do të vazhdonte me kërkesën e saj, atëherë diaspora turke që dominon në Evropë do të prekej dukshëm. Vetëm në Gjermani janë mbi 1.5 milionë shtetas turq. Rreth 60 mijë njerëz janë të punësuar në këtë industri. Rreth 400 tonë doner shitet çdo ditë, sipas të dhënave të prodhuesve turq të donerit në Evropë. Vetëm në Gjermani kjo industri mbërrin 2.4 miliardëshin brenda viti.